Konferenca X-të Ndërkombëtare e Bankës së Shqipërisë
Politika monetare nga e shkuara në të ardhmen
26 tetor 2012,
Hotel Sheraton, Tiranë
Në datën 26 tetor 2012, Banka e Shqipërisë organizoi Konferencën e 10-të Ndërkombëtare me temë "Politika monetare nga e shkuara në të ardhmen", e cila këtë vit përkoi me festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Fjala e hapjes u mbajt nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani, ndërkohë që punimet e kësaj konference u përshëndetën dhe nga Kryeministri i vendit z.Sali Berisha.
Të pranishëm ishin guvernatorë të bankave qendrore: z.Kemal Kozaric, Guvernator i Bankës Qendrore të Bosnje-Hercegovinës, z.Grigory Marchenko, Guvernator i Bankës Kombëtare të Republikës së Kazakistanit, z.Gani Gërguri, Guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z.Dimitar Bogov, Guvernatori i Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë, z. Dorin Dragutanu, Guvernator i Bankës Kombëtare të Moldavisë si dhe z. Radoje Zugic Guvernator i Bankës Qendrore të Malit të Zi, si dhe përfaqësues të lartë të bankave qendrore të Azerbajxhanit, Belgjikës, Çekisë dhe Italisë.
Gjithashtu merrnin pjesë dhe drejtues të bankave të nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri, përfaqësues nga bota akademike, ekonomike dhe financiare, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare financiare, si dhe shumë personalitete të tjera të vendit dhe të huaja.
Fjala përshëndetëse e Guvernatorit
I nderuar zoti Kryeministër,
Të nderuar Ambasadorë,
I nderuar zoti Ministër i Financave,
Zotërinj Guvernatorë,
Të dashur miq,
Ndihem shumë i nderuar të hap punimet e Konferencës së 10-të të Bankës së Shqipërisë. Konferenca e këtij viti është një ngjarje me rëndësi të veçantë pasi organizohet në kuadrin e aktiviteteve të mbajtura me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shtetit Shqiptar dhe njëkohësisht përvjetorin e 20-të Bankës së Shqipërisë. Duke ruajtur karakterin e vet shkencor, kjo konferencë i bën homazh përpjekjeve të bëra ndër vite në fushën e parasë dhe të financave.
Banka e Shqipërisë e vlerëson njohjen e të kaluarës si një nga elementët thelbësorë të analizës dhe vendimmarrjes, si një parakusht për çdo studim me karakter teorik apo empirik. Aktualisht, kjo është një domosdoshmëri, një sfidë me të cilën përballet bota e ekonomiksit.
Një studiues i suksesshëm për të skanuar, diagnostikuar dhe trajtuar gjendjen e ekonomisë do të duhej të ishte i aftë të lexonte mendimin njerëzor. Fatëkeqsisht, një doktor i tillë nuk egziston.
Prandaj, në kohët tona, shkenca ekonomike po kthen vëmendjen nga karakteristika individuale si: historia, etnografia dhe tipare të tjera kombëtare, duke i vlerësuar ato si përcaktuesit themelorë të procesit stokastik që udhëheq sjelljen e agjentëve në ekonomi.
Historia luan gjithashtu një rol mjaft të rëndësishëm në formimin e zhvillimin e institucioneve. Shpallja e Pavarësisë krijon një epokë të re për institucionet e Shtetit Shqiptar. Pavarësia do t'i hapte rrugë, idesë së krijimit të një banke qendrore, një sistemi monetar shqiptar të unifikuar, e rrjedhimisht administrimit të jetës ekonomike përmes politikës monetare. Pavarësisht nga jeta e shkurtër, Banka e Kombëtare e krijuar në vitin 1913 është një gur themeli në historinë e Shtetit Shqiptar. Ja si e përshkruan kryeministri i kohës, Ismail Bej Vlora këtë akt: "E them me lavdërim se puna e Bankës për Shqipërinë është një i dyti fitim, pas lirisë, edhe nga pikëpamja ekonomike dhe politike".
Ngjarjet që pasuan shpalljen e Pavarësisë, në aspektin kombëtar dhe ndërkombetar, kanë luajtur një rol vendimtar në natyrën dhe karakterin e këtyre institucioneve, duke përcaktuar njëkohesisht edhe natyrën e politikës monetare.
Partneritetet ekonomike e politike, dhe karizma e shtetarëve shqiptarë për të ndërtuar një shoqëri moderne krijuan bankën e parë kombëtare funksionale, në vitin 1925 duke i dhënë asaj edhe një fizionomi karakteristike me ndërtesën e veçantë të vendosur në qender të Tiranës.
Zhvillimet historike të fillimit të viteve '90 u bënë përsëri përcaktuese për sistemin financiar e bankën qendrore. Depërtimi i koncepteve të ekonomiksit modern çoi në themelimin e Bankës së Shqipërisë, si një bankë që gëzonte të gjitha atributet e një banke qendrore.
Evolimi institucional i saj, solli zhvillimin dhe modernizimin e politikave monetare e financiare. Ajo u bë gjithashtu një institucion i rëndësishëm për zhvillimin e sistemit financiar dhe ekonomik të vendit.
Sfidat e 20 viteve të fundit e kanë shndërruar bankën qendrore në një institucion modern e të përgjegjshëm, me kredibilitet që gëzon besueshmërinë e publikut, në një qendër të profesionalizmit, në një institucion që zbaton medodat më moderne të menaxhimit monetar, në qendrën e sistemit financiar.
Duke e njohur rolin vendimtar që teoritë moderne të rritjes ekonomike përcaktojnë për institucionet në prosperitetin e një kombi, e duke përfituar prej mbështetjes së klasës politike dhe besimit të shoqërisë shqiptare në keto 20 vite, ajo është përpjekur ta shndërrojë veten nënjë institucion modern, një entitet shtetëror dinjitoz në të gjitha dimensionet institucionale, morale, profesionale, etike e intelektuale.
Banka e Shqipërisë e vlerëson këtë si detyrë dhe një kontribut mjaft të rëndësishëm të formimit të shtetit dhe prosperitetit të tij në të ardhmen.
Përpjekjet e saj për modernizimin infrastrukturor e konceptual të institucionit, përfshirë projektet ndërtimore të tre viteve të fundit, janë domosdoshmëri për të garantuar standarde bashkëkohore të administrimit të veprimtarisë së institucionit, duke nënkuptuar shprehimisht përafrimin e shpejtë me të gjitha institucionet simotra evropiane. Me përfundimin e këtyre projekteve, Banka e Shqipërisë do të jetë më e hapur për publikun, i cili do të përfitojë prej politikave të edukimit financiar, aktivitetit shkencor, shërbimit biblotekar, aktivitetit legjislativ, aktiviteteve me karakter historik, muzeal e numizmatik. Këto risi do të ofrohen si të mira publike për të kontribuar me modesti në formimin e një shteti modern e të denjë për kombin shqiptar.
Aktualisht, përmbushja e këtyre detyrimeve është vështirësuar prej efekteve negative të krizës ekonomike botërore. Një nga aspektet më evidente të kësaj krize është fakti se tregjet e punës, tregjet e kapitalit dhe aktiviteti ekonomik, mbeten nën efektin e tkurrjes së konsumit e investimeve në sektorin privat.
Reagimi anemik i tregjeve i ka vendosur bankat qendrore përballë një zgjidhjeje pa zgjedhje, të ndërhyjnënë ekonomi me të gjitha mënyrat për të adresuar emergjencat aktuale në kushtet kur faktorët e tjerë janë të detyruar të tkurren nëfavor të stabilitetit afatgjatë të bilanceve publike e private. Në këtë situatë, bankat qendrore janë detyruar të ndërmarrin një grup masash ekstreme, cilësisht të ndryshme dhe të patestuara më parë, të cilat tejkalojnë të gjithë kufijtë e imagjinuar të politikës monetare.
Aktualisht, politikanët janë detyruar të shmangin krizat e borxhit përmes një politike fiskale ekstreme që synon njëkohësisht ribalancimin afatshkurtër dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të politikës fiskale. Fokusi dhe theksi i politikës ekonomike mbetet ribalancimi afatgjatë përmes shkurtimit të shpenzimeve. Një pjesë e rëndësishme e këtyre masave është shumë e fokusuar nga problematika afatshkurtër duke rrezikuar të lërë mënjanë efektet e padëshiruara në afatin e gjatë. Nën presionin e kostove sociale, filozofia e politikave sot është kapërcimi i situatës, duke ruajtur paqen sociale dhe stabilitetin makroekonomik në kurriz të sovranitetit.
Ky kompromis emergjent e ka larguar fokusin nga reformat strukturore qënë fakt garantojnë ribalancimin përmes rritjes së të ardhurave. Këndvështrimi i politikave ekonomike shpesh nuk shtrihet përtej disa tremujorëve pasardhës, ndërkohë që duhet të ketë një vizion shumë afatgjatë. Ankorimi i të ardhmes fillon nga e sotmja.
Politikat stabilizuese aktualisht bazohen në eksperiencat e shkuara, duke besuar se kriza aktuale ngjan me krizat e mëparshme. Ky arsyetim i ka shtyrë autoritetet të këmbëngulin në riciklimin e masave stabilizuese. Por koha na tregon se ekonomia globale ka pësuar ndryshime rrënjësore. Kriza aktuale ndodh në kushtet kur harta ekonomike globale po ridizenjohet në terma të madhësisë ekonomike, shpërndarjes gjeografike të kursimeve, borxhit dhe bilanceve tregtare e atyre korrente. Ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim kanë këmbyer pozicionet në të gjitha këto dimensione.
Rrjedhimisht, recetat e vjetra nuk ofrojnë zgjidhje sepse aksiomatika mbi të cilën janë ngritur, ka ndryshuar. Zgjidhja e sfidave aktuale dhe atyre të së ardhmes kërkon një filozofi të re mendimi të bazuar në realitetin e ri global.
Ky realitet, globalizimi, nuk është mënjë zgjedhje, por një fakt që duhet mbajtur parasysh në formulimin e strategjive afatgjata të zhvillimit.
Duke u zhvendosur në një kontekst rajonal, mendoj se kjo filozofi që përshkrova më sipër duhet të mbështetet dhe përhapet pa asnjë hezitim. Për ta bërë atë më produktive, është e domosdoshme që të të hapemi më shumë ndaj njëri-tjetrit, duke i dhënë bashkëpunimit rajonal një dimension të ri.
Prosperiteti individual i ekonomive të rajonit kërkon nga të gjithë ne që të lëmë mënjanë filozofinë e konkurrencës të nxitur dhe të trashëguar nga përpjekjet shtetformuese dhe modelet sklerotike të zhvillimit që dominuan shekullin e kaluar. Ne duhet t'i hapim rrugën bashkëpunimit dhe bashkërendimit ekonomik dhe financiar.
Ne duhet të rrëzojmë barrierat ballkanike për të ngritur një infrastrukturë funksionale gjithëpërfshirëse, një sistem rajonal pagesash, një sistem rajonal energjitik, një treg rajonal produktesh financiare dhe së fundi, por ndoshta më e rëndësishmja, një treg rajonal faktorësh prodhimi. Siç thotë Martin Luther King "kemi ardhur të gjithë me varka të ndryshme, por tani jemi të gjithë në të njëjtën anije".
Duke qëndruar edhe pak në temën rajonale do të doja të trajtoja shkurtimisht dhe një problem tjetër.
Eksperienca e vitit të fundit tregon se kërkesat rregullative për kapital të imponuara nga organizma të ndryshëm mbikëqyres të Eurozonës, u shoqëruan me reduktimin e pjesëmarrjes së grupeve bankare, jo vetëm në Eurozonë por edhe në rajonin tonë.
Ky proces, i njohur edhe si deleverage, ka sjellë pasoja negative. Për të shmangur ndodhitë e kësaj natyre, duhet një bashkëpunim më i madh midis politikëbërësve dhe mbikëqyrësve të ekonomive partnere.
Në këtë drejtim, Iniciativa e Vjenës është një platformë e mirë por e limituar bashkëpunimi. Kjo ndodh pasi, në konceptin e saj, Iniciativa e Vjenës është ngritur si një instrument për përballimin e një situate emergjente krize, ndërkohë që kërkesat e kohës janë për platforma dialogu të cilat mundësojnë një komunikim efektiv dhe të vazhdueshëm midis politikëbërësve. Minimalisht, ky dialog duhet të synojë shmangien e efekteve të padëshiruara reciproke, ndërkohë që një program më ambicioz do të synonte hartimin dhe zbatimin e nismave të koordinuara me interes reciprok.
Megjithatë, emergjencat potenciale të ardhura nga kontaminimi prej partnerëve tanë të Eurozonës, do të krijonin vështirësi shtesë duke krijuar kosto të mëdha efektive për ekonomitë e rajonit tonë.
Për këtë arsye, apelojmë për krijimin e mekanizmave dhe instrumenteve të përshtatshme të financimit me likuiditet nga ana e Bashkimit Evropian për vendet periferike të Eurozonës.
Besoj se procesi i integrimit financiar e bën edhe më emergjent këtë mbrojtje të përbashkët, nëpërmjet kuptimit të drejtë të fatit të lidhur të ekonomive të partnerëve tregtarë. Përfitoj nga prania në këtë konferencë e shumë prej drejtuesve të bankave qendore të rajonit për të kërkuar një qëndrim on block të bashkërenduar dhe koordinuar në këtë drejtim.
Të nderuar pjesëmarrës,
Përvoja e krizës së fundit tregoi se vendet të cilat kishin më shumë hapësirë për reagim, në formën e bilanceve më të shëndosha fiskale apo të sistemit financiar apo edhe në formën e institucioneve më të besueshme publike, ishin në gjendje të përballonin më mirë pasojat e krizës. Ky mësim nuk duhet të humbë nga vëmendja e secilit nga ne. Ndër të tjera, ai nënkupton marrjen në kohë të masave dhe, nëpërmjet ndjekjes së politikave kundër-ciklike, krijimin e hapësirave të nevojshme për zbutjen e goditjeve potenciale. Gjithashtu, ai nënkupton përpjekjet e vazhdueshme të politikave makro e mikroprudenciale për të minimizuar disbalancat financiare në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe të tregut financiar.
Këto politika, të cilat shpesh njihen edhe si "lëvizje kundër erës" ( leaning against the wind) kanë qenë dhe do të jenë pjesë e logjikës së veprimit të Bankës së Shqipërisë.
Në mbyllje të fjalës time dëshiroj t'ju siguroj edhe një herë se Banka e Shqipërisë do të bëjë përpjekjet maksimale për vazhdimin e historisë së suksesit edhe në dekadën e tretë të jetës së saj. Besoj se çështjet që ndava me ju ofrojnë një vizion të përmbledhur të disa drejtimeve kryesore të punës sonë gjatë kësaj periudhe. Duke shpresuar në një shkëmbim produktiv idesh dhe opinionesh gjatë vijimit të Konferencës,
Ju faleminderit për vëmendjen!
Fjala përshëndetëse e Kryeministrit
Është një rast i veçantë për mua të përshëndes përzemërsisht në këtë përvjetor, punonjësit dhe drejtuesit e Bankës së Shqipërisë, për punën e tyre të madhe e me përkushtim, që kanë kryer e kryejnë në përmbushjen e një misioni themelor, të stabilitetit monetar, por, në të vërtetë, stabilitetit të vendit e shoqërisë.
Ne jemi këtu, në një përvjetor të madh, jemi në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe këtu është një rast për t'u përulur me nderimin më të madh, para atyre burrave që themeluan fill pas shpalljes së pavarësisë së vendit, Bankën e Shqipërisë, institucion themelor për ekzistencën e shtetit shqiptar, për ekzistencën e një shteti. Themeluesit e pavarësisë e kishin të qartë se shteti pa bankën e tij ishte thjesht një kështjellë rërë. Të tjerë më vonë bënë përpjekje për jetësimin e konceptit të Bankës Qendrore të Shtetit. Për vite mbetën të lidhur me unionin monetar latin, por në rastin më të parë, ata nxorën monedhën e shtetit shqiptar, konsoliduan bankën, e cila sot është një institucion themelor i këtij vendi.
Historiku i kësaj banke është pazgjidhshmërisht i lidhur me historikun e monedhës, gardiane e së cilës, ajo është. Në këtë kontekst, asgjë nuk ndan në mënyrë më të drejtpërdrejtë fatin e shoqërisë, sesa monedha dhe banka. Gjatë diktaturës, shoqëria shqiptare, monedha dhe banka u vendosën në bunker. Ajo iu nënshtrua një simbolizmi ireal, deri në mezi ekzistencë. Monedha ishte e prangosur e nuk mund të dilte nga një normë e fiksuar. Për 45 vite, Shqipëria mbeti vendi i zero inflacionit zyrtar. Por shembja e perdes së hekurt solli edhe për Bankën epokën e saj të lirisë.
Zonja e zotërinj,
Në këto 20 vite, shumë gjera kanë ndryshuar në Shqipëri, por asgjë nuk ka ndryshuar më shumë se Banka e Shqipërisë. Ajo e ka nisur rrugën e saj 20 vjet më parë, me 4 milionë dollarë rezervë valutore dhe sot, ajo ka në rezervat e saj rreth 2 miliardë euro. Banka e shtetit shqiptar vjen sot, me një histori të madhe suksesi, në këto 20 vite. Ajo kryesoi likuidimin e një borxhi që ishte i ndaluar me Kushtetutë dhe e likuidoi në mënyrën më të vendosur e të shpejtë, mbrojti stabilitetin monetar dhe prej mëse 18 vitesh, leku është një nga monedhat më qëndrueshme të Evropës e më gjerë.
Banka e Shqipërisë është shndërruar në një katalizator të madh të zhvillimit të sistemit bankar në Shqipëri. Sot, Shqipëri ka një nga sistemet më të mirë bankar. Sistem, i cili, duke iu përmbajtur standardeve më serioze të funksionimit të sistemit bankar, nuk shkau për asnjë çast në aventura financiare që rrënuan ekonominë e miliona e miliona qytetarëve në mbarë botën, që rrënuan në mënyrë të pamerituar, reputacionin e bankave dhe sistemeve bankare. Në Shqipëri, bankat dëshmuan një përkushtim të madh e seriozitet të plotë në veprimtarinë e tyre. Ato funksionuan mbi bazën e parimeve më të shëndosha. Ndaj sot, jo vetëm që nuk patën problemet e mëdha të bankave të disa vendeve, por, përkundrazi, ato po përballojnë me sukses krizat monetare të sotme, veçanërisht krizën e euros që vështirëson në mënyrë serioze funksionimin e bankave bija nga vendet anëtare të Eurozonës.
Një përvjetor është normale të përdoret si një stacion për të vështruar drejt një horizonti të ri dhe Shqipëria ka nevojë për një horizont të ri bankar. Ndaj unë u bëj thirrje bankave të vendit të marrin të gjitha masat për të ridimensionuar produktet e shërbimet në këtë vend. Ju keni bërë progres shumë të madh, keni mbështetur një rritje të ekonomisë shqiptare, në kushte të vështira, jeni përballuar me vështirësi të gjithanshme, por keni pasur mbështetjen e plotë të Bankës së Shtetit dhe të Qeverisë Shqiptare. Tani është koha për një etapë të re të shërbimeve ndaj qytetarëve, të modernizimit të plotë të shërbimeve, në çdo skaj të vendit. Qytetari shqiptar, sot, nuk mund të pranohet se është ai që ishte 6 vjet më parë. Unë do t'u jap vetëm një të dhënë. 6 vjet më parë, shkalla e penetrimit të internetit ishte 4.8 %, ndërsa sot, shqiptarët, në Facebook, lënë mbrapa 17 vende anëtare të Bashkimit Evropian. E dhashë këtë shembull për t'ju ftuar për përpjekje të mëdha, për një modernizim të shpejtë e të gjithanshëm të të gjitha shërbimeve që u ofrohen qytetarëve.
Zonja e zotërinj,
Jetojmë në një kohë të veçantë. Sot, sistemi kapitalist është më i fuqishëm se kurrë, më i gjerë se kurrë dhe në ato përmasa që nuk i ka pasur kurrë më parë. Por disa nga motorët kryesorë të këtij sistemi kanë vështirësi e probleme serioze. Eurozona është e pllakosur nga një krizë, një ndër faktorët e së cilës është euro, por më thellë, shkaku më themelor i saj është edhe efekti i globalizmit, apo, me fjalë të tjera, kompetitiviteti i injoruar, në një mënyrë apo në një tjetër. Çka do të thotë se kriza do të jetë afatgjatë. Edhe pasi të vendosen themelet e reja të euros dhe kjo monedhë të shkojë duke tërhequr gjithnjë e më shumë monedha të vendeve të tjera për anëtarësim, sërish nuk mund të thuhet se kriza do të jetë e kapërcyer. Aspak! Kjo është krizë afatgjatë, që në të vërtetë ka të bëjë me thelbin e konkurrencës. Një krizë që kërkon reflektim të thellë për zhvillimet e dy dekadave të fundit. Ka një spostim të madh drejt Azisë. Ndërkohë që Evropa, e analizuar veças, ka potencialet më të jashtëzakonshme, se çdo kontinent tjetër.
I theksova këto, sepse përqendrimi për zgjidhjen e krizës së euros është jetik, i një rëndësie kryesore jo vetëm për popujt e vendet e Eurozonës, por për të gjitha vendet e popujt e Evropës dhe më gjerë, për shkak të peshës së madhe që kjo monedhë ka sot, në tregun monetar botëror. Mirëpo zona jashtë saj përballet me pasojat e kësaj krize dhe e vërteta është se përqendrimi për ta kufizuar këtë krizë në zonën ku ajo ndodhet, është pothuaj inekzistent. Ndaj, thirrja ime si për Komisionin Evropian e në mënyrë të veçantë për institucionet e Bretton Wood është që të përpunojnë një strategji ndihme, në mënyrë që të kufizohet kriza ekzistuese e të parandalohet përhapja e saj. Por kjo strategji nuk do mund të funksionojë, në rast se ajo paraqitet njëlloj sikur nuk ka ndodhur gjë. Kemi të bëjmë me një krizë të thellë në qendër, e cila rrezaton drejt periferisë e ndikon në mënyrë negative vazhdimisht, ndaj duhet një përqasje e përballje emergjente dhe më e veçantë.
Vendet e Eurozonës, me shumë të drejtë theksojnë nga mëngjesi deri në darkë, mungesën e rritjes dhe çfarë të bëjnë për të. Ndërsa vendet që kanë rritje kërcënohen të humbasin rritjen. Kjo do të ishte e dëmshme, fatale, jo vetëm për vendet e zonës jashtë euros, por edhe për vetë vendet e saj. Një takim u bë në Tokio, por nuk dëgjuam të reja apo të veçanta. Para një viti e gjysmë, takova në Tiranë, Guvernatorin e Bankës Qendrorë të Republikës Popullore të Kinës, i cili më informoi se ky vend i kishte dhënë Fondit Monetar Ndërkombëtar 100 miliardë dollarë dhe as edhe një dollar i vetëm nuk kishte përfunduar në vendet në zhvillim, por të tëra, në vendet e zhvilluara. Në rast se ecim në këtë mënyrë, është jashtëzakonisht e pashmangshme kontributi në përhapjen e krizës. Ndaj thirrja ime për bankat e Shqipërisë është të bëjmë gjithçka, në mënyrë që të nxisim rritjen ekonomike, sepse kjo është sot, leva jonë e Arkimedit, për të përballuar pasojat e krizës. Kjo ekonomi është ekonomi vibrante, dinamike, reale, me një proporcion të shkëlqyer midis pagave dhe produktivitetit dhe me një treg pune ndër më fleksibëlit. Kjo ekonomi do oksigjenin e nevojshëm që ajo të vazhdojë në mënyrë të pandërprerë rritjen. Unë jam i bindur se ju do ta përmbushni këtë mision me sukses të plotë, siç keni përmbushur deri më sot, misionin tuaj në Shqipëri. Faleminderit.
Politika Monetare në Shqipëri: Nga e shkuara në të tashmen (Libri i Konferencës)
Programi i Konferencës