Prof. Dr. Luljeta Minxhozi - Zëvendësguvernatore e Parë

photo LM

Prof. Dr. Luljeta Minxhozi mban pozicionin e Zëvendësguvernatorit të Parë të Bankës së Shqipërisë që nga data 9 janar 2019, dhe është anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë që prej muajit dhjetor të vitit 2018.

Në vitin 1982, nis karrierën akademike si pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, pasuruar më tej me eksperienca në universitete të ndryshme, ku veçojmë pozicionin e Dekanes së Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin Europian të Tiranës, për periudhën 2008-2018, dhe pozicionin e Zëvendësrektores në Kolegjin Universitar “Luarasi”, në vitin 2018.

 

Gjatë eksperiencës së saj të gjatë akademike, Prof. Dr. Minxhozi është angazhuar si pedagoge titullare në lëndë të ndryshme të fushës ekonomike dhe financiare në një sërë universitetesh, brenda dhe jashtë vendit, dhe është autore e shumë studimeve të karakterit ekonomik, artikujve shkencorë, botimeve akademike, teksteve universitare dhe monografive, duke bërë që bibliografia e punimeve të saj të jetë mjaft e pasur.

Ajo ka mbajtur një sërë leksionesh dhe referatesh në konferenca kombëtare e ndërkombëtare, duke dhënë kontributin e saj në zhvillimin e debatit akademik dhe ekonomik.