BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në Komisionin për Çështjet Europiane në lidhje me përgatitjen e institucioneve shqiptare lidhur me Tregun Unik të Pagesave në Euro (SEPA)

Data e publikimit: 17.07.2024

 

E nderuar zj. Kryetare e Komisionit,

Të nderuar deputetë, anëtarë të Komisionit,

Së pari, më lejoni t’Ju falënderoj për mundësinë e krijuar për të ndarë me ju punën intensive dhe voluminoze të institucionit që drejtoj, për hedhjen e një hapi të rëndësishëm drejt integrimit ekonomik të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ky hap ka të bëjë me dërgimin zyrtar të aplikimit të Shqipërisë pranë Këshillit Evropian të Pagesave, për anëtarësimin e vendit në zonën gjeografike të Tregut Unik të Pagesave në Euro – i njohur ndryshe si SEPA. Ashtu si ishte parashikuar në planin e veprimit, aplikimi u dërgua në muajin qershor të këtij viti.

DSC 7583 498x332

Nisur nga rëndësia që SEPA ka në shumë dimensione, shpreh mirënjohjen për vëmendjen që ky Komision i nderuar po i kushton procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në të. Ne gjykojmë se finalizimi me sukses i tij do të përfitojë nga mbështetja e të gjitha institucioneve shtetërore të përfshira në proceset integruese.

Përpara se të kaloj në detaje për procesin e aplikimit, më lejoni të përmend shkurtimisht historikun dhe kontekstin e tij. Puna për anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA ka nisur që prej vitit 2021, kur Banka e Shqipërisë u bë pjesë e projektit rajonal “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor”. Ky projekt e ka origjinën në marrëveshjet e Procesit të Berlinit dhe synon zhvillimin e marrëdhënieve financiare dhe ekonomike midis vendeve të Ballkanit Perëndimor e njëkohësisht, edhe integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian. Për të nxitur përpjekjet e vendeve për të thelluar integrimin e tyre ekonomik me tregun evropian, në nëntor të vitit 2023, Komisioni Evropian e përfshiu anëtarësimin e përshpejtuar në SEPA në agjendën e prioriteteve të rritjes së rajonit. Vlerësimet e atëhershme të ekspertëve të Bankës Botërore tregonin se Shqipëria ishte ndjeshëm e përgatitur për të nisur aplikimin, pasi plotësonte pothuajse të gjitha kriteret. Në veçanti, u vlerësua se vendi ynë kishte përparuar dukshëm në përafrimin e legjislacionit të pagesave me atë evropian. Angazhimi për të nisur aplikimin për anëtarësim në SEPA u ritheksua edhe gjatë ministerialit “Ballkani Perëndimor drejt Tregut Unik të Pagesave në Euro (SEPA)”, mbajtur më 28 shkurt të këtij viti, ku Shqipëria u angazhua të dorëzonte aplikimin brenda muajit qershor.

DSC 8131 498x332

Banka e Shqipërisë ka qenë udhëheqëse dhe koordinatore e punës për dërgimin e aplikimit. Megjithatë, realizimi i tij është bërë në bashkëpunim dhe me kontribut nga një sërë autoritetesh shtetërore, sipas kërkesave që përmban aplikimi. Gjej rastin t’i falënderoj për bashkëpunimin e ngushtë dhe angazhimin maksimal të gjitha institucionet e përfshira në proces, veçanërisht Ministrisë së Financave. Banka hartoi një plan veprimi, koordinoi dhe bashkëpunoi me institucionet vendase të përfshira në proces, si dhe vendosi ura komunikimi me Këshillin Evropian të Pagesave dhe Komisionin Evropian, me qëllim trajtimin e çdo nevoje të shfaqur gjatë procesit. Gjithë procesi i aplikimit është bërë me asistencën e vyer të Bankës Botërore.

Më lejoni të theksoj se, falë këtij koordinimi dhe bashkëpunimi, u arrit që në më pak se 5 muaj, jo vetëm të hartohej një material voluminoz dhe i detajuar, por edhe të kaloheshin me sukses dhe të gjitha fazat e konsultimit paraprak me Këshillin Evropian të Pagesave dhe Komisionin Evropian.

DSC 7569 498x332

Kriteret e vendosura nga Këshilli Evropian i Pagesave për vendet që kërkojnë të bëhen anëtare të SEPA-s përqendrohen në dy drejtime: së pari, vendi aplikant duhet të demonstrojë lidhje të ngushta ekonomike me Bashkimin Evropian; dhe së dyti duhet të garantojë përputhjen e legjislacionit me Bashkimin Evropian në fushën e pagesave, por jo vetëm. Kjo e fundit zë dhe vëllimin më të madh në aplikim.

Në fushën e pagesave, Shqipëria tregon një pajtueshmëri të lartë ligjore me acquis dhe me kuadrin rregullator të SEPA-s. Që prej vitit 2018, vendi ynë ka përshpejtuar përpjekjet në këtë drejtim, nëpërmjet hartimit nga Banka e Shqipërisë dhe miratimit të ligjit “Për shërbimet e pagesave” dhe të kuadrit rregullator për zbatimin e tij. Ky ligj transpozon Direktivën e BE-së për Shërbimet e Pagesave, të njohur si PSD2. Ai siguron konkurrencë, transparencë dhe mbrojtje të konsumatorit gjatë ofrimit të shërbimeve të pagesave, me të njëjtat standarde si në Bashkimin Evropian. Me qëllim përafrimin e plotë të kuadrit rregullator të pagesave me kriteret e SEPA-s, gjatë muajve mars dhe prill, Banka e Shqipërisë përgatiti dhe miratoi edhe një rregullore të re, e cila transpozon të ashtuquajturën rregullore të SEPA-s. Krahas përcaktimit të disa standardeve të harmonizuara, kjo rregullore i lejon sistemit bankar kohë të mjaftueshme për të përshtatur infrastrukturën me skemat SEPA-s. Një aspekt tjetër i pajtueshmërisë ligjore lidhet me praktikat për mbikëqyrjen e sistemit bankar dhe kërkesat rregullatore për kapital, të cilat u konsideruan përgjithësisht në përputhje me legjislacionin e BE-së, në kontekstin SEPA.

DSC 7715 498x332

Një nga pikat më delikate në aplikim është pajtueshmëria ligjore në drejtim të masave për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftës kundër financimit të terrorizmit. Dalja e Shqipërisë nga “lista gri” vitin e kaluar, hoqi një barrierë që pengonte plotësimin e kritereve për aplikim. Legjislacioni ynë në fushën e pastrimit të parave vlerësohet përgjithësisht në përputhje me acquis, ndonëse ka ende vend për ndryshime ligjore. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me kolegë të Agjencisë së Inteligjencës Financiare për të diskutuar adresimin e tyre të cilat do të mbështesin suksesin e aplikimit të Shqipërisë. 

Megjithatë, më lejoni të theksoj se në këtë drejtim, një përfitim i rëndësishëm që vlerësohet se do të sjellë anëtarësimi në SEPA, krahas formalizimit të ekonomisë, është dhe mundësia e një zbatimi më rigoroz të parandalimit të pastrimit të parave. Më konkretisht, shkurtimi i ciklit të pagesave dhe përfshirja e më pak aktorëve në këtë proces krijojnë mundësinë e një monitorimi më efektiv nga ana e organeve ligjzbatuese. Për më tepër, praktikat dhe standardet e funksionimit të skemave SEPA, për shkak të një standardi komunikim më të avancuar (ISO 20022), krijojnë parakushtet e nevojshme që monitorimi i transaksioneve të bëhet më efikas.

Aspekte të tjera ligjore pjesë e kushteve për të qenë pjesëmarrës në SEPA lidhen me: mbrojtjen e konkurrencës, mbrojtjen e të dhënave personale, lëvizjen e lirë të kapitalit, trajtimet tatimore sipas standardeve ndërkombëtare, të drejtat ndërkombëtare private etj. Vlerësimet e autoriteteve përgjegjëse, të mbështetura edhe nga përfundimet e takimeve në screening, tregojnë se legjislacioni ynë është i përafruar mjaftueshëm me acquis, sa i përket SEPA-s.

Aplikimi i Shqipërisë do të shqyrtohet nga Këshilli Evropian i Pagesave, i cili është administratori i skemave SEPA, si dhe nga Komisioni Evropian. Ky i fundit, duhet të japë dakordësinë për pranimin në zonën gjeografike SEPA në kontekstin e integrimit të vendeve joanëtare me tregun evropian, bazuar në rregulla dhe standarde të njëjta.  

Përtej rëndësisë politike në kuadër të integrimit evropian të vendit, pjesëmarrja në SEPA ka një sërë përfitimesh të konsiderueshme për konsumatorin, bizneset dhe ekonominë shqiptare.

Së pari, ajo ofron pagesa ndërkufitare në Euro me të njëjtat kosto si ato brenda vendit. Kjo përkthehet në pagesa më të lira dhe më të shpejta me vendet e anëtare të SEPA-s. Aktualisht transfertat dhe pagesat me vendet e BE-së dhe anasjelltas kryen nëpërmjet bankave korrespondente - një kanal i kushtueshëm dhe jo efikas ky, në terma të kohës së ekzekutimit të transaksionit, monitorimit e finalizimit të tij, transparencës së kushteve të punës dhe mbrojtjes së konsumatorit. Me kryerjen e transfertave nëpërmjet SEPA-s, kostoja e pagesave ndërkufitare në Euro me vendet anëtare është minimalisht 5 herë më e ulët. Kjo do të ketë ndikim domethënës, duke pasur parasysh që pjesa më e madhe e transaksioneve financiare ndërkufitare kryhet me vendet e BE-së - rreth 58% e tregtisë së mallrave. Njëkohësisht, këto vende sigurojnë mbi gjysmën e stokut të Investimeve të Huaja Direkte.

Përfitimet ekonomike nga kryerja e pagesave me efikasitet më të lartë sa i përket kostove, kohës dhe sigurisë janë të mëdha dhe, sipas vlerësimeve tona paraprake, mund të arrijnë deri në 20 milionë euro në vitin e parë, për t’u rritur në mënyrë progresive në vijim. Më konkretisht, duke u bazuar në eksperiencën e sistemit AIPS Euro - nëpërmjet të cilit Banka e Shqipërisë që nga fillim i operimit në janar të vitit 2022, i ka kursyer tregut shqiptar rreth 50 milionë euro - vlerësohet se impakti i anëtarësimit në SEPA do jetë dhe më i gjerë. 

Në parim, të dy projektet synojnë të reduktojnë komisionet e pagesave, megjithatë AIPS Euro ka si fokus pagesat në Euro brenda vendit, ndërkohë SEPA do të ndikojë pagesat ndërkufitare. Në këtë këndvështrim, duke qenë se volumet e transaksioneve ndërkufitare janë shumëfish i atyre vendase për shkak të turizmit, tregtisë dhe ndërveprimit të ngushtë që kanë qytetarët evropianë dhe ata shqiptarë, baza e impaktit është shumë më e gjerë dhe adreson komisionet e larta që aplikoheshin për këto lloje pagesash nga bankat.

Së dyti, lehtësimi i kryerjes së pagesave ndërkufitare me partnerin tregtar kryesor të Shqipërisë, BE-në, nxit zgjerimin e më tejshëm të marrëdhënieve tregtare me të. Duke lehtësuar kryerjen e transaksioneve, bizneset shqiptare kanë akses në një treg të madh me mundësi për zgjerimin e shërbimeve dhe produkteve dhe rritjen e konkurrencës, duke i siguruar partnerët evropianë se do të marrin të njëjtin trajtim si brenda BE-së.

Së treti, pothuajse të gjitha dërgesat e emigrantëve vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar – edhe kjo e fundit anëtare e SEPA-s. Lehtësitë që sjell SEPA do të nxisin përdorimin e kanaleve zyrtare për transfertat e remitancave, përpos rritjes së vlerës së kursimeve.

Së katërti, pjesëmarrja në SEPA nxit ngritjen e një sistemi pagesash eficient dhe të besueshëm për vende të vogla si Shqipëria. Si rregullator i tregut të pagesave, ky është një objektiv i dëshiruar për Bankën e Shqipërisë. Nëpërmjet standardizimit të pagesave ndërkufitare dhe përdorimit të një teknologjie të përparuar, bëhet i mundur zhvillimi i një tregu pagesash më bashkëkohor, në përputhje me politikat evropiane. Ai ndihmon konkurrencën në tregun e pagesave me vlerë të vogël, si dhe transparencën dhe besueshmërinë e produkteve që i ofrohen publikut për pagesat ndërkufitare.

Së fundi, përdorimi i pagesave SEPA pritet të sjellë ndryshime pozitive në sjelljen e kompanive shqiptare dhe të individëve, sa i përket mënyrave të kryerjes së pagesave elektronike (cashless). Ai shërben si instrument edukues dhe mbështet zgjerimin e përfshirjes financiare të popullatës.

Edhe pas dorëzimit të aplikimit, Banka e Shqipërisë ka vijuar punën për plotësimin e kuadrit rregullator dhe krijimin e kushteve teknike në dobi të procesit. Aktualisht, së bashku me institucionet përkatëse, po shqyrtojmë mundësinë për të prezantuar disa ndryshime në kuadrin rregullator që lidhen me zbatimin e Ligjit për Shërbimet e Pagesave dhe të masave për parandalimin e pastrimit të parave gjatë kryerjes së transfertave ndërkufitare. Këto ndryshime reflektojnë rregulloret e reja të Bashkimit Evropian që kanë hyrë në fuqi së fundmi ose do të hyjnë në fuqi në muajt në vijim, dhe janë relevante në kontekstin e pjesëmarrjes në SEPA.

Me miratimin e përfshirjes së Shqipërisë në zonën SEPA, institucionet tona të pagesave duhet të anëtarësohen individualisht për të marrë pjesë në skemat e saj. Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë disa iniciativa në drejtim të zhvillimeve infrastrukturore, me qëllim lehtësimin e anëtarësimit. Këtu vlen të përmend projektin për përmirësimin e sistemeve tona të pagesave, duke synuar, ndër të tjera, përafrimin e mëtejshëm me standardet e komunikimit ISO 20022 dhe rregullat e funksionimit të SEPA-s për transaksionet brenda vendit. Zbatimi i këtyre standardeve dhe rregullave është parakusht i nevojshëm për kriteret teknike të këtij tregu, në momentin që institucionet tona të pagesave do të anëtarësohen në skema. Parapërgatitja e tregut, duke i bërë të detyrueshme këto standarde për pagesat brenda vendit, vlerësohet se do të ndihmojë ndjeshëm aktorët e tij të jenë të mirëpërgatitur për anëtarësimin në SEPA. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë është në kontakte të vazhdueshme me Shoqatën Shqiptare të Bankave për t’i mbështetur dhe për t’i orientuar bankat në përgatitjet e infrastrukturës së nevojshme. Sikurse e përmenda më sipër, pas marrjes së miratimit për përfshirjen e Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA, bankat kanë një kohë - në gjykimin tonë - të arsyeshme për të përgatitur kushtet teknike që të kryejnë transferta SEPA. Megjithatë, dua të theksoj se fakti që një pjesë e bankave janë me origjinë nga banka panevropiane, ndihmon në tranzicionin e shpejtë dhe efektiv drejt përdorimit të skemave.

Një projekt tjetër mjaft i rëndësishëm i lidhur me SEPA-n, por dhe me tregun e brendshëm të pagesave, është ai i zbatimit të infrastrukturës për pagesat e shpejta. Në arenën ndërkombëtare po evidentohet gjithnjë e më shumë rëndësia e sistemeve që mundësojnë transferime të fondeve 24 orë çdo ditë të javës (24/7), duke përdorur mënyra inovative jo vetëm për tregun vendas, por edhe përmes ndërlidhjeve të synuara për pagesat ndërkufitare. Pagesat e shpejta lehtësojnë tregtinë ndërkufitare, rrisin konkurrencën dhe reduktojnë kostot. Për arritjen e këtij projekti të nisur vite më parë, janë kryer analiza bazuar në nevojat e tregut vendas, por dhe në ndërlidhjet me vendet e rajonit dhe Bashkimin Evropian. Aktualisht jemi në komunikim me Bankën e Italisë për të adoptuar një sistem që do të jetë identik me sistemin e pagesave të shpejta që operon Banka Qendrore Evropiane. Në këtë mënyrë, sistemi që synojmë të adoptojmë do të jetë në përputhje me SEPA-n dhe me sistemet e tjera që operojnë në BE.

Në përfundim të kësaj fjale, shpreh dhe njëherë angazhimin maksimal të Bankës së Shqipërisë për të vijuar bashkëpunimin me institucionet e tjera për realizimin me sukses të këtij objektivi kombëtar. Banka e Shqipërisë, si ent rregullator, do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbështetur anëtarësimin e institucioneve shqiptare të pagesave në SEPA dhe integrimin e tyre në tregjet evropiane.