BANKA E SHQIPËRISË
KONFERENCË PËR SHTYP
Pyetje-përgjigje të konferencës për shtyp, 20.12.2012
Data e publikimit: 24.12.2012
Pyetje: Zoti Guvernator, vitet e fundit i keni mëshuar vazhdimisht rëndësisë së koordinimit të politikave monetare me politikat fiskale. Buxheti i vitit 2013 është një buxhet më agresiv në kuptimin e niveleve të parashikuara të deficitit buxhetor dhe borxhit publik. Sa ka ndikuar buxheti i vitit të ardhshëm në vendimet tuaja të dy muajve të fundit, sidomos për të mos vazhduar më tej lehtësimin e kushteve monetare përmes uljes së normës bazë?
Përgjigje: Do të përforcoja edhe njëherë idenë e kahershme se harmonizimi i politikës fiskale me atë monetare për ne është mjaft i rëndësishëm, por duhet bërë kujdes për mospërzierjen e tyre. Megjithatë ne mbetemi të mendimit që çdo institucion duhet të kryejë me përgjegjësi dhe transparencë detyrat që i ngarkon ligji. Mendoj që e gjithë vendimmarrja jonë e këtij viti në fushën e politikës monetare është zhvilluar në kushtet e një krize globale, në kushtet e një tkurrjeje globale të kreditimit, në kushtet e një tremujori të parë me një tërheqje të bankave ndërkombëtare nga kreditimi në përgjithësi i ekonomisë. Në lidhje me këtë të fundit dua të them se është një fenomen që po mbizotëron në treg si arsye e lëvizjeve të bankave evropiane për rritjen e kapitalit. Në këto kushte, i gjithë spektri makropolitik i Bankës së Shqipërisë ka qenë në kahun e kujdesit. Vendimmarrja e sotme vërteton edhe njëherë atë që ju kërkuat në lidhje me buxhetin e vitit të ardhshëm.