Ndërtesat e Bankës së Shqipërisë
Si një nga institucionet më të rëndësishme në vend, Banka e Shqipërisë mbart në vetvete aspiratën për të qenë në lartësinë e simotrave të saj evropiane, çka mund të përmbushet edhe nëpërmjet një standardi të lartë infrastrukture dhe teknologjie.
Selia qendrore e Bankës së Shqipërisë gjendet në Tiranë. Ajo ka 5 degë në rrethet Shkodër, Elbasan, Gjirokastër, Korçë, Lushnjë, si dhe Qendrën e saj Kërkimore në Berat.
Më 30 tetor 2015, Banka e Shqipërisë organizoi ceremoninë e inaugurimit të ndërtesës së selisë qendrore të saj të rikonstruktuar, e cila përkoi dhe me hapjen për herë të parë të Muzeut të Bankës së Shqipërisë.
Projekti i rikonstruksionit të Bankës së Shqipërisë mundësoi krijimin e një mjedisi me kushte më të mira e bashkëkohore pune, si dhe mundësoi ndarjen administrative të funksioneve të Bankës së Shqipërisë. Në fakt, projekti i ri plotëson jo vetëm kërkesat administrative të Bankës, por lehtëson komunikimin e saj me publikun e gjerë, duke krijuar një marrëdhënie më të plotë dhe më transparente me publikun.