Masa dypalëshe ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Kombëtare të Kroacisë
Në kuadër të Fazës II të Programit Rajonal të financuar nga Bashkimi Evropian (BE) për Forcimin e Kapaciteteve të Bankave Qendrore në Ballkanin Perëndimor, me qëllim integrimin në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore, Banka e Shqipërisë (BSh) prezantoi masën bilaterale të politikës kontabël në përputhje me udhëzimet e Bankës Qendrore Evropiane (BQE) mbi kornizën ligjore për kontabilitetin dhe raportimin financiar në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ).
Misioni i parë i ekspertëve për masën dypalëshe u zhvillua në fund të shtatorit - fillim të tetorit dhe u drejtua nga z. Mario Varovic, Drejtor i Departamentit të Financës dhe Kontabilitetit në Bankën Kombëtare të Kroacisë. Qëllimi kryesor i misionit ishte shkëmbimi dhe rritja e njohurive mbi rregulloret e Bankës Qendrore Evropiane duke ofruar shembuj praktikë të zbatimit të politikave kontabël dhe sfidat që do të dalin para në raportimin financiar pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Disa nga fushat e mbuluara nga ky mision përfshijnë kornizën e kontabilitetit dhe raportimit të Eurosistem-it, udhëzimet mbi kontabilitetin, rregullat e vlerësimit dhe ndryshimet kryesore krahasuar me SNRF-në (Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar). Gjatë misionit, u paraqitën ndryshimet e reflektuara në Ligjin për Bankën Kombëtare të Kroacisë (ligji) pas anëtarësimit të saj në Eurozonë, si dhe shembuj praktikë të aplikacioneve të përdorura dhe të proceseve të ndjekura në punën e tyre të përditshme.
Ky mision do të pasohet nga një tjetër mision ekspertësh i planifikuar për t’u zhvilluar në prill 2025 si dhe nga një vizitë studimore në maj 2025. Njohuritë dhe përvoja e ndarë nga ekspertët e Bankës Kombëtare të Kroacisë janë shumë të rëndësishme në procesin përgatitor për të kuptuar zbatimin e rregullave të përcaktuara në “Udhëzimet e Kontabilitetit të Bankave Qendrore Evropiane, ndryshimet e nevojshme në Ligj, procedurat dhe proceset në kuadrin e integrimit të Bankës së Shqipërisë në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore.