Çfarë është SEPA?
SEPA[1] është iniciativë e Bashkimit Evropian, e cila u mundëson individëve dhe bizneseve të bëjnë pagesa elektronike në Euro, në mënyrë të sigurt, të lehtë, dhe efikase, duke ndjekur rregulla të njëjta ndërmjet vendeve anëtare. Megjithatë, sot zona gjeografike SEPA shtrihet edhe jashtë vendeve të BE-së.
Në mbledhjen e datës 21 nëntor 2024, Bordi i Këshillit Evropian të Pagesave mori vendimin të miratojë kërkesën e Shqipërisë dhe të Malit të Zi për anëtarësim e tyre në zonën gjeografike SEPA.
Kështu, Shqipëria u bë pjesë e grupit të parë të vendeve të Ballkanit Perëndimor që i bashkohet SEPA-s, si një parakusht për anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian. Ky vendim shënon një hap shumë të rëndësishëm, jo vetëm për integrimin e tregut tonë financiar me atë evropian, por edhe të ekonomisë sonë, pa qenë ende anëtar i Bashkimit Evropian.
Krahas kontekstit të integrimit evropian, përfitimet e Shqipërisë nga pjesëmarrja në SEPA për qytetarët dhe ekonominë janë të shumëfishta. Ulja e kostove është përfitimi i parë, më i prekshëm dhe i matshëm për të gjithë qytetarët dhe bizneset shqiptare. Me kryerjen e transfertave nëpërmjet SEPA-s, kostoja e pagesave ndërkufitare në Euro me vendet anëtare të skemës vlerësohet se do të jetë minimalisht 5 herë më e ulët. Sipas vlerësimeve tona paraprake, kursimi për ekonominë shqiptare mund të jetë të paktën 20 milionë euro në vitin e parë, për t’u rritur në mënyrë progresive në vijim. Njëkohësisht, ulet koha e kryerjes së pagesave dhe rritet konkurrenca nëpërmjet prezantimit të produkteve dhe shërbimeve moderne dhe të sigurta.
Në nivel kombëtar, ky anëtarësim nxit përfshirjen financiare, redukton përdorimin e parasë fizike, zgjeron produktet dhe shërbimet e pagesave, si dhe nxit zhvillimin e teknologjisë financiare. Ndërsa në nivel ndërkufitar, ai nxit ndërveprimin tregtar dhe lëvizjen e flukseve monetare me Bashkimin Evropian. BE-ja është partneri tregtar kryesor i Shqipërisë, ku rreth 60% e tregtisë kryhet me vendet anëtare të saj dhe krijimi i lehtësirave financiare është domethënës për zgjerimin e shkëmbimeve tregtare. Gjithashtu, pjesëmarrja në SEPA iu ofron bizneseve shqiptare qasje në tregun evropian prej 450 milionë banorësh, duke iu ofruar mundësi për zgjerimin e aktivitetit të tyre, rritjen e konkurrencës dhe përfitimin e risive.
[1] Single Euro Payments Area – Zona Unike e Pagesave në Euro