Konferenca VII e Bankës së Shqipërisë
Strategjitë e politikës monetare për ekonomitë e vogla

6 - 7 DHJETOR 2007
HOTEL "TIRANA INTERNATIONAL", TIRANË

Në datat 6-7 dhjetor 2007, në ambientet e Hotel Tirana International, Banka e Shqipërisë zhvilloi punimet e Konferencës VII Vjetore të saj me temë "Strategjitë e Politikës Monetare për Ekonomitë e Vogla". Konferenca VII ishte konceptuar si një ndërthurje e konferencave tradicionale vjetore që Banka e Shqipërisë organizon çdo vit dhe e tryezave të rrumbullakëta të organizuara nga ana e saj, gjatë dy viteve të fundit mbi strategjinë dhe ardhmërinë e politikës monetare në Shqipëri.

Tre vitet e fundit, Banka e Shqipërisë ka qenë e përfshirë në një proces të gjerë vlerësimi dhe analize për të ardhmen e politikës monetare në Shqipëri. Diskutimet intensive me autoritetet fiskale, me bankat qendrore evropiane dhe ato të rajonit, me organizatat financiare ndërkombëtare dhe me rrethet akademike vendase dhe të huaja kanë qenë pjesë e axhendës vjetore të Bankës së Shqipërisë për të nxjerrë në pah regjimin e politikës monetare më të përshtatshëm për stadin aktual të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë në fjalën e hapjes së tij të mbajtur me këtë rast theksoi se përfundimi i programit me FMN-në, nxjerr në dukje sfida të reja institucionale për autoritetet shqiptare, duke u shprehur se " ... E thënë ndryshe, për herë të parë pas shumë vitesh të vështira tranzicioni, autoritetet shqiptare duhet të kenë pronësi të plotë mbi programet afatmesme të zhvillimit të vendit. Është kjo arsyeja që Banka e Shqipërisë, prej kohësh është e angazhuar në një proces të gjithanshëm të studimit dhe të përzgjedhjes së alternativave më të mira...".

konferenca 6dhjetor2007

Banka e Shqipërisë vlerëson se regjimi i inflacionit të shënjestruar është një alternativë e përshtatshme dhe në përputhje me nivelin aktual dhe të pritshëm të tregut financiar në Shqipëri. Ky regjim siguron një platformë të mirë për harmonizimin e politikës monetare me atë fiskale, duke nënkuptuar se nuk do të mungojë një angazhim serioz nga ana e autoritetit fiskal në mbështetje të regjimit të propozuar. "...Për këtë qëllim ne do t'i sugjerojmë ekzekutivit shqiptar arritjen e një dakordësie për objektivat bazë të të dy politikave, asaj monetare me atë fiskale, duke pasur si objektiv strategjik kriteret e konvergjencës..." ka thënë Guvernatori Fullani.

Në diskutimin e tij, zoti Fullani u ndal edhe në rolin e tregut financiar, eficienca e të cilit është një premisë e domosdoshme për përcjelljen efektive të politikës monetare në ekonomi. Pavarësisht regjimit të politikës monetare, duhet theksuar se shanset për të qenë të suksesshëm rriten ndjeshëm kur kemi një treg financiar të zhvilluar, i cili kupton drejt sinjalet e politikës monetare dhe i përcjell ato në mënyrën e duhur në ekonomi. Efektiviteti i politikës monetare nënkupton efektivitetin e tregut financiar.

Në këtë kuadër, prioritetet afatshkurtra të Bankës së Shqipërisë për vitin 2008 do të jenë shtimi i bazës së pjesëmarrësve në tregun e letrave me vlerë të qeverisë, minimizimi i rrezikut në tregun ndërbankar, krijimi i sistemit të lëvrimit kundrejt pagesës, rritja e efektivitetit të tregut ndërbankar si dhe prezantimi i përqindjeve orientuese bazë.

Por, konkludoi zoti Fullani, pavarësisht hapave të planifikuara prej Bankës së Shqipërisë, është e nevojshme që të njëjtën gjë të bëjnë edhe segmentet e tjera të tregut financiar, sepse aktualisht roli dhe pesha e ndihmësve dhe ndërmjetësve të tjerë të specializuar financiarë është e vogël, pa ndonjë ndikim në ndërmjetësimin dhe rialokimin e fondeve financiare në ekonomi.

Në përfundim Guvernatori Fullani theksoi se "...filozofia që ka mbizotëruar në punën tonë ka qenë e thjeshtë por bashkëkohore. Ajo ka synuar krijimin e strukturave të shëndosha dhe funksionale, kompletimin dhe përmirësimin e bazës ligjore dhe asaj rregullatore, si dhe thithjen e burimeve njerëzore të kualifikuara të afta profesionalisht për t'u ballafaquar me sfidat e së ardhmes. Shpreh bindjen time se Banka e Shqipërisë është një institucion tërësisht i aftë për të marrë mbi shpatullat e veta pronësinë e plotë të ideimit dhe zbatimit të politikës monetare".

Në vijim të punimeve të konferencës, u diskutua përvoja ndërkombëtare mbi opsionet e politikës monetare për ekonomitë e vogla, ku ekspertët dhe akademikët e ftuar ndanë me të pranishmit aspektet praktike të këtyre eksperiencave. Edhe pse tashmë pranohet gjerësisht se objektivi parësor i politikës monetare duhet të jetë arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve, mbetet më pak e qartë se çfarë lloji të strategjisë së politikës monetare duhet të adoptojë një vend i vogël.

Ndërsa dita e dytë iu dedikua tërësisht progresit të bërë nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2007, në lidhje me përgatitjet për adoptimin e regjimit të ri të politikës monetare në të ardhmen.

Në këtë konferencë morën pjesë ekspertë të bankave qendrore dhe të institucioneve financiare ndërkombëtare, akademikë të njohur, përfaqësues të sistemit bankar dhe të institucioneve të tjera në vend, si dhe shumë personalitete të tjera të vendit dhe të huaja.

Ekspertët e huaj dhe pjesëmarrësit e tjerë në këtë konferencë kanë vlerësuar punën e bërë nga Banka e Shqipërisë, në drejtim të plotësimit të parakushteve për kalimin drejt regjimit të inflacionit të shënjestruar. Ata kanë ndarë të njëjtin mendim, se Banka e Shqipërisë është në rrugën e drejtë, duke treguar edhe një herë kështu angazhimin e saj institucional për përballimin e sfidave të reja, që rrjedhin nga zhvillimet në tregjet financiare, dhe integrimin e vazhdueshëm ekonomik të Shqipërisë.

Gjatë punimeve të ditës së parë të Konferencës, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani shpalli edhe fituesit e konkursit "Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë".