Prof.Dr. Artan Hoxha
Prof. Dr. Artan Hoxha është anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë që prej muajit dhjetor të vitit 2018.
Prof. Dr. Artan Hoxha ka përfunduar studimet e larta për drejtësi në Universitetin e Tiranës, në vitin 1983 dhe ato pasuniversitare për Konventat e Këshillit të Evropës në fushën penale në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Leidenit, Hollandë, në vitin 1995. Mban titullin “Profesor” që prej vitit 2015.
Aktualisht, është Dekan i Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, që prej vitit 2016.
Z. Hoxha e ka filluar karrierën e tij profesionale si Prokuror Sektori në Prokurorinë e Rrethit Lushnjë dhe më pas është emëruar Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Gjatë periudhës 1992 - 1994, ka shërbyer si Specialist në Drejtorinë e Kodifikimit, në Ministrinë e Drejtësisë dhe në vitet 1997 - 1999 si Drejtor i kësaj Drejtorie. Më pas, në periudhën 1999 - 2008 ka qenë Gjyqtar në Gjykatën e Lartë.
Që prej vitit1997, ai është pedagog i jashtëm në Shkollën e Magjistraturës dhe që prej vitit 1998 pedagog i lëndës “E drejta procedurale penale” në Fakultetin e Drejtësisë.
Gjatë karrierës së tij profesionale, ka qenë anëtar i disa grupeve të punës dhe komiteteve për zhvillimin e legjislacionit në Shqipëri. Më konkretisht, ka qenë anëtar i grupit të punës për hartimin e Kodit të Procedurës Penale (1992 - 1994), anëtar i Komisionit të Reformave Ligjore dhe Institucionale të ngritur pranë Ministrisë së Drejtësisë (2004 - 2006), Kryetar i Komisionit për Ndihmë Legjislative të Konferencës Gjyqësore Kombëtare (2001 - 2008), Anëtar i Komitetit të Ekspertëve për Operimin e Konventave Evropiane në Fushën Penale (1997 - 2003).
Nga viti 2004, ai është Ekspert i Këshillit të Evropës në fushën penale dhe të pushtetit gjyqësor për trajnime brenda dhe jashtë vendit.
Ai është autor i një sërë monografish dhe artikujsh studimorë si dhe bashkautor i Komentarit për Procedurën Penale të Republikës së Shqipërisë.