BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në aktivitetin e përvjetorit të 25-të të Shoqatës Shqiptare të Bankave

Data e publikimit: 14.05.2024

 

Të nderuar anëtarë të Shoqatës Shqiptare të Bankave,

Kolegë të nderuar,

Me kënaqësi të veçantë Ju bashkohem sot në këtë përvjetor të 25- të Shoqatës Shqiptare të Bankave.

Për gati një çerek shekulli, Shoqata Shqiptare e Bankave ka dhënë një kontribut të konsiderueshëm në zhvillimin e sektorit bankar shqiptar, duke i shërbyer në këtë mënyrë stabilitetit dhe progresit ekonomik e financiar të vendit. Përpjekjet tuaja në drejtim të zhvillimit kanë qenë thelbësore, nëpërmjet një angazhimi konkret e proaktiv për adoptimin e praktikave më të mira që ofron industria bankare globale.

 DSC1125

Gjatë këtyre viteve sistemi bankar ka qenë mbështetës e iniciator i shumë nismave, duke i hapur rrugë adoptimit të standardeve që përcaktojnë tashmë bankingun modern në Shqipëri. Përpjekjet tuaja për promovimin e praktikave të shëndosha financiare dhe standardeve etike bankare kanë formësuar peizazhin e industrisë bankare. Shërbimet e ofruara klientëve u revolucionarizuan, bankat zgjeruan ndjeshëm shtrirjen e tyre, duke ofruar gjithnjë e më shumë produkte e shërbime bankare e financiare që dikur konsideroheshin përtej fushës së veprimit të bankingut tradicional.

 DSC0998

Ekonomia shqiptare është përballur në vazhdimësi me goditje, të cilat kanë sfiduar jo vetëm zhvillimin e industrisë bankare, por edhe stabilitetin ekonomik e financiar të vendit, të tilla si:

  • kriza financiare globale e vitit 2008;
  • kriza greke, e cila precipitoi në një krizë të borxhit sovran në Eurozonë, në vitet 2011-2013;
  • pandemia Covid-19 në vitet 2020 – 2021; si dhe,
  • pasojat ekonomike të luftës në Ukrainë.

 DSC1249

Pavarësisht tyre, sistemi bankar ka kontribuuar denjësisht duke mundësuar një rritje të shpejtë të kredisë për ekonominë, nga niveli 7% i PBB-së në vitin 2002, në nivelin 30% të PBB-së në vitin 2023. Gjithashtu, ai ndihmoi në zhvillimin e sektorit privat, nëpërmjet ofrimit të konsulencës për bizneset dhe familjet shqiptare, si dhe rritjes së kulturës financiare të tyre. Së fundi, por po aq e rëndësishme, sektori bankar shqiptar i ka ofruar ekonomisë një gamë të gjerë e në rritje instrumentesh pagesash, të cilat mundësojnë lëvizjen eficiente të likuiditetit e të kapitalit në ekonomi.

 DSC0863

Po ashtu, nuk mund të lë pa evidentuar faktin se krijimi i SHSHB-së, në formën aktuale të saj, i ka ofruar Bankës së Shqipërisë një interlokutor e partner të besueshëm në diskutimin e projekteve e reformave që kemi ndërmarrë ndër vite. Ky shkëmbim idesh e pikëpamjesh ka qenë thelbësor për identifikimin e problemeve të zhvillimit dhe për adoptimin e instrumenteve më efektive për adresimin e tyre.

Duke u ndalur në këtë pikë, më lejoni të theksoj se të gjithë ne së bashku: Qeveria Shqiptare, Banka e Shqipërisë dhe SHSHB, kemi kryer një punë të madhe për realizimin e disa reformave të rëndësishme strukturore gjatë dekadës së fundit.

Më lejoni të jem më konkret.

Së pari, plani i masave për reduktimin e kredive me probleme dhe përmirësimin e mjedisit të kreditit. Niveli i kredive me probleme kulmoi në 25% të portofolit në vitin 2014, duke përbërë një sfidë të madhe për zhvillimin e sistemit bankar dhe një pengesë serioze për rritjen e kreditimit. Për adresimin e tij, së bashku me Qeverinë Shqiptare dhe SHSHB, kemi adoptuar në vitin 2015, Planin Kombëtar për Reduktimin e Kredive me Probleme dhe kemi ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme në këtë drejtim. Këto reforma mundësuan reduktimin e kredive me probleme nga bilancet e bankave, të cilat tashmë qëndrojnë në nivelin 4.64%. Po ashtu, këto reforma i hapën rrugën rritjes së shpejtë, të qëndrueshme dhe të shëndetshme të kredisë bankare. Për ta ilustruar me gjuhën e shifrave, portofoli i kredisë për sektorin privat është rritur në një vlerë kumulative prej 40%, në 5 vitet e fundit. Vetëm gjatë vitit të shkuar, kredia për sektorin privat shënoi një rritje mesatare prej 8%, rritje e cila ka kërcyer pranë nivelit 12% në tremujorin e parë të këtij viti.

Së dyti, konsolidimi i sistemit bankar, si një instrument i rritjes së konkurrencës dhe i riorganizimit të tij, u arrit po ashtu të përmbyllej me sukses. I diktuar nga strategjitë dhe politikat e grupeve bankare evropiane, ky proces shfaqi jo pak sfida, por në përfundim rezultoi në një konkurrencë më të shëndetshme, rritjen e peshës së kapitalit vendas dhe përmirësimin e ndërmjetësimit financiar.

Së treti, rritja e përfshirjes financiare – e cila mbetet ende në proces – ka sjellë përfitime të ndjeshme për ekonominë shqiptare. Si pasojë e reformave të përbashkëta në sistemet e pagesave dhe investimit të vazhdueshëm për rritjen e edukimit financiar, ne kemi shënuar zhvillime të konsiderueshme gjatë viteve të fundit:

  • Bankat i ofrojnë shërbime të aksesit në llogari rreth 171.654 qytetarëve ose rreth 78% të popullsisë adulte (2023);
  • Rritje e numrit të llogarive bankare të aksesueshme nga interneti me rreth 17 herë (11,108 llogari në vitin 2008 - 1,096,402 llogari në vitin 2023);
  • Aktualisht (2023) janë kryer rreth 7,7 milionë transaksione bankare (nga vetëm rreth 88 mijë transaksione në vitin 2008) nëpërmjet këtyre llogarive bankare me një vlerë sa 88% të PBB-së të vitit 2023);
  • Numri i kartave bankare pothuajse është trefishuar prej vitit 2008. Aktualisht, shqiptarët zotërojnë 1,433,151 karta debiti dhe krediti të kompanive prestigjioze VISA dhe Mastercard, të cilat zbatojnë standarde nga më të mirat në nivel ndërkombëtar;
  • Rritje e konsiderueshme e PoS-eve në bizneset shqiptare me rreth 6 herë nga viti 2008 (rreth 300 POS), në vitin 2023 (rreth 19 mijë);
  • Aktualisht janë rreth 230 biznese të pajisura me infrastrukturën e nevojshme për tregti elektronike, nga 3 gjithsej në vitin 2013 kur u prezantua për herë të parë ky shërbim nga sistemi bankar;
  • Numri i pagesave me kartë bankare është rritur 83 herë nga viti 2008. Shqiptarët në vitin 2023 kanë kryer mesatarisht 11 pagesa për frymë, nga 0.3 pagesa për frymë në vitin 2008 me këtë instrument.

E ndërsa reflektojmë për vitet që kaluan, pavarësisht sfidave të shumta të brendshme e të huaja, nuk mund të lëmë pa përmendur se – pavarësisht goditjeve në inflacion dhe shtrëngimit monetar gjatë viteve të fundit, si në Shqipëri dhe në Eurozonë – Banka e Shqipërisë dhe SHSHB kanë vijuar punën për:

  • hartimin dhe miratimin e shumë akteve ligjore e rregullatore, në përputhje me direktivat evropiane dhe praktikat më të mira në fushën e rregullimit dhe të mbikëqyrjes mikro dhe makroprudenciale, e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, e pagesave, të statistikave etj.;
  • modernizimin e vazhdueshëm të sistemit të pagesave; krijimin dhe zhvillimin e skemave të pagesave (të tilla si debitimi direkt), si dhe rritjen e përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave etj.
  • ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe përmirësimin e komunikimit me institucionet lokale dhe ndërkombëtare për të ndihmuar sektorin financiar në Shqipëri;
  • zhvillimin e shumë eventeve dhe programeve për edukimin e publikut, nxitjen e përfshirjes financiare dhe reduktimin e përdorimit të cash-it në ekonomi.

***

Të nderuar kolegë,

Roli i bankave në strukturën ekonomike të Shqipërisë është kritik. Misioni ynë i përbashkët është nxitja e një mjedisi të fortë financiar e ekonomik, i cili vijon të mbetet sfidues. Me vështrim nga e ardhmja dhe në kushtet e ndryshimeve dhe zhvillimeve globale, Banka e Shqipërisë:

  • mbetet e përkushtuar ndaj respektimit të objektivave të saj ligjorë, duke ndjekur gjithmonë politika të orientuara drejt ruajtjes së stabilitetit monetar e financiar të vendit, si parakusht i zhvillimit të qëndrueshëm e afatgjatë;
  • inkurajon rritjen e mëtejshme të kreditimit për bizneset e familjet shqiptare, duke kërkuar gjithmonë respektimin e rregullave të prudencës, dhe insistuar në rritjen e vëmendjes ndaj sektorëve apo shtresave të caktuara;
  • ka nxitur e do të nxisë hartimin e politikave dhe adoptimin e instrumenteve që zgjerojnë përfshirjen financiare për ato segmente të shoqërisë ende jo plotësisht të shërbyera;
  • vlerëson se bashkëpunimi ndërmjet nesh mbetet përcaktues, veçanërisht në përafrimin e kuadrit të saj ligjor dhe rregullator me atë të Bashkimit Evropian;
  • mbështet transformimin digjital në sektorin bankar, si një trend dhe një mundësi për të përmirësuar shërbimet bankare duke i bërë ato më të aksesueshme, më të shpejta dhe më të besueshme për publikun;

Në përfundim, në këtë 25-përvjetor, le të ripërtërijmë angazhimin tonë për:  përkushtim, integritet dhe shërbim cilësor ndaj publikut. Krahas sfidave dhe arritjeve që besoj se nuk do të mungojnë dhe në vitet që do të pasojnë, jam besimplotë se sektori bankar shqiptar do të jetë sinonim i qëndrueshmërisë dhe i inovacionit. 

Duke ju falënderuar për përkushtimin dhe besimin tuaj në bashkëpunimin reciprok,

Gëzuar përvjetorin!