Funksionet dhe detyrat
Në bazë të ligjit, Këshilli Mbikëqyrës ka kompetencat e mëposhtme:
-
Të miratojë politikën monetare të Republikës së Shqipërisë, duke përcaktuar kufijtë e operacioneve të Bankës së Shqipërisë në treg të hapur, përqindjen e interesave për depozitat në Bankën e Shqipërisë dhe për skontimet dhe huatë ose kreditë e Bankës së Shqipërisë, si dhe të rezervave dhe nivelit të rezervave të detyrueshme që bankat e nivelit të dytë duhet të mbajnë në Bankën e Shqipërisë;
-
të vendosë mbi regjimin dhe politikën e këmbimeve valutore të Republikës së Shqipërisë, si dhe të miratojë procedurat që përdoren për përcaktimin e vlerës së lekut në raport me valutat e huaja;
-
të miratojë të gjitha vendimet, rregulloret dhe udhëzimet me zbatim të përgjithshëm, që nxirren nga Banka e Shqipërisë;
-
të miratojë të gjitha raportet dhe rekomandimet që Banka e Shqipërisë i paraqet Kuvendit Popullor ose Këshillit të Ministrave;
-
të përcaktojë vlerën nominale, prerjet dhe konfigurimin e kartëmonedhave dhe monedhave, si dhe kushtet e tërheqjes nga qarkullimi;
-
të miratojë kreditë ose huatë e Bankës së Shqipërisë për Qeverinë e Republikës së Shqipërisë;
-
të miratojë dhe revokojë dhënien e miratimeve paraprake dhe të licencave për ushtrimin e veprimtarisë bankare.
-
të miratojë skontimin e instrumenteve me maturitet mbi tre muaj nga data e blerjes nga Banka e Shqipërisë, në zbatim të nenit 32; me pëlqimin e të paktën tre të pestave të anëtarëve të pranishëm të miratojë çdo kredi, hua apo detyrim tjetër të kushtëzuar të Bankës së Shqipërisë për një bankë në zbatim të nenit 16;
-
të miratojë statutin dhe rregulloret e brendshme të Bankës së Shqipërisë;
-
të vendosë mbi politikat e administrimit në përgjithësi, si dhe të përcaktojë mënyrat ose procedurat e përdorimit të mjeteve financiare për realizimin e veprimtarisë operative të Bankës së Shqipërisë;
-
të përcaktojë strukturën organizative të Bankës së Shqipërisë;
-
të miratojë emërimet e drejtuesve të departamenteve në Bankën e Shqipërisë, të përcaktojë në përgjithësi kushtet e marrëdhënieve të punësimit në Bankën e Shqipërisë të agjentëve dhe korrespondentëve të Bankës së Shqipërisë;
-
të vendosë për hapjen dhe mbylljen e filialeve, degëve ose agjencive të Bankës së Shqipërisë;
-
të vendosë mbi buxhetin e Bankës së Shqipërisë;
-
të propozojë rritje të kapitalit të Bankës së Shqipërisë dhe të vendosë mbi fondin e veçantë rezervë të Bankës së Shqipërisë, të vendosë mbi të ardhurat neto të Bankës së Shqipërisë, si dhe mbi masën e të ardhurave neto që do të transferohet në rezervë;
-
të miratojë raportet vjetore dhe raportet financiare të Bankës së Shqipërisë;
-
të përcaktojë letrat me vlerë të borxhit që do të trajtohen si instrumente të përshtatshme për investime nga Banka e Shqipërisë;
-
të vendosë mbi politikat dhe mënyrën e administrimit të rezervës valutore.