BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Masa dypalëshe ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Bankës së Spanjës

Data e publikimit: 01.10.2024

 

Faza II e Programit Rajonal të financuar nga Bashkimi Evropian (BE) për Forcimin e Kapaciteteve  të Bankave Qendrore në Ballkanin Perëndimor synon forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve  institucionale të institucioneve përfituese, kryesisht përmes përmirësimit të instrumenteve  të tyre analitike dhe politike, nëpërmjet përvetësimit të standardeve më të mira ndërkombëtare dhe evropiane në praktikat kombëtare. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë (BSh) shprehu interesin e saj për rishikimin e Shërbimit Juridik. Banka e Spanjës (Banco de España) u ofrua për të mbështetur Departamentin Juridik të BSh-së për të kuptuar dhe përcaktuar më mirë rolin e tij brenda institucionit.

Foto BM 1.5 legal services

Një vizitë studimore dhe një mision ekspertësh u zhvilluan në muajin maj dhe shtator të vitit 2023. Ato u drejtuan nga tri ekspertë të Bankës së Shqipërisë që morën pjesë në takimet e organizuara nga Banka e Spanjës në selinë kryesore të saj dhe tri ekspertë nga Banka e Spanjës të cilët erdhën në Tiranë për takimet vijuese me BSh-në.

Qëllimi kryesor i misioneve ishte shkëmbimi i përvojave të Departamenteve për sa i përket përbërjes dhe ofrimit të shërbimit juridik në bankat qendrore. Fokusi i diskutimeve ishte mënyra si të dy bankat qendrore kanë strukturuar departamentet e tyre juridikë dhe si organizojnë punën e tyre, sfidat që hasin në ofrimin e shërbimit juridik duke qenë pjesë e bankës qendrore dhe si t’i adresojnë më mirë këto sfida bazuar në eksperiencat e tyre.

Njohuritë e përfituara nga bashkëpunimi me ekspertët e Bankës së Spanjës, të cilët ndanë njohuritë, përvojën dhe praktikat e tyre, ishin me rëndësi të veçantë për Bankën e Shqipërisë në kuadër të përmirësimit të instrumenteve dhe cilësisë së shërbimit juridik.