BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PER SHTYP
Guvernatori Sejko merr pjesë në konferencën e nivelit të lartë "Ripërshpejtimi i konvergjencës në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore- roli i qeverisjes dhe i institucioneve"
Data e publikimit: 11.07.2017
Në datat 10 -11 korrik 2017, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko mori pjesë në konferencën e nivelit të lartë "Ripërshpejtimi i konvergjencës në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore - roli i qeverisjes dhe institucioneve", organizuar nga Banka Kombëtare e Kroacisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Dubrovnik, Kroaci. Përveç përfaqësuesve të lartë të FMN, në këtë konferencë merrnin pjesë rreth 30 guvernatorë dhe ministra të financave nga vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJ), si dhe përfaqësues nga Komisioni Evropian, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane e Investimeve, dhe nga institucione të tjera financiare dhe bota akademike.
Diskutimet e konferencës u përqendruan në çështje të tilla, si: Ku qëndron sot procesi i konvergjencës? Cili është roli i investimeve, demografisë dhe produktivitetit, si është perspektiva e konvergjencës për standardet e jetesës në vendet e EQLJ-së? Çfarë zhvillimesh priten në Bashkimin Evropian në kontekstin e një rritjeje globale më të ngadaltë dhe të një trendi më të pafavorshëm demografik afatgjatë? Cili është roli që kanë institucionet dhe qeveritë në këto procese?
Gjatë konferencës, Guvernatori Sejko mori pjesë edhe në tryezën e diskutimit, organizuar nga Drejtorja e Përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar, zj. Christine Lagarde. Në këtë tryezë, Guvernatori diskutoi mbi kontributin që FMN-ja ka dhënë në vendet e EQLJ-së për realizimin e reformave dhe rolin që Fondi ka luajtur në forcimin e shoqërisë civile.
"... FMN-ja ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në rajonin e EQLJ-së. Programet dhe këshillat e FMN-së kanë qenë vendimtare në vendosjen e rajonit në rrugën e duhur, nga tranzicioni drejt konvergjencës. Për më tepër, FMN-ja ka vazhduar të luajë rolin e rregullatorit sa herë që vendet e këtij rajoni janë përballur me vështirësi ekonomike dhe financiare", tha Guvernatori. Për ta ilustruar këtë rol, ai solli si shembull marrëveshjen e fundit midis Shqipërisë dhe FMN-së, e cila u konsiderua si një domosdoshmëri dhe zbatimi i saj përfundoi me sukses. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, Shqipëria vazhdoi ritmin rritës të ekonomisë dhe ndërmori një sërë reformash strukturore.
Për sa i përket rolit të FMN-së në të ardhmen, Guvernatori u shpreh se ky rol mund të jetë më fleksibël dhe më eficient, duke kontribuar në forcimin e masave parandaluese të krizave të mundshme dhe në arritjen e objektivave finalë.