BANKA E SHQIPËRISË

Konferenca II e Bankës së Shqipërisë
Shqipëria midis Reformave të Brendshme dhe Integrimit Europian

 

TIRANË, 6 - 7 DHJETOR 2001

Fjala e hapjes së Konferencës së Dytë

Të nderuar zonja dhe zotërinj, miq e të ftuar,

Kam nderin që ndodhem sot këtu për hapjen e Konferencës "Shqipëria midis Reformave të Brendshme dhe Integrimit Europian" që organizohet bashkarisht nga Qeveria Shqiptare dhe Banka e Shqipërisë në kuadrin e 10-vjetorit të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në institucionet financiare ndërkombëtare: Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Së pari, dëshiroj t'ju falenderoj të gjithëve për pjesëmarrjen, dhe në mënyrë të veçantë miqve të huaj i uroj mirëseardhjen në Shqipëri.Tashmë kanë kaluar më shumë se 10 vjet nga koha kur Shqipëria përmbysi regjimin totalitar dhe u orientua drejt ekonomisë së tregut e po ecën me hapa të shpejtë në rrugën e reformave demokratike dhe ekonomike. Ishte me vend që në këtë çast ne të mblidhemi e të bëjmë analizën e punës dhe të rezultateve të deritanishme, çfarë është arritur gjatë këtyre 10 vjetëve dhe çfarë mbetet akoma për të bërë, cilat janë sfidat e së ardhmes dhe çfarë kemi mësuar nga e kaluara.

Po mbushen 10 vjet që Shqipëria është anëtare e institucioneve të Bretton Woods dhe bashkëpunimi me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, BERZH, dhe institucione të tjera financiare për zhvillim, pa harruar Bashkimin Europian, gjatë kësaj periudhe gjithmonë ka përbërë një motor të fuqishëm për Shqipërinë në rrugën e zhvillimit dhe të integrimit në Europë.

Shfrytëzoj rastin dhe dëshiroj t'i transmetoj këtyre institucioneve nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në këtë sallë, mirënjohjen dhe falenderimin për mbështetjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm, i cili ka qenë shumë i vlefshëm për në. Besoj se ju ndani të njëjtin mendim se ne kemi mësuar shumë nga njëri-tjetri gjatë këtyre viteve. Vitet që kemi punuar bashkë kanë qenë të vështira dhe na është dashur shumë për të arritur këtu ku jemi sot, por megjithatë rezultatet dhe, kënaqësitë nuk kanë munguar. Po të krahasosh Shqipërinë e 90 me Shqipërinë e sotme, përparimi është i dukshëm. Ky vend ka kaluar tashmë nga faza e emergjencës dhe po shkon drejt planifikimit afatgjatë të zhvillimit, një sërë reformash janë ndërmarrë që kanë në bazë privatizimin dhe rritjen e eficiencës së ekonomisë, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe sundimin e ligjit. Megjithatë, ne jemi të ndërgjegjshëm që përpara kemi sfida të reja, të cilat na nxisin për çuarjen më tej të rezultateve të arritura deri tani më qëllimin final, integrimin në Bashkimin Europian.

Besoj se të gjithë jemi dakord që Shqipëria gjatë këtyre viteve të fundit ka shënuar arritje të konsiderueshme në drejtim të stabilizimit të treguesve makroekonomikë, sigurimit të një situate të qëndrueshme fiskale, politikës monetare dhe reformave strukturore. Unë nuk do të ndalem tani për të folur mbi problematikën dhe progresin në këto drejtime, pasi të gjitha ato do të jenë subjekte të veçanta diskutimi gjatë dy ditëve të kësaj Konference, por dëshiroj të përmend këtu që për të siguruar këto, vendit tonë dhe njerëzve tanë i janë dashur shumë kohë dhe përpjekje për ta shndërruar Shqipërinë nga një vend i izoluar dhe i prapambetur, në një burim stabiliteti dhe zhvillimi, në një vend të hapur dhe bashkëpunues, në një kontribues kryesor të paqes dhe të prosperitetit në rajon.

Tashmë nuk ka më ekuivok se e ardhmja e Shqipërisë është në Europën e Bashkuar dhe ne, çdo ditë e më tepër, po përpiqemi të zvogëlojmë distancat. Hapja e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asocimit, vitin që vjen, do të jetë një tjetër sfidë që vendi ynë do të realizojë dhe kjo do t'i hapë Shqipërisë dyert e Europës së Bashkuar. Për këtë ne po punojmë me përkushtim që të bëhemi pjesëmarrës të denjë të saj, të sigurojmë stabilitet të brendshëm, të ngremë standardin tonë ekonomik, të sigurojmë respektimin e parimeve demokratike, qeverisje të mirë dhe institucione të forta.

Është për këtë arsye që Qeveria me mbështetjen e Bankës Botërore dhe të FMN-së ka iniciuar programin e rritjes ekonomike dhe të reduktimit të varfërisë, pikërisht për të përmbushur objektivat e zhvillimit dhe përafrimit me vendet e Europës. Kjo do të thotë që më shumë vëmendje do t'i kushtohet, në vitet që vijnë,zhvillimit të infrastrukturës, shëndetësisë dhe arsimit, për ta bërë më të mirë jetën e njerëzve të varfër dhe për të zvogëluar diferencat sociale.

Të nderuar zonja e zotërinj,

Në përfundim, dëshiroj të theksoj edhe një herë rolin e rëndësishëm, që hapja e Shqipërisë ndaj botës dhe institucioneve financiare ndërkombëtare dhe rritja e bashkëpunimit me to, ka pasur në transformimin dhe zhvillimin e vendit tonë. Për të mirën e Shqipërisë, unë shpresoj që marrëdhëniet e deritanishme do të ruhen dhe do të forcohen, për të realizuar objektivin final të rritjes ekonomike me hapa të shpejtë dhe integrimin e vendit tonë në familjen europiane. Duke i uruar sukses kësaj Konference, ju falenderoj edhe një herë për pjesëmarrjen dhe për vëmendjen tuaj.

Anastas Angjeli
Minister i Financave

Fjalime përshëndetëse në Konferencë

Prezantimet dhe diskutimet në Konferencë