BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Banka e Shqipërisë dhe Banka Botërore organizojnë Workshop-in “Rrugëtimi i Shqipërisë drejt integrimit në SEPA, përfshirjes dhe edukimit financiar”

Data e publikimit: 14.06.2024

 

Në datën 14 qershor 2024, Banka e Shqipërisë dhe Banka Botërore zhvilluan Workshop-in me temë “Rrugëtimi i Shqipërisë drejt integrimit në SEPA, përfshirjes dhe edukimit financiar”. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte diskutimi mbi statusin e integrimit të Shqipërisë në Tregun Unik të Pagesave në Euro (SEPA) dhe përfitimet për vendin, si dhe mbi rëndësinë e përfshirjes dhe edukimit financiar për zhvillimin e tregut dhe mirëqenien shoqërore.

DSC 3543 498x332

Aktiviteti u çel me fjalët përshëndetëse të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko; Menaxherit të Projektit për Modernizimin e Pagesave pranë Bankës Botërore, z. Matija Laco; Zëvendësshefit të Misionit në Ambasadën e Zvicrës, z. Philipp Arnold; dhe Ministres së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, zj. Bora Muzhaqi. Të pranishëm në këtë tryezë diskutimi ishin përfaqësues të bankave tregtare, institucioneve të pagesave, FinTech, politikëbërës dhe organizata joqeveritare të angazhuara në ofrimin e programeve dhe moduleve të edukimit financiar.

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Sejko u shpreh se sot më shumë se kurrë rritja dhe stabiliteti ekonomik varen nga fuqizimi financiar i të gjithë qytetarëve. Si rrjedhojë e zhvillimeve të shpejta në fushën e financës, inteligjencës artificiale, digjitalizimit të ekonomisë dhe parasë, angazhimi ynë ndaj këtyre objektivave është kthyer në një domosdoshmëri.

DSC 3517 498x332

Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë ka intensifikuar ndjeshëm përpjekjet për anëtarësimin e  Shqipërisë në Tregun Unik të Pagesave në Euro – SEPA falë të cilave, dy ditë më  parë, u arrit të përmbyllej me sukses faza e aplikimit pranë Këshillit Evropian të Pagesave. “Thjeshtësia, komoditeti dhe efikasiteti janë tre nga përfitimet kryesore të këtij anëtarësimi për konsumatorët dhe bizneset. Përmes SEPA-s, qytetarët dhe bizneset shqiptare do të kryejnë pagesa dhe transferta sikur të ishin qytetarë të Bashkimit Evropian dhe anasjelltas. Përfitimet kryesore të ekonomisë shqiptare dhe familjeve do të jenë të konsiderueshme në fushat e tregtisë, turizmit, remitancave, investimeve direkte etj.”, tha Guvernatori.

Në këtë drejtim, Guvernatori përgëzoi ekipin e Bankës së Shqipërisë përgjegjës për këtë projekt, atë të Bankës Botërore, Qeverisë dhe të gjitha autoritetet e tjera kombëtare që kanë mbështetur aspiratën e Bankës së Shqipërisë për anëtarësimin e përshpejtuar në SEPA.

DSC 3615 498x332

Gjithashtu, Guvernatori nënvizoi se përfitimet nga përdorimi i instrumenteve financiare mundësohen vetëm përmes njohjes dhe edukimit financiar, i cili i pajis individët me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të marrë vendime të informuara për menaxhimin e financave personale. Në një ekonomi në zhvillim si Shqipëria, ku nivelet e kulturës financiare kanë qenë tradicionalisht të ulëta, puna në këtë drejtim mund të sjellë fryte të rëndësishme.  

Menaxheri i Projektit për Modernizimin e Pagesave pranë Bankës Botërore, z. Laco, i cilësoi sistemet e pagesave si “shtylla kurrizore” e aktiviteteve ekonomike dhe financiare. Individët, bizneset dhe qeveritë nisin dhe presin pagesa çdo ditë. Kjo e bën thelbësore mundësinë për të transferuar vlera monetare në mënyrë të sigurt, efikase dhe efektive. Asistenca teknike e Bankës Botërore nëpërmjet projekteve të Modernizimit të Pagesave të financuara nga BE dhe Programi i Remitancave dhe Pagesave të financuara nga SECO, mbështet përpjekjet e Shqipërisë për modernizimin e sistemit të pagesave. Këto projekte po formësojnë një të ardhme me një ekonomi digjitale më të fuqishme, me përfshirje financiare më të lartë dhe pagesa vendore dhe ndërkufitare më ekonomike. Banka Botërore është e angazhuar të vazhdojë mbështetjen e Bankës së Shqipërisë në reforma transformuese dhe vlerëson arritjet e deritanishme të Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt integrimit në SEPA dhe për modernizimin e sistemeve të pagesave.

DSC 3725 498x332

Zëvendësshefi i Misionit të Ambasadës së Zvicrës, z. Arnold, përgëzoi Shqipërinë për hapin e madh drejt anëtarësimit në Tregun Unik të Pagesave në Euro - SEPA, ku kontribut dha edhe Programi i Remitancave dhe Pagesave. Promovimi i përfshirjes dhe edukimit financiar është një fushë tjetër e mbështetur nga shteti zviceran, për të siguruar që përfitimet nga SEPA dhe shërbimet financiare në përgjithësi të jenë të arritshme për të gjithë dhe të nxisin rritjen ekonomike, në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin.

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, zj. Bora Muzhaqi, në fjalën e saj vlerësoi arritjet dhe zhvillimet pozitive në fushën e edukimit financiar, duke nënvizuar se duhet bërë gjithmonë e më shumë, sa i përket mundësive që i ofrojmë fëmijëve dhe të rinjve. “Në përpjekjet për t’i ofruar fëmijëve dhe të rinjve më shumë edukim financiar, kemi filluar tashmë punën prej disa muajsh për të zhvilluar një program të ri pas orarit të mësimit, i cili zhvillon dhe zgjeron njohuritë e marra në kurrikulën shkollore të edukimit financiar, si dhe u lejon përdorimin praktik të këtyre njohurive, duke i përgatitur për botën e punës.” u shpreh ajo.

DSC 3939-2 498x332

Sesioni i parë i Workshop-it u fokusua në integrimin e Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) dhe përfitimet e prekshme që i sjell vendit. Panelistët diskutuan mbi aplikimin zyrtar për anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA, ndikimin e pritshëm në infrastrukturën financiare dhe ekonominë e Shqipërisë, si dhe masat e nevojshme për të maksimizuar përfitimet nga SEPA. Sesioni i dytë trajtoi rëndësinë e përfshirjes dhe edukimit financiar për zhvillimin e tregut dhe mirëqenien shoqërore, si dhe prioritetet strategjike për promovimin e këtyre çështjeve në vend. Me fokus të veçantë në zhvillimet financiare dhe risitë në treg, panelistët theksuan rëndësinë e strategjive të koordinuara dhe përpjekjeve të bashkërenduara të edukimit financiar për sukses kombëtar. Sesioni i tretë diskutoi mbi rolin dhe kontributin e aktorëve të ndryshëm në fushën e edukimit financiar, duke u ndalur fillimisht në identifikimin e nevojave për edukim financiar, e duke vijuar më pas me praktikat më të mira, grupet e synuara, suksesin e projekteve, por edhe sfidat me të cilat përballen dhe rekomandimet e ardhshme.

DSC 4006 498x332

Më 12 qershor 2024, Banka e Shqipërisë dorëzoi zyrtarisht aplikimin për anëtarësimin në SEPA, duke u bërë kështu vendi i parë në rajon që dërgon aplikimin formal për t’u pranuar në zonën e pagesave SEPA.