Informacion për Bashkimin Evropian
"Nga Shuman tek Euro, ky është Bashkimi Europian "
Fillimi i procesit të integrimit europian e ka zanafillën e vet në 9 maj të vitit 1950, kur Ministri i Jashtëm francez, Robert Shuman, paraqiti propozimin e tij për krijimin e një bashkësie e cila do të qëndronte mbi kombet e ndryshme, një Europë të organizuar, të domosdoshme për ruajtjen e marrëdhënieve paqësore mes shteteve anëtare të saj. Propozimi i njohur si "Deklarata Shuman" konsiderohet si hapi i parë drejt integrimit europian dhe 9 maji është deklaruar si festa e Europës.
PAK HISTORI ...
Në 9 maj të vitit 1950 lindi Europa komunitare, pikërisht atëhere kur kërcënimi i fillimit të një lufte të re botërore kishte pushtuar mbarë Europën. Atë ditë, në Paris, përfaqësues të shtypit ishin mbledhur në orën gjashtë të pasdites në Quai d"Orsay, selia e Ministrisë së Jashtme, për një komunikim tepër të rëndësishëm.
Rrjeshtat e parë të deklaratës së 9 majit 1950, të përgatitur nga Robert Shuman, ministri francez i Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me mikun dhe këshilltarin e tij Monet, të krijojnë një ide të qëllimeve ambicioze të këtij propozimi. "Paqja botërore nuk mund të ruhet pa iniciativa krijuese që qëndrojnë në nivelin e rreziqeve që na kërcënojnë". "Duke bashkuar të tilla produkte bazë dhe duke ndërtuar një Autoritet të Lartë, vendimet e të cilit do të jenë të detyrueshme për Francën dhe Gjermaninë si dhe për vendet e tjera që do të aderojnë, do të realizohen themelet konkrete të një federate europiane të domosdoshme për ruajtjen e paqes në kontinentin tonë".
Me këtë propozim, zë fill krijimi i një institucioni europian, që të qëndronte mbi shtetet, të cilit do t"i besoheshin menaxhimi i çështjeve parësore që në atë periudhë ishin në qendër të vëmendjes së çfarëdo fuqie ushtarake: qymyri dhe çeliku.
Lindja e KEQÇ
Pas fjalimit të rëndësishëm të Shumanit të 9 majit 1950, brenda pak kohësh nisën punimet përgatitore për krijimin e një bashkësie mbishtetërore në fushën e qymyrit dhe të çelikut. Në këtë vazhdë, pikërisht në 18 prill të vitit 1951, në Paris u firmos Traktati i Komunitetit Europian për Qymyrin dhe Çelikun (KEQÇ) Në këtë traktat aderuan gjashtë vende: Belgjika, Franca, Gjermania, Hollanda, Italia dhe Luksemburgu.
KEE dhe Euratom
Menjëherë pas krijimit të KEQÇ procesi i integrimit europian vijoi me ngritjen e institucioneve të tjera. Pas përpjekjeve të pasuksesshme për krijimin e KEM (Komuniteti Europian i Mbrojtjes), përpjekje këto ndoshta tepër ambicioze " duke patur parasysh periudhën historike " u vendos që të veprohej shkallë-shkallë. Mbërrijmë kështu në vitin 1955, kur me Konferencën e Mesinës marrin udhë negociatat për krijimin e dy komuniteteve të reja europiane: Komuniteti Ekonomik Europian, i themeluar në 25 mars 1957 në Romë me traktatin e njohur si Traktati i Romes dhe Komuniteti Europian për Energjinë Atomike, i njohur si Euratom (KEEA). Shtetet që nënshkruan këto dy traktate të reja ishin të njëjtët: Belgjika, Franca, Gjermania, Hollanda, Italia dhe Luksemburgu. Pika më e rëndësishme e Traktatit KEE ishte krijimi gradual i Tregut të Përbashkët Europian si dhe krijimi i një Politike Agrare të Përbashkët.
Traktati i Brukselit
Me krijimin e dy traktateve të mësipërme, u vu re një "grumbull" institucionesh, pasi çdo komunitet kishte 4 institucione të veçanta, katër për KEE dhe po aq për KEEA dhe KEQÇ. Nisën kështu, jo pa probleme, bisedimet për bashkimin e institucionevetë këtyre tre komuniteteve. Problemet lidheshin me nevojat e ndryshme të shteteve anëtare për t"i dhënë pushtet secilit prej institucioneve.
Në 8 prill 1965 u firmos një traktat i rëndësishëm, Traktati i Brukselit, i cili vendosi krijimin e një Këshilli të vetëm si dhe të një Komisioni të vetëm për të tre komunitetet europiane.
Vitet '80 njihen në historinë ë Europës si vite të "qeta".
Greqia bëhet pjesë e Komunitetit Europian në vitin 1981 dhe menjëherë nis të kërkojë financime. Anglezët, nga ana e tyre, kërkojnë një riekuilibrim të dhënie-marrjes në sistemin e kontributeve e financimeve europiane (pasi Britania e Madhe derdhte më shumë kontribute, por përfitonte shumë pak financime). Me krijimin e Këshillit Europian në Fontenblò (Francë), në vitin 1984, arrihet në zgjidhjen e problemit britanik, duke përcaktuar se çdo vit në bilancin komunitar, do të ngrihej një shifër e përcaktuar në favor të Britanisë së Madhe.
Por, vitet '80 janë dhe vite të rinisjes së procesit të integrimit europian. Në vitin 1986 bashkohen me komunitetet Spanja dhe Portugalia, dhe menjëherë pas tyre firmosen marrëveshje të rëndësishme për realizimin e akteve komunitare.
Në vitin 1986, në Luksemburg u nënshkrua Akti Unik Europian, një traktat i rëndësishëm që shënoi një hap themelor përpara në procesin e integrimit europian e mbi të gjitha, vendosi bazat për një bashkëpunim mes vendeve anëtare në fushën e politikës së jashtme.
Në 1 Janar 1995, tre vende të reja bashkohen me BE-në: Austria, Finlanda dhe Suedia, të cilat do të pasurojnë Bashkimin me veçoritë e tyre dhe do të hapin dimensione të reja në zemër të Europës qendore dhe asaj veriore.
Falë gjithë procesit të integrimit europian, pas shumë viteve të lodhshme, u arrit krijimi i konceptit të Bashkimit Europian. Një Bashkim, i cili ka ende shumë rrugë për të bërë në drejtim të afirmimit të tij në skenat ndërkombëtare. Bashkimi Europian është sot një shtet i madh me 446 milionë banorë, i përbërë nga 27 shtete anëtare. Ai ka simbolet e veta: flamurin dhe himnin e tij. Rruga e tij drejt forcimit të objektivave të arritura dhe arritjes së objektivave të reja, është ende e gjatë, veçanërisht pas hyrjes në qarkullim që nga janari i vitit 2002 i Euros, monedhës së përbashkët të më shume se 370 milionë qytetarëve,në 19 shtetet e eurozonës
Flamuri i Bashkimit Europian paraqet një fushë blu, në të cilën janë vendosur 12 yje në formë rrethore, në mënyrë të tillë që një nga cepat sheh lart dhe dy të tjerat mbështeten drejt mbi një vijë të drejtë imagjinare perpendikulare me shkopin e flamurit. Yjet janë vendosur në mënyrë të njëjtë me orët në fushën e një sahati dhe numri i tyre është i pandryshueshëm.
Përdorimi i flamurit europian nga palët e treta nuk duhet të krijojë konfuzion mes përdoruesit dhe Bashkimit Europian apo Këshillit të Europës e as të lidhet me objektiva apo veprimtari që janë në kundërshtim me parimet dhe qëllimet e Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës.
Himni europian ("Himn për gëzimin") është një përshtatje e lëvizjeve të fundit të Simfonisë së Nëntë të Bet'hovenit, realizuar nga Herbert von Karajan, sipas kërkesës së Këshillit Europian në tre versione instrumentale: për piano solo, flaut dhe orkestër simfonike. Versioni zyrtar i tij, i cili është përdorur nga Këshilli Europian në vitin 1972 dhe nga Bashkimi Europian që nga viti 1986, është regjistruar në Lisbonë në vitin 1994.
2021 - VENDET ANËTARE NË BASHKIMIN EUROPIAN - 27 vende Anëtare
- Vendet themeluese të KEQÇ:
- Gjermania;
- Franca;
- Italia
- Belgjika
- Hollanda
- Luksemburgu
- Zgjerimi i parë i vitit 1973
- Danimarka
- Irlanda
- Britania e Madhe aderoi në BE- bashkë me Danimarkën dhe Irlandën, por pas 47 vitesh aderim, del nga BE më 1 janar 2021.
- Zgjerimi i vitit 1981
- Greqia
- Zgjerimi i vitit 1986
- Spanja
- Portugalia
- Zgjerimi i vitit 1995
- Austria
- Suedia
- Finlanda
- Zgjerimi më i madh i BE-së i vitit 2004
15. Republika Çeke
16. Sllovenia
17. Sllovakia
18. Hungaria
19. Polonia
20. Estonia
21.Letonia
22. Lituania
23. Malta
24. Qipro
- Zgjerimi i vitit 2007
25. Bullgaria
26. Rumania
- Zgjerimi i fundit i vitit 2013
27.Kroacia