Prof. Asoc. Dr. Edlira LUÇI
Prof. Asoc. Dr. Edlira Luçi është anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë që prej muajit dhjetor të vitit 2018.
Prof. Asoc. Dr. Edlira Luçi ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Ekonomisë dhe të Tregtisë pranë Universitetit të Barit në Itali, në vitin 1997. Më pas, studimet pasuniversitare i vijoi në Fakultetin e Ekonomisë pranë Universitetin e Tiranës, të cilat i përfundoi në vitin 2001. Mban titull “Profesor i Asociuar” që prej vitit 2011.
Karrierën e saj profesionale e ka filluar si lektore në Departamentin e Financës, Fakulteti Ekonomisë i Universitetit të Tiranës, që prej vitit 1998 dhe aktualisht është lektore e disa lëndëve të këtij Fakulteti si: Investimet, Teoria Moderne e Investimeve, Këshillimi dhe Vendimmarrja Financiare.
Që prej vitit 2012, ajo është drejtuese e Departamentit të Financës, Fakulteti i Ekonomisë i Universitetit të Tiranës. Njëkohësisht, ka qenë anëtare dhe vijon të jetë pjesë e bordeve drejtuese të institucioneve të ndryshme financiare si: Agjencia e Sigurimit të Depozitave, Agjencia e Trajtimit të Kredive, etj.
Gjatë karrierës së saj të gjatë akademike, zj. Luçi ka shërbyer si udhëheqëse e shumë temave universitare dhe pasuniversitare që hulumtojnë aspekte të ndryshme të zhvillimit ekonomik. Ajo është autore e shumë artikujve, kumtesave e studimeve - ndër to monografia “Portofoli i shoqërive financiare” - si dhe bashkautore e disa teksteve mësimore.
Ka marrë pjesë në aktivitete të shumta akademike në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare me studime të fokusuara në fushën e investimeve, pensioneve, etj. Gjithashtu ka organizuar dhe koordinuar projekte të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, me objekt zhvillimin ekonomik të vendit.