BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Banka e Shqipërisë dhe Qendra mbi Ekspertizën e Tranzicionit Ekonomik në LSE organizojnë workshopin ''Navigimi i Rreziqeve të Ndërlidhura: Ndikimet e Degradimit Mjedisor dhe Ndryshimeve Klimatike''

Data e publikimit: 11.07.2024

 

Më 11 korrik 2024, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Qendrën mbi Ekspertizën e Tranzicionit Ekonomik (CETEx - Centre for Economic Transition Expertise) në London School of Economics (LSE), organizoi në Tiranë një workshop me temë "Navigimi i Rreziqeve të Ndërlidhura: Ndikimet e Degradimit Mjedisor dhe Ndryshimeve Klimatike".

DSC 6911-2 498x332copy

Workshopi mblodhi në një tryezë të përbashkët përfaqësues nga institucione kyçe publike dhe private në Shqipëri, ekspertë të shquar kombëtarë dhe ndërkombëtarë, politikëbërës dhe ekonomistë, me qëllim kryesor përfshirjen e aktorëve të ndryshëm në një dialog mbi sfidat që paraqiten nga ndryshimi i klimës dhe implikimet e saj në ekonomi dhe financa.

Konceptuar në tre sesione, punimet e workshopit u hapën me fjalët përshëndetëse të Drejtorit të Departamentit të Kërkimeve të Bankës së Shqipërisë, z. Altin Tanku, dhe Drejtorit të Tregjeve Monetare dhe Financiare në CETEx, z. Simon Dikau.

DSC 6842 498x332

Fjala kryesore u mbajt nga Zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, znj. Natasha Ahmetaj, e cila paraqiti një pasqyrë të Strategjisë së Gjelbër të Bankës së Shqipërisë, të hartuar në bashkëpunim me Bankën Botërore, në linjë me objektivat globalë për një ekonomi dhe sisteme financiare të qëndrueshme. Zëvendësguvernatorja Ahmetaj theksoi rëndësinë e rolit të sektorit financiar për një qasje të guximshme ndaj këtyre objektivave, duke mbështetur progresin teknologjik dhe inovacionin. Kjo kërkon së pari përfshirje të rreziqeve të ndryshimit të klimës në analizat e ekspozimit të sektorit financiar, duke e konsideruar stabilitetin financiar ai parakusht për tranzicionin e gjelbër.

DSC 7121 498x332

Sesioni i parë u fokusua në prezantimin e Progres-Raportit Vjetor të Strategjisë së Gjelbër të Bankës së Shqipërisë. Ky sesion përfshiu prezantimin e arritjeve dhe sfidave të vitit të kaluar në përmbushje të objektivave të përcaktuar në Strategji, duke u fokusuar te analiza e vlerësimit të dytë të ekspozimit të sektorit bankar shqiptar ndaj rreziqeve klimatike. Kjo analizë vijoi me prezantimin e draftit të parë të udhëzimit për administrimin e rrezikut të lidhur me ndryshimet e klimës dhe mjedisit, në sektorin bankar.

DSC 7132 498x332

Gjatë dy sesioneve të tjera u trajtuan çështje që lidhen me plotësimin e kërkesave të Agjendës 2030 si dhe ato të integrimit evropian, të tilla si hartimi i Taxonomisë dhe modelimi i matjes së ndikimit në sistemin financiar nga humbja e natyrës dhe biodiversitetit, duke përfshirë diskutime teknike mbi mënyrën se si FinTech mund të përdoret për integrimin e ESG-së. Në këtë sesion u prezantuan edhe studime mbi raste specifike të ndikimit të ndryshimit klimatik në prodhimin e hidroenergjetikës.

DSC 7191 498x332

Workshopi u përmbyll duke theksuar domosdoshmërinë e përfshirjes aktive dhe koordinimit të gjithë aktorëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë në adresimin e rreziqeve klimatike dhe mjedisore për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme. Gjithashtu, u nënvizua rëndësia e shkëmbimit të praktikave më të mira dhe përkthimit të njohurive për t’i bërë ato të përdorshme nga të gjithë, në mënyrë që të orientojmë energjitë drejt zgjidhjeve më kreative dhe efiçente.