INFORMACION I PËRGJITHSHËM MBI BASHKIMIN EVROPIAN DHE PROCESIN E INTEGRIMIT EVROPIAN 

1. Çfarë është Bashkimi Evropian?

Bashkimi Evropian (BE) është një bashkim i 27-të vendeve anëtare, i krijuar me qëllim përforcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe social. Themeluar nga Traktati i Bashkimit Evropian (Traktati i Mastrihtit), në vitin 1993, BE-ja ishte më shumë se thjesht një integrim ekonomik. Koncepti qe Traktati i Mastrihtit, dhe me pas ai i Amsterdamit dhe i Nicës i dha Komunitetit mund të përshkruhet duke përdorur strukturën 3-shtyllore të mëposhtme. 
     
Pra, Bashkimi Evropian që njohim sot është ndërthurje e disa Komuniteteve të ngritura më parë që janë: Komuniteti Evropian i Karbonit dhe Çelikut, i themeluar në vitin 1951; Komuniteti Evropian Ekonomik (emërtuar Komuniteti Evropian në vitin 1993) i themeluar në vitin 1957 dhe; Komuniteti Evropian i Energjisë Atomike (Euratom), i themeluar në 1957. Shpesh, ato referoheshin më thjesht si "Komuniteti" ose "Komunitetet", por tashme pas miratimit te Traktatit te Lisbonës emërtimi i përdorur është Bashkimi Evropian.

 
Nr.
Viti i hyrjes
Shteti Anëtar
1

1957

Shtetet anëtare themeluese (që janë pjesë e Komunitetit Evropian të Karbonit dhe Çelikut):  Belgjika, Franca, Gjermania, Italia, Luksemburgu dhe Holanda

2

1973

Danimarka, Irlanda dhe Mbretëria e Bashkuar 

3

1981

Greqia

4

1986

Portugalia dhe Spanja

5

1995

Austria, Finlanda, Suedia

6

2004

Qipro, Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Malta, Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia

7

2007

Rumania dhe Bullgaria

 

1.1 Zhvillimi i BE-së nëpërmjet Traktateve

Projekti i BE-së është zhvilluar nëpërmjet shumë iniciativave dhe instrumenteve ligjore.  Më poshtë është paraqitur një përmbledhje e akteve ligjore kryesore mbi të cilat bazohet Bashkimi Evropian. Traktatet janë themelet e BE-së. Ato gjithashtu përcaktojnë rregullat dhe procedurat që institucionet e BE-së duhet të ndjekin. Traktatet krijojnë një rend të ri kushtetues, mbi të cilin institucionet bazohen për funksionimin e tyre.

Viti
Traktati
Komente
1952

Traktati themelues i Komunitetit Evropian të Karbonit dhe Çelikut

Themelohet Komuniteti Evropian i Karbonit dhe Çelikut (ECSC)

1957

Traktati i  Romës (njihet  edhe si Traktati i BE-së)

Themelohet KEE-ja dhe Euratom
Nënshkruhet Traktati themelues i Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike,
njëkohësisht më atë themelues të Komunitetit Ekonomik Evropian dhe që të dy bashkë njihen si Traktatet e Romës

1965

Traktati i Bashkimit

krijohet një Komision dhe një Këshill i Vetëm për të tre Komunitetet Evropiane

1987

Akti Unik Evropian (AUE)

Bëhen përshtatje më Traktatin e KE-së me qëllim arritjen e Tregut të Brendshëm

1993

Traktati mbi Bashkimin Evropian (njihet edhe si Traktati i Mastrihtit)

Krijohet Bashkimi Evropian
Traktati i Mastrihtit ndryshoi emrin nga Komuniteti Ekonomik Evropian në Komunitet Evropiane. 
Miratohen forma të reja bashkëpunimi midis qeverive të Shteteve Anëtare mbi politikën e jashtme dhe të sigurisë dhe në fushën e "çështjeve të brendshme dhe drejtësisë".
Me shtimin e këtij bashkëpunimi ndër-qeveritar, Traktati i Mastrihtit krijon një strukturë të re me tre shtylla, si në aspektin politik edhe ekonomik. Ky është Bashkimi Evropian (BE).

1999

Traktati i Amsterdamit

Ndryshohen dhe rinumërtohen traktatet e BE-së dhe të KE-së

2003

Traktati i Nicës

Pas zgjerimit në 25 Shtete Anëtare, reformohen institucionet me qëllim që Bashkimi të mund të funksionojë në mënyrë eficiente.
Traktati i Nicës, Traktati i Bashkimit Evropian dhe Traktati i Romës  bashkohen në një instrument të vetëm të konsoliduar.

2009

Traktati i Lisbonës

Ky traktat e bën BE-në:
Më eficiente: procese më të thjeshta, president i përhershëm i Këshillit
Më demokratike: rol më të përforcuar për Parlamentin Evropian dhe parlamentet kombëtare, "Iniciativa e Qytetarëve",
Kapitulli i të Drejtave Themelore
Më transparente: qartëson rolet përkatëse, akses publik më të gjerë në dokumentacion dhe në takime
Më të bashkuar në arenën botërore: Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme
Më të sigurt: Mundësi të reja për të luftuar terrorizmin, ndryshimet klimaterike, dhe sigurimin e energjisë

 

1.2 Institucionet Evropiane

Institucionet e BE-së nuk janë të organizuara sipas ndarjes tradicionale qeverisëse: legjislative, ekzekutive, gjyqësore dhe administrative. Në vend të kësaj, funksionet e ndryshme janë bashkërenduar.  Institucionet e BE-së, si Komisioni Evropian, Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian, bashkërisht hartojnë dhe miratojnë politika dhe ligje që zbatohen në të gjithë BE-në. Kështu, vetëm Komisioni ka të drejtën të propozojë ligje të reja, ndërsa Parlamenti dhe Këshilli i miraton ato. Kompetencat dhe përgjegjësitë e këtyre institucioneve përcaktohen në traktatet përkatëse.


1.2.1 Komisioni Evropian

Organi kryesor i Komisionit është Kolegji i Komisionerëve, i përbërë nga 27 anëtarë. Çdo Shtet Anëtar zgjedh një Komisioner për një periudhë 5 vjeçare. Komisioni është organ i pavarur ndaj qeverive të vendeve anëtare dhe përfaqëson dhe mbron interesat e Bashkimit si i tërë. Komisioni është mbrojtësi i Traktateve dhe mund të ndërmarrë veprime kundrejt Shteteve Anëtare me qëllim përmbushjen e interesave të Komunitetit.
Detyrat kryesore të Komisionit janë: 

  • E drejta e nismës për hartimin e legjislacionit: çdo vendim ligjor i marrë nga Këshilli duhet të bazohet në një propozim të Komisionit. Gjithashtu, Komisioni përgatit çdo vit planin legjislativ; 
  • Mbrojtës i Traktateve: Komisioni është përgjegjës për monitorimin e procesit të zbatimit të dispozitave të Traktateve dhe legjislacionit dhe për këtë mund të apelojë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë kur identifikohen shkelje të ndryshme; 
  • Autoritet ekzekutiv për zbatimin e politikave Komunitare: Kjo përfshin administrimin e financave si dhe zbatimin e politikave të BE-së.


1.2.2 Parlamenti Evropian

Parlamenti Evropian është institucion shumëkombësh i përbërë nga 785 deputetë. Zgjedhjet mbahen çdo pesë vjet dhe çdo shtetas i BE-së i regjistruar si votues, ka të drejtën e votës.  Parlamenti shpreh vullnetin demokratik të qytetarëve të BE-së (më shumë se 496 milionë persona) dhe përfaqëson interesat e tyre përkundrejt institucioneve të tjera të BE-së. Deputetët e Parlamentit Evropian ndahen në 7 grupe politike evropiane. Kjo ndarje nuk bazohet mbi kombësinë.
Detyrat kryesore të Parlamentit janë:

  • shqyrton dhe miraton legjislacionin evropian (sipas procedurës së bashkë-vendimit, Parlamenti e bashkëndan këtë pushtet në mënyrë të barabartë me Këshillin e BE-së);
  • miraton buxhetin e BE-së;
  • ushtron kontroll demokratik mbi institucionet e tjera të BE-së duke ngritur komisione hetimore;
  • miraton marrëveshje ndërkombëtare të rëndësishme si anëtarësimi i ndonjë vendi në BE dhe marrëveshjet e tregtisë dhe asociimit midis BE-së dhe vendeve të tjera.
     

1.2.3 Këshilli i BE-së

Bashkë me Parlamentin Evropian, Këshilli është organi përgjegjës për miratimin e ligjeve të propozuara nga Komisioni. Ai përbëhet nga një anëtar për çdo Shtet Anëtar. Presidenca e Këshillit ndërrohet çdo gjashtë muaj, në mënyrë që një Shtet Anëtar i vetëm të mos ketë shumë ndikim në procesin e përzgjedhjes së politikave Komunitare. Takimet e Këshillit rregullohen në bazë të çështjeve për t'u diskutuar, gjatë të cilave mblidhen ministrat përkatës të Shteteve Anëtare. Gjithashtu, në këto takime merr pjesë edhe anëtari i Komisionit Evropian që është përgjegjës për çështjet që do të diskutohen në Këshill. Gjithashtu, Këshilli ka në dispozicion një sërë nën-komitetesh dhe grupe pune. Sipas çështjes për të cilën diskutohet Këshilli vendos me unanimitet, shumicë të kualifikuar, ose shumicë të thjeshtë. Shumica e kualifikuar arrihet me 255 vota nga 345 në total, duke përfaqësuar shumicën e Shteteve Anëtare. Më tej, një Shtet Anëtar mund të kërkojë një verifikim nëse shumica e kualifikuar përfaqëson të paktën 62% të popullsisë totale të Bashkimit.

  1. Këshilli i Çështjeve Ekonomike dhe Financiare
    Këshilli i Çështjeve Ekonomike dhe Financiare (ECOFIN) përbëhet nga ministrat e ekonomisë dhe financave të Shteteve Anëtare (në rast se diskutohen çështje të lidhura me buxhetin, atëherë thirren edhe ministrat përgjegjës për buxhetin). ECOFIN-i trajton shumë çështje duke përfshirë: koordinimin e politikave ekonomike, mbikëqyrjen ekonomike, monitorimin e politikave të buxhetit të ndjekura nga Shtetet Anëtare dhe financat publike, monedhën euro (aspekte ligjore, praktike dhe ndërkombëtare), tregjet financiare dhe lëvizjet e kapitalit si dhe marrëdhëniet ekonomike me vendet e treta. Në të vendoset kryesisht me shumicë të kualifikuar me përjashtim të çështjeve fiskale të cilat vendosen me unanimitet.
  2. Komiteti Ekonomik dhe Financiar
    Komiteti Ekonomik dhe Financiar (EFC) është një nën-komitet i Këshillit dhe përshin përfaqësues të 27-të Shteteve Anëtare të BE-së, përgjegjës për administrimin e borxhit publik " zakonisht nga zyra e borxhit, ministria e financës ose banka qendrore kur këto çështje varen nga këto struktura kombëtare. Në këtë nën-komitet, përfaqësohen edhe Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane. Nën-komiteti u krijua në dhjetor të vitit 1997, me qëllim studimin e modaliteteve për konvertimin e borxhit në fazën 3 të Bashkimit Ekonomik dhe Monetar dhe çështjeve të tjera të lidhura me titujt e qeverisë dhe ato të tregjeve në kontekstin e adoptimit të euros. Më tej, mandati i nën-komitetit ka qenë për të promovuar integrimin dhe funksionimin më të mirë të tregjeve të BE-së përsa u përket titujve të qeverisë.
  3. Komiteti i Shërbimeve Financiare
    Komiteti i Shërbimeve Financiare (FSC)  u themelua më 18 shkurt 2003 nga Këshilli ECOFIN me mandat për kryerjen e detyrave të mëposhtme: 
  • parashtron analiza ndër-strategjike në mënyrë te pavarur nga procesi legjislativ;
  • ndihmon për përcaktimin e strategjisë afatgjatë dhe afatmesme për çështjet e shërbimeve financiare;
  • shqyrton çështje sensitive afatshkurtra;
  • vlerëson progresin dhe zbatimin;
  • siguron këshillim politik dhe monitorim si për çështjet e brendshme (për shembull, tregu i përbashkët, përfshirë zbatimin e Planveprimit për Shërbimet Financiare) ashtu edhe për ato të jashtme (për shembull, Organizata Botërore e Tregtisë - OBT).
     

4. Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm

Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER) përgatit çështjet për diskutim në Këshill dhe është i përbërë nga dy nivele. COREPER II është një organ i rëndësishëm dhe përbëhet nga ambasadorët e Shteteve Anëtare në Bruksel, të cilët punojnë mbi çështjet ekonomike dhe financiare, dhe marrëdhëniet e jashtme. COREPER I përbëhet nga zëvendës ambasadorë dhe është përgjegjës për çështje si mjedisi, çështjet sociale, dhe të tregut të brendshëm. Të dy komitetet takohen të paktën çdo javë dhe zakonisht udhëzojnë grupet e punës të realizojnë punën përgatitore. Kur grupet e punës nuk arrijnë marrëveshje mbi një propozim, atëherë çështja i kalohet komitetit COREPER përkatës.

 

1.2.4 Banka Qendrore Evropiane

Banka Qendrore Evropiane (BQE) është banka qendrore për monedhën e vetme evropiane, euro. Detyra kryesore e BQE-së është të ruajë fuqinë blerëse të euros dhe, rrjedhimisht, stabilitetin e çmimeve në eurozonë. Eurozona përfshin 17 vendet e Bashkimit Evropian që kanë adoptuar euron që nga viti 1999.
Hartë interaktive e eurozonës 1999-2011

http://www.ecb.int/euro/intro/html/map.en.html


1.2.5 Komiteti Evropian i Bankave

Komiteti Evropian i Bankave u krijua në vitin 2005 nëpërmjet Vendimit të Komisionit të datës 5 nëntor 2003 si një Komitet i nivelit të dytë për të këshilluar Komisionin mbi çështjet e politikave që kanë të bëjnë me aktivitetet bankare (zëvendëson Komitetin e Këshillimit mbi Bankat). Përsa i përket fushës së bankave dhe mbikëqyrjes, BQE-ja përfaqësohet në Komitetin e Mbikëqyrësve Evropianë të Bankave, i cili është një Komitet i nivelit të tretë.


1.2.6 Komiteti Ekonomik dhe Financiar

Komiteti Ekonomik dhe Financiar (EFC) përbëhet nga përfaqësues te 27 Shteteve Anëtare, të cilët janë përgjegjës për administrimin e borxhit publik, ose përfaqësues nga, ministria e financës ose banka qendrore. Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane përfaqësohen në këtë Komitet.  


1.2.7 Komiteti Evropian i Konglomerateve Financiare

Komiteti Evropian i Konglomerateve Financiare (EFCC) është një Komitet i nivelit të dytë, i cili këshillon Komisionin Evropian mbi çështjet e politikave në lidhje me konglomeratet financiare. Komisioni Evropian miratoi Komunikimin mbi Planveprimin për Shërbimet Financiare më 11 maj 1999 dhe u miratua nga Këshilli Evropian i Lisbonës në mars të vitit 2000. Në të rekomandohen 42 masa për krijimin e një tregu të përbashkët për shërbimet financiare në Evropë. Në veçanti, ato shërbejnë si rregulla-kuadër për një treg të përbashkët me pakicë, një treg të hapur e të sigurt për shërbimet financiare me pakicë, dhe për mbikëqyrjen dhe rregullat e kujdesshme.


1.2.8 Komiteti i Shërbimeve Financiare

Komiteti i Shërbimeve Financiare (FSC) u krijua më 18 shkurt 2003 nga Këshilli ECOFIN me mandatin për të parashtruar analiza ndër-strategjike në mënyrë të pavarur nga procesi legjislativ; për të ndihmuar në përcaktimin e strategjisë afatgjatë dhe afatmesme për çështjet e shërbimeve financiare; për të konsideruar çështjet sensitive afatshkurtra; për të dhënë këshillim politik dhe mbikëqyrje si në çështjet e brendshme (p.sh. tregu i përbashkët, duke përfshirë zbatimin e Planveprimit të Shërbimeve Financiare) dhe çështjet e jashtme (p.sh. OBT-ja).


1.2.9 Gjykata Evropiane e Drejtësisë

Gjykata Evropiane e Drejtësisë (ECJ) ka një rol të ngjashëm me atë të gjykatave ekzistuese në Shtetet Anëtare. Ajo është përgjegjëse për zgjidhjen e konflikteve ligjore: midis Shteteve Anëtare;  midis BE-së dhe Shteteve Anëtare; midis institucioneve të BE-së dhe autoriteteve përkatëse, si dhe konflikteve midis qytetarëve dhe Bashkimit Evropian. Veç kësaj, gjyqtarët në Shtetet Anëtare mund t'i drejtohen Gjykatës Evropiane mbi çështje në lidhje me interpretimin e legjislacionit Komunitar. Gjykata e Shkallës së Parë u themelua në vitin 1988 pas një ndryshimi në Aktin Unik Evropian me qëllim që të shqyrtonte një pjesë të çështjeve drejtuar Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, për të lehtësuar punën e kësaj të fundit. 

 

2. Çfarë është Acquis Communautaire

Acquis Communautaire (acquis) përfshin të gjithë legjislacionin e BE-së të miratuar nga institucionet e saj. Ai ndahet në tre tipe: legjislacion parësor; legjislacion dytësor; dhe jurisprudenca. Së bashku, ato formojnë legjislacionin e BE-së, i cili duhet të adoptohet nga vendet kandidate (duke ndryshuar legjislacionin e tyre përkatës) para se të bëhen anëtare të BE-së.
Acquis është një strukturë në evoluim dhe përbëhet kryesisht nga:

  • parimet dhe objektivat politikë të Traktateve mbi të cilat bazohet BE-ja;
  • legjislacioni dhe vendimet e miratuara në përputhje me Traktatet, dhe juridiksioni i ECJ-së;
  • akte të tjera ligjore, ligjërisht të detyrueshme ose jo, të miratuara në kuadër të Bashkimit Evropian, të tilla si marrëveshjet ndër-institucionale, rezolutat, deklaratat, rekomandimet, udhëzimet;
  • aksione të përbashkëta, pozicione të përbashkëta, deklarata, konkluzione dhe akte të tjera në kuadër të politikës së jashtme dhe të sigurisë;
  • aksione të përbashkëta, pozicione të përbashkëta, konventa të nënshkruara, rezoluta, deklarata dhe akte të tjera të nënshkruara në kuadër të politikës mbi çështjet e brendshme dhe drejtësisë;
  • marrëveshje ndërkombëtare të nënshkruara nga Komunitetet, midis Komuniteteve dhe Shteteve Anëtare, Bashkimit Evropian, dhe ato të nënshkruara nga Shtetet Anëtare midis tyre në lidhje me aktivitetet e Bashkimit Evropian. 
 

2.1 Legjislacioni Parësor

"Legjislacioni Parësor" konsiston në Traktatet e ndryshme, të cilat janë negociuar dhe ratifikuar nga Shtetet Anëtare. Traktatet përcaktojnë kuadrin kushtetues të BE-së dhe funksionet përkatëse të institucioneve/organeve të përfshira në procesin e vendimmarrjes si dhe procedurat për hartimin dhe implementimin e legjislacionit të BE-së. 

2.2 Legjislacioni Dytësor

Legjislacioni dytësor përbëhet nga:

  • Rregulloret: Rregulloret janë drejtpërsëdrejti të zbatueshme dhe detyruese në të gjithë BE-në.  Ato nuk duhet të transpozohen në legjislacionin kombëtar, ashtu si ligjet kombëtare;
  • Direktivat: Direktiva është detyruese për Shtetet Anëtare përsa i përket objektivave për t'u arritur, por u jep Shteteve Anëtare lirinë për të zgjedhur mënyrën se si do të zbatohen masat legjislative në legjislacionin kombëtar. Direktivat kanë forcë ligjore dhe efekt ligjor pas mbarimit të periudhës së transpozimit (koha që u jepet Shteteve Anëtare të zbatojnë masat ligjore). Rrjedhimisht, pas kësaj kohe, legjislacioni kombëtar duhet të interpretohet dhe të zbatohet në përputhje me Direktivën. Kur një Shtet Anëtar nuk e zbaton një Direktivë brenda një periudhe të përcaktuar, Komisioni Evropian mund të fillojë procedura gjyqësore kundër tij në ECJ;
  • Vendimet: Vendimet janë tërësisht detyruese dhe drejtpërsëdrejti të zbatueshme për ato Shtete të cilave u drejtohen. Për këtë arsye, nuk kërkohet transpozim kombëtar. Vendimi mund të kërkojë ndërmarrjen e një aksioni ose jo dhe të njohë të drejta të caktuara ose të vendosë detyrime;
  • Opinionet dhe Rekomandimet: Rekomandimi është një sugjerim për një veprim të veçantë që duhet të ndërmerret nga Shteti të cilit i drejtohet.  Ndërsa Opinioni përfshin vizionin e institucioneve të BE-së mbi një çështje të veçantë. Këto masa nuk janë detyruese dhe kanë vetëm një natyrë bindëse;
  • Rezolutat dhe Deklaratat: Rezolutat nënvizojnë vizionet/qëllimet e përbashkëta të Parlamentit Evropian, Komisionit Evropian, dhe Këshillit të BE-së. Rezolutat parashtrojnë drejtimin politik të veprimit të ardhshëm të Këshillit. Deklaratat janë të dy llojeve, domethënë ato që lidhen me zhvillimin e BE-së dhe ato që përshkruajnë më në hollësi vizionet e anëtarëve të Këshillit mbi interpretimin e vendimeve të Këshillit;
  • Çështjet Juridike: Çështjet juridike përfshijnë vendime gjyqësore nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë dhe Gjykata e Parë Evropiane e Apelit.

3. Procesi i zgjerimit

Nga 6 në 27 vende

http://ec.europa.eu/enlargement/policy/from-6-to-27-members/index_en.htm

Çdo vend, i cili përmbush kushtet për zgjerim, mund të dorëzojë aplikimin për anëtarësim në BE.  Në Traktatin mbi Bashkimin Evropian përcaktohen kushtet (neni 6, neni 49) për t'u plotësuar. Një vend i cili dëshiron të anëtarësohet në BE, duhet të dorëzojë aplikimin për anëtarësim në Këshill, i cili më pas i kërkon Komisionit të vlerësojë aftësinë e aplikuesit për të përmbushur kushtet e anëtarësimit. Nëse Komisioni dorëzon një opinion pozitiv, dhe Këshilli unanimisht miraton një mandat negociimi, atëherë hapen zyrtarisht negociatat midis vendit kandidat dhe Shteteve Anëtare.

Aplikimi për anëtarësim është pikënisja e një procesi të gjatë dhe rigoroz - megjithëse njëkohësisht bazohet në një marrëdhënie të ngushtë ekzistuese me BE-në. Pas aplikimit, fillojnë procedurat vlerësuese të BE-së, të cilat mund të rezultojnë në ftesën për anëtarësimin për vendin në fjalë. Shpejtësia e secilit vend drejt anëtarësimit varet nga progresi i tij drejt përmbushjes së objektivave të përbashkëta. 
Vendi aplikues duhet të përmbushë disa kritere para se të fillojnë negociatat. Të ashtuquajturat "Kriteret e Kopenhagenit", të përcaktuara në dhjetor të vitit 1993 nga Këshilli Evropian i Kopenhagës, i kërkojnë vendit kandidat:

  • të ketë ngritur institucione të qëndrueshme që garantojnë demokracinë, shtetin ligjor, të drejtat e njeriut si dhe respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave;
  • të ketë një ekonomi tregu funksionale, të aftë për t'u përballuar me trysnitë konkurruese dhe forcat e tregut brenda BE-së (kriteri ekonomik);
  • të ketë aftësinë për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi, përfshirë objektivat e bashkimit politik, ekonomik dhe monetar.
    Veç kësaj, BE-ja duhet të jetë e aftë të integrojë anëtarët e rinj dhe duhet të garantojë se institucionet e saj dhe proceset vendimmarrëse janë efektive dhe përgjegjëse; duhet të jetë e aftë, që ndërkohë që zgjerohet, të vazhdojë të zhvillohet dhe të implementojnë politika të përbashkëta në të gjitha fushat; dhe gjithashtu ka nevojë të vazhdojë të financojë politikat e saj në një mënyrë të qëndrueshme.
 

3.1. Strategjia e para-aderimit

Strategjia e para-aderimit hartohet me qëllim përgatitjen e vendit kandidat për anëtarësim.  Ajo përfshin mekanizmat dhe instrumentet e mëposhtëm:

  • Marrëveshje Evropiane/Marrëveshje Asociimi/Marrëveshje Stabilizim-Asociimi
  • Partneriteti Evropian
  • Asistencë para-aderimi
  • Bashkëfinancim me Institucionet Ndërkombëtare Financuese
  • Pjesëmarrje në Programet e BE-së, Agjencitë dhe Komitetet
  • Program Kombëtar për adoptimin e Acquis
  • Raportet e Ecurisë
  • Dialogu Politik
 

A. Procesi i Stabilizim-Asociimit

Procesi i Stabilizim-Asociimit është një kuadër rregullativ për negociatat e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke pasur në konsideratë aderimin e tyre të mundshëm. Ai ka tre objektiva:

  • stabilizimin e vendeve dhe inkurajimin e një tranzicioni "të butë" drejt ekonomisë së tregut;
  • promovimin e bashkëpunimit rajonal;
  • anëtarësimin e mundshëm në BE.

Ky proces ndihmon vendet e përfshira të forcojnë kapacitetin e tyre për të adoptuar dhe zbatuar legjislacionin e BE-së dhe standardet evropiane dhe ndërkombëtare. Ai bazohet në një partneritet më të afërt, duke bërë që BE-ja të ofrojë:

  • koncesione tregtare (masa autonome tregtare);
  • asistencë ekonomike dhe financiare;
  • asistencë për ri-ndërtim, zhvillim dhe stabilizim;
  • marrëveshje stabilizimi dhe asociimi, që përbën një marrëdhënie kontraktuale me qëllime afatgjata me BE-në, duke përfshirë të drejta dhe detyrime reciproke.
    Secili vend afrohet më shumë drejt BE-së ndërkohë që përmbush angazhimet e tij prej procesit të stabilizim asociimit.
 

3.2 Vendet për t'u anëtarësuar në BE

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivën për t'u anëtarësuar në BE. Kroacia pritet t'i bashkohet vendeve të tjera të Bashkimit Evropian më 01 korrik 2013. Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë është "vende kandidat" në pritje të një vendimi nga qeveritë e BE-së dhe rekomandimit të Komisionit për të hapur bisedimet për anëtarësim.
Me Malin e Zi janë hapur negociatat për anëtarësim, sikurse në Turqi dhe Islandë, ndërsa Serbia është njohur si vend kandidat pas miratimit të Këshillit Evropian në muajin mars 2012. Shqipëria, Bosnja Hercegovina dhe  Kosova (Rezoluta 1244/99 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara) janë vende potenciale kandidate.
Kroacia, vendeve  kandidate, kandidate potenciale
http://ec.europa.eu/information_society/newsroom/cf/picture.cfm?id=459&src=0&universe=1

 

4. Bashkimi Evropian dhe Shqipëria

Pas Këshillit Evropian të Selanikut në qershor 2003, Shqipëria u bë vend kandidat potencial për anëtarësim në BE. Më 18 shkurt 2008, Këshilli miratoi një partneritet të ri evropian me Shqipërinë. Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) u nënshkrua më 12 qershor 2006 dhe hyri në fuqi më 1 prill 2009. Marrëveshja e lehtësimit të vizave BE-Shqipëri hyri në fuqi në janar 2008, ndërsa marrëveshja e ri-pranimit hyri në fuqi në vitin 2006. Shqipëria e dorëzoi aplikimin për anëtarësim në BE më 28 prill 2009. Pas hyrjes në fuqi të MSA-së, u ngritën disa struktura të përbashkëta BE-Shqipëri (Këshilli i Stabilizim Asociimit dhe Nënkomitetet e tij) për monitorimin e procesit të zbatimit dhe përmbushjes së detyrimeve të dala nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit.
Strukturat e përbashkëta BE-Shqipëri janë:   

  • Këshilli i Stabilizim Asociimit, i cili monitoron zbatimin dhe përmbushjen e MSA-së. Ai shqyrton çdo çështje në lidhje me MSA-në dhe çdo çështje tjetër bilaterale ose ndërkombëtare të një interesi të përbashkët. Këshilli i Stabilizim Asociimit është i përbërë nga anëtarë të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe anëtarë të Komisionit të Komuniteteve Evropiane nga njëra anë dhe anëtarë të Qeverisë së Shqipërisë nga ana tjetër.
  • Komiteti i Stabilizim Asociimit është i përbërë nga përfaqësues të Këshillit të Bashkimit Evropian, përfaqësues të Komisionit të Komuniteteve Evropiane dhe përfaqësues të Qeverisë së Shqipërisë. Detyrat e këtij Komiteti përcaktohen nga Këshilli i Stabilizim Asociimit. Komiteti i Stabilizim Asociimit, në përgjithësi, garanton vazhdimësinë e asociimit dhe zbatimin e MSA-së. Komiteti shqyrton çdo çështje që i drejtohet nga Këshilli i Stabilizim Asociimit, si dhe çështje që kanë të bëjnë me zbatimin e MSA-së.
  • Komiteti i Stabilizim Asociimit ngre nënkomitetet e nevojshme për zbatimin e duhur të MSA-së. Nënkomitetet përbëhen nga anëtarë të Komisionit Evropian dhe anëtarë të Qeverisë  Shqiptare. Shtetet Anëtare informohen dhe ftohen të marrin pjesë në takimet e nënkomiteteve. Nënkomitetet diskutojnë çështje në lidhje me zbatimin e MSA-së, bashkë me ecurinë e zbatimit të Partneritetit Evropian dhe progresit të bërë në lidhje me përafrimin e legjislacionit. Më tej, nënkomitetet shërbejnë si forume për një mirëkuptim të Acquis.  Në çdo takim vlerësohet zbatimi i Partneritetit Evropian dhe progresi i arritur për përafrimin e legjislacionit. Nënkomitetet shqyrtojnë çdo çështje sipas sektorëve përkatës dhe sugjerojnë hapat e nevojshëm për t'u ndërmarrë në të ardhmen. Më tej, nënkomitetet shërbejnë si forume për të zgjeruar njohuritë mbi Acquis dhe të konsiderojnë progresin e Shqipërisë.

Më poshtë renditen shtatë nënkomitetet:

  • Tregti, Industri, Doganat dhe Tatimet
  • Bujqësia dhe Peshkimi
  • Tregu i Brendshëm dhe Konkurrenca
  • Çështjet Ekonomike dhe Financiare dhe Statistikat
  • Drejtësia, Liria dhe Siguria
  • Zhvillimi Teknologjik dhe Politika Sociale
  • Transportet, Mjedisi, Energjia dhe Zhvillimi Rajonal.

Banka e Shqipërisë është pjesëmarrëse dhe njëkohësisht raporton periodikisht në dy nënkomitete:

  • Tregu i Brendshëm dhe Konkurrenca; dhe,
  • Çështjet Ekonomike dhe Financiare dhe Statistikat.

Datat kryesore të rrugës së Shqipërisë drejt BE-së

http://eeas.europa.eu/delegations/albania/eu_albania/political_relations/index_en.htm


5. Roli i Bankës së Shqipërisë në procesin e integrimit Evropian


Procesi i integrimit evropian në Bankën e Shqipërisë, në veçanti pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit më 1 prill 2009, bashkërendohet nga Departamenti i Marrëdhënieve me Jashtë, Integrimit Evropian dhe Komunikimit (DMJIEK). Ky Departament ka pasur një rol kyç në bashkërendimin e veprimtarive në lidhje me procesin e integrimit evropian, përfshirë hartimin e pjesëve përkatëse të Bankës së Shqipërisë në Planin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (PKZMSA) 2012-2015.

Në veçanti, pjesët narrative të PKZMSA-së paraqesin situatën aktuale njëkohësisht me progresin e ekonomisë së Shqipërisë përsa i përket stabilitetit makroekonomik, hartimit dhe zbatimit të politikës monetare, si dhe bashkërendimin me politikën fiskale. Në këtë drejtim DMJIEK-u ka identifikuar dhe përditësuar përparësitë dhe masat e marra në fushat e stabilitetit makroekonomik, lëvizjes së lirë të kapitalit, të drejtës së vendosjes dhe ofrimit të shërbimeve, duke parashikuar nismat e nevojshme ligjore, veprimtaritë zbatuese, asistencën teknike dhe kostot e pritshme në procesin e përafrimit të legjislacionit kombëtar me Acquis.

Në të njëjtën kohë, DMJIEK-u ka shërbyer si një njësi bashkërenduese në Bankën e Shqipërisë për përpilimin e progres-raporteve (shqip dhe anglisht) përsa i përket zbatimit të PKZMSA-së. Këto raporte dorëzohen më pas në Ministrinë e Integrimit Evropian në përputhje me afatet e përcaktuara prej saj.  Raportet reflektojnë progresin e bërë për zbatimin e masave ligjore dhe veprimtarive përforcuese në përputhje me parashikimet në PKZMSA dhe bëjnë një përshkrim të shkallës së përputhjes me Acquis përsa i përket akteve ligjore të miratuara nga Banka e Shqipërisë.
Përsa i përket asistencës nga Bashkimi Evropian, Banka e Shqipërisë ka qënë përfituese e fondeve të komponentit të parë të Asistencës së Para-Anëtarësimit  (IPA), nëpërmjet projektit të binjakëzimit me Bankën e Italisë dhe Bankën e Francës  "Përforcimi i kapaciteteve institucionale të Bankës së Shqipërisë në fushat e mbikëqyrjes bankare, statistikave, sistemeve të pagesave dhe implementimit të politikës monetare". Projekti u realizua gjatë periudhës nëntor 2010 - korrik 2012. 

Gjithashtu Banka e Shqipërisë është përfituese e asistencës afatshkurtër të BE-së, nëpërmjet instrumentit TAIEX, duke realizuar një sërë aktivitetesh me ekspertët e bankave qendrore të BE-së.

 

5.1 Përgatitja e Pyetësorit të Komisionit Evropian 

Më 28 prill 2009, Shqipëria paraqiti aplikimin për anëtarësim në BE dhe më 16 nëntor 2009 Këshilli i Ministrave të Jashtëm për Çështjet e Përgjithshme dhe Marrëdhëniet me Jashtë të BE-së miratoi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim. Në përputhje me procedurat e përcaktuara në Nenin 49 të Traktatit të Bashkimit Evropian, Këshilli ftoi Komisionin të dorëzojë Opinionin e tij në lidhje me anëtarësimin e Shqipërisë. Në opinionin e tij, Komisioni duhet të vlerësojë aftësinë e Shqipërisë për të përmbushur kriteret për anëtarësim. Nëse Komisioni dorëzon një opinion dhe Këshilli vendos unanimisht për të miratuar një mandat negociimi, atëherë fillojnë zyrtarisht negociatat midis vendit kandidat dhe të gjitha Shteteve Anëtare të BE-së.

Në vijim, në dhjetor 2009, Shqipëria mori pyetësorin e para-aderimit. Pyetësori përmbante 2284 pyetje të cilat mbulonin 35 kapitujt e Acquis. Banka e Shqipërisë u zgjodh institucion koordinues për përgatitjen e përgjigjeve të pyetjeve të Kapitullit 4 "Lëvizja e lirë e kapitalit" dhe Kapitullit 17 "Politika ekonomike dhe monetare". Në kapitullin 4 trajtohet lëvizja e lirë e kapitalit në BE dhe midis BE-së dhe palëve të treta. Në këtë kapitull konsiderohen çështjet në lidhje me pagesat ndër-kufitare dhe ekzekutimin e transfertave në lidhje me titujt. 

Veç kësaj, një pjesë e këtij kapitulli ka lidhje me legjislacionin e BE-së në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, ku bankave dhe operatorëve të tjerë ekonomikë, veçanërisht kur kryejnë transaksione cash në vlerë të madhe ose në artikuj shumë të çmuar, u kërkohet të identifikojnë klientët dhe të raportojnë mbi transaksionet përkatëse. Ky kapitull thekson, gjithashtu, rëndësinë e luftës ndaj krimit financiar nëpërmjet krijimit të strukturave efektive administrative dhe përforcimit të kapaciteteve përkatëse, përfshirë bashkëpunimin midis autoriteteve mbikëqyrëse, ligjore dhe prokurorisë.

Kapitulli 17 ka të bëjë me politikën ekonomike dhe monetare dhe përmban rregulla specifike në lidhje me pavarësinë e bankave qendrore, ndalimin e financimit direkt të sektorit publik nga banka qendrore dhe ndalimin e aksesit të privilegjuar të sektorit publik në institucionet financiare. Në vijim, Shqipëria duhet të përmbushë kriteret e përcaktuara në Traktat në mënyrë që të jetë e aftë të adoptojë monedhën euro. Para adoptimit të monedhës euro, Shqipëria mund t"i bashkohet Bashkimit Ekonomik dhe Monetar si Shtet Anëtar me të drejtën e përjashtimit të përdorimit të euros.

Banka e Shqipërisë u përfshi edhe në kapituj të tjerë të Pyetësorit si: Kapitulli "Kriteri Ekonomik", Kapitulli 3 "E drejta e vendosjes dhe liria e ofrimit të shërbimeve", Kapitulli 9 "Shërbimet Financiare", Kapitulli 20 "Politika industriale dhe ndërmarrjet", Kapitulli 28 "Mbrojtja e konsumatorit dhe e shëndetit", dhe Kapitulli 32 "Kontrolli Financiar". Më 15 prill 2010 u finalizua Pyetësori dhe iu dorëzua Komisionit Evropian.