Konferenca I e Bankës së Shqipërisë
Informacioni statistikor në Shqipëri
TIRANË, 2 - 3 NËNTOR 2000
Në datat 2-3 nëntor 2000, Banka e Shqipërisë dhe Instituti i Statistikave INSTAT, organizojnë në Tiranë konferencën kombëtare mbi informacionin statistikor në Shqipëri.
Me pjesëmarrjen e një auditori të gjerë, prodhues dhe përdorues të statistikave, përfaqësues të institucioneve shtetërore, komunitetit të biznesit privat, organizatave joqeveritare, institucioneve kërkimore dhe shkencore të vendit, por edhe të të ftuarve nga institucionet ndërkombëtare si FMN, Komisioni Europian, Bordi i Guvernatorëve të Rezervës Federale, Eurostat-it etj., konferenca synon :
Duke vlerësuar gjendjen aktuale të zhvillimit të statistikave, rolin dhe rëndësinë që ka informacioni statistikor në marrjen e vendimeve për politikat ekonomike, të sensibilizojë autoritetet ekzekutive të vendit, komunitetin e biznesit privat dhe publikun në tërësi, për nevojën e mbështetjes prej tyre të zgjerimit të sistemit statistikor.
Të bëjë një vlerësim të burimeve të informacionit, llojit të informacioneve që ofrojnë aktorët e ndryshëm ekonomikë, shkallën e besueshmërisë së tyre, si dhe të prezantojë alternativa për diversifikimin e burimeve të informacionit statistikor.
Gjatë dy ditëve, ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj në fushën e statistikave, do të sjellin në këtë auditor për debate e diskutime, një rreth të gjerë problemesh, duke filluar që nga procesi i tërheqjes dhe i grumbullimit të informacionit statistikor, përpunimi i tij, përdorimi i teknologjive të informacionit, deri në trajtimin e spekteve ligjore e rregullative për këtë qëllim.
Duke shpresuar që niveli i lartë i prezantimeve dhe diskutimet që do të zhvillohen gjatë këtyre dy ditëve, do të kontribuojnë në përmbushjen e qëllimeve tona, ne urojmë gjithashtu, që edhe përfaqësuesit e biznesit privat do të bashkohen me përpjekjet tona në konsolidimin e këtij procesi, që ne kemi nisur së bashku.
Fjala e hapjes së Konferencës së Parë
Nëse bota do të zvogëlohej aq sa një fshat dhe popullsia e botës do të reduktohej në 100 banorë, duke ruajtur të gjitha raportet që ekzistojnë sot, atëherë:
-
Fshati do të kishte 57 aziatikë, 21 europianë, 14 banorë nga Hemisfera Perëndimore, jug dhe veri së bashku, 8 afrikanë.
-
Në fshat do të ishin 52 femra dhe 48 meshkuj.
-
Prej banorëve të fshatit 70 do të ishin me ngjyrë dhe 30 të bardhë.
-
Besimi i tyre do të ishte për 30 vetë i krishter dhe për 70 të tjerët jo i krishter.
-
Vetëm 6 banorë të fshatit do të posedonin 59 për qind të të gjithë pasurisë së kësaj bote dhe të gjashtë do të ishin nga Shtetet e Bashkuara.
-
80 vetë do të banonin në shtëpi me kushte nën standard.
-
Më e trishtueshme, 70 banorë nuk do të dinin të lexonin, 50 vetë do të vuanin nga të ushqyerit keq dhe 1, vetëm 1, do të kishte arsim të lartë. Po ashtu, vetëm 1 person do të kishte kompjuter.
-
Në fshat do të kishte 1 person afër vdekjes, por edhe 1 afër lindjes.
Mirëmëngjes,
Sapo ju lexova këtë informacion statistikor të fushës së demografisë. Informacioni i këndshëm, megjithëse në vështrimin e parë, ngjan me një tablo të trishtueshme të realiteteve të sotme të demografisë globale, paraqet situatën në të cilën gjendet sot popullsia e botës, raportet midis grupeve racore, fetare, situatën e pronësisë, të të ushqyerit, nivelin arsimor dhe ndryshimin e popullsisë. Mbi bazën e këtij informacioni mund të merren vendime edhe për të ardhmen në përmirësim të këtyre raporteve. Me këto fjali do të fillonte çdo koment mbi këto statistika demografike të paraqitura. Por, sot jemi mbledhur jo për të diskutuar apo për të komentuar statistikat demografike, as statistikat fiskale apo monetare e bankare.
Në këto dy ditë do të mbahet konferenca "Informacioni statistikor në Shqipëri", të cilën kam nderin të çel. Diskutimet do të përqendrohen në gjendjen e informacionit statistikor në vendin tonë. Konferenca "Informacioni statistikor në Shqipëri" është e para e këtij lloji, që organizohet si një bashkëpunim i Bankës së Shqipërisë me Institutin e Statistikave. Më lejoni t'ju falenderoj, në emër të të dy institucioneve për pjesëmarrjen tuaj dhe për interesin e treguar. Të shpresojmë që edhe organizuesit e kësaj konference nuk do t'ju zhgënjejnë.
Përse u organizua një konferencë për statistikat, në një kohë kur ekonomia shqiptare mund të ketë probleme të tjera edhe më të rëndësishme? Përse Banka e Shqipërisë është në qendër të një aktiviteti mbi statistikat dhe jo të një konference mbi inflacionin apo kursin e këmbimit? Çfarë kontributi do të sigurojë kjo konferencë për zhvillimin e statistikave?
Përgjigjen e këtyre pyetjeve e gjeta duke shfletuar revistën "The Economist" në të cilën lexova : "Statistikat mund të jenë më të këqija edhe se vetë gënjeshtrat. Por, për bankierët qendrorë ato janë njësoj siç janë faktet për gjykatësit". Të kesh statistika, madje statistika të mira, është një kusht themelor për hartimin e politikave të duhura makroekonomike dhe financiare.
Ky është një konkluzion i arritur prej kohësh prej të tjerëve dhe i provuar në saktësinë e tij. Në Shqipëri, kemi një sistem grumbullimi, përpunimi dhe raportimi të dhënash ende të pazhvilluar. Gjendja e statistikave, në përgjithësi, vlerësohet e mjerueshme. Problemet e statistikave kanë të bëjnë me mungesën totale të një apo disa kategorive statistikore, ekzistencën e statistikave të varfra, raportimin e të dhënave jocilësore dhe me mjaft vonesë që shpesh janë edhe kontradiktore si dhe publikimin minimal të tyre.
Kjo gjendje e informacionit statistikor pengon të kuptuarin e ekonomisë së vendit, pengon analizimin e saktë e të plotë të saj, bën të pamundur kryerjen e parashikimeve si dhe kompromenton procesin vendimmarrës. Në këtë lloj situate institucionet shqiptare, sidomos ato që merren me ekonominë, janë në pozita të vështira për të përmbushur detyrat e tyre.
Nëse do të shprehesha në mënyrë figurative, si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, do të thoja se nuk jam plotësisht i bindur nëse në vendimet për politikën monetare ky institucion ka vepruar si "një gjykatës i drejtë dhe i paanshëm që merr vendim mbi bazën e fakteve të vërteta e të plota". Faktet që servir sistemi statistikor që aktualisht "qëndron në këmbë" në Shqipëri nuk janë garanci për marrje vendimesh të drejta. Kjo gjendje dhe vështirësitë që hasim përditë si prodhues dhe përdorues statistikash u konkretizuan në idenë e përbashkët të Bankës së Shqipërisë dhe INSTAT-it për të organizuar një konferencë që të trajtojë këtë problem. Askush nuk duhet të mendojë se organizimi i konferencës do të çojë në zgjidhjen e të gjitha problemeve që po hasim. Qëllimi i saj është të sensibilizojë opinionin mbi rëndësinë që kanë statistikat për një shtet, një institucion, një biznes, një familje madje edhe për një individ. Konferenca kërkon të tërheqë vëmendjen e të gjitha grupeve që, në një mënyrë apo në një tjetër, kanë nevojë për statistikat mbi gjendjen e tyre dhe të shpjegojë se sa e dobishme është të investohet për zhvillimin e tyre. Për këtë arsye, siç do të paraqitet gjatë dy ditëve të konferencës, referuesit do të trajtojnë gjerësisht problemet që ekzistojnë në këtë fushë. Është po për këtë arsye që edhe auditori i konferencës është i gjerë dhe përfshin qeveritarë, institucione shtetërore, përfaqësues biznesi apo akademikë.
Statistikat në Shqipëri në këto vite kanë patur zhvillim të konsiderueshëm dhe kjo nuk mund të mohohet. Sidomos të rëndësishme janë përpjekjet për përafrimin e tyre me standardet ndërkombëtare. Për të arritur këtë janë hartuar dhe zbatuar mjaft projekte. Të tjera janë në proces zbatimi apo hartimi. Mjafton të përmend faktin që Shqipëria është zgjedhur prej FMN-së si një vend pilot për zbatimin e Sistemit të Shpërndarjes së të Dhënave të Pëgjithshme dhe ka marrë vlerësime pozitive për ecurinë e deritanishme të zbatimit të këtij sistemi. Por, më lejoni që sot të përqendrohem në disa mangësi që ende ka sistemi statistikor në vendin tonë.
Shqipërisë i mungon sistemi i llogarive kombëtare. Një pjesë e të dhënave të raportuara, përfshi PPB, janë vlerësime dhe jo matje faktike. Metodologjitë e përdorura për matjen e disa treguesve janë ose të pasakta ose të vjetëruara. Mjafton të përmend matjen e IÇK. Informacioni statistikor është i cunguar në kohë dhe në fushat që ai mbulon. Për shembull, sektori privat në pjesë të konsiderueshme të tij nuk raportohet dhe për pasojë nuk ka të dhëna për të. Një pjesë e madhe e ekonomisë mbetet e paevidentuar. Këtij kufizimi i shtohen seritë kohore, që datojnë në fillim të viteve '90. Informacioni statistikor ende ka mbetur "i mbyllur në kasaforta". Mjaft të dhëna apo tregues nuk publikohen. Edhe ato që publikohen arrijnë me vonesë tek përdoruesit e tyre ose janë privilegj i një numri të kufizuar përdoruesish. Shkalla e shkëmbimit të informacionit statistikor është e ulët. Duke thirrur në ndihmë shprehjet matematikore do të thoja se "Ky pohim është i vërtetë për subjekte publike dhe private, për institucione shtetërore dhe individë. Me fjalë të tjera, ky pohim vërtetohet në të gjithë bashkësinë.". Nuk e teproj kur them se ka institucione shtetërore, të cilat refuzojnë të japin të dhëna edhe kur ato nuk klasifikohen si të dhëna sekret. Nga ana tjetër, ka mosbesim të sektorit privat dhe të individëve në deklarimin e të dhënave, që kërkohen prej INSTAT-it apo institucioneve, që ligji ua jep këtë të drejtë. Po ashtu edhe bashkëpunimi i tyre në vrojtimet statistikore, kur garantohet ruajtja e konfidencialitetit, është minimal. Të gjitha këto mangësi të renditura më sipër kufizojnë vizionin tonë për gjendjen e ekonomisë së vendit, pasi lënë jashtë pjesë të tëra të saj. Por, ato ofrojnë dhe një pamje relativisht të shtrembëruar edhe për pjesën që arrijnë të matin. Për fat të keq, prej kësaj situate dëmtohemi të gjithë.
Së pari, Qeveria dhe institucionet publike nuk sigurojnë dot informacionin e nevojshëm për vlerësim të plotë e të saktë dhe për marrje vendimesh sa më të drejta e të dobishme.
Së dyti, biznesi privat ballafaqohet me vendime që mund të jenë të dëmshme për të, por, njëkohësisht, edhe ai vetë nuk ka në dorë mjetet që e ndihmojnë të analizojë dhe të zhvillojë sipërmarrje të suksesshme.
Së fundi, çdo familje, e madje çdo individ, kufizohet në aktivitetin e tij për shkak të mungesës së infomacionit duke humbur mjaft mundësi.
Mund të numërojmë mjaft mangësi dhe dëme të tjera. Referuesit në këtë konferencë do të krijojnë një vizion më të plotë e më të qartë. Ata, gjithashtu, do të rendisin dhe propozime racionale e të dobishme për të përmirësuar këtë situatë. Unë dua të ndalem në tre elemente, të cilat i besoj si të rëndësishme në përmirësimin e statistikave:
Investim në fushën e statistikave. Jemi familjarizuar me kërkesat për rritje investimesh të huaja, rritje investimesh private apo publike. Këtë herë kërkohet investim serioz, sidomos i Qeverisë, në fushën e statistikave. Zhvillimi i tyre ka nevojë të përfshihet në listën e prioriteteve.
Transparencë në raportimin e informacionit statistikor. Më tepër të dhëna ka nevojë të publikohen dhe të raportohen. Këto të dhëna duhet të vihen në dispozicion të më shumë përdoruesve.
Edukim i subjekteve ofruese të informacionit. Individët, bizneset, institucionet dhe çdo subjekt tjetër kanë nevojë të kuptojnë se nuk dëmtohen nga deklarimi i informacionit. Përkundrazi, vullneti për të bashkëpunuar në shkëmbimin e informacionit ndihmon atë dhe të tjerët për vendime më të mira.
Duke ju falenderuar për vëmendjen tuaj, ju ftoj të reflektoni për këto çështje dhe të diskutojmë për të ofruar mendime dhe propozime sa më racionale për zhvillimin e statistikave. Çdo kontribut i juaji është i mirëpritur dhe i dobishëm.
Ju faleminderit !
Dr. Shkelqim Cani
Guvernator
Fjala përshëndetëse në Konferencë
Të nderuar pjesëmarrës,
Është një gjë shumë e mirë, që, më së fundi, u arrit të organizohet kjo konferencë kombëtare me temë "Informacioni statistikor në Shqipëri". Shpresoj shumë që ajo të reflektojë dëshirat e përpjekjet për të analizuar sistemin statistikor në thellësinë dhe cilësinë e tij, duke nxjerrë në dritë problemet dhe të përcaktojë rrugët për riparimin e tyre, për rritjen e besueshmërisë statistikore, për futjen e teknologjive të reja, për shtimin e burimeve të informacionit, veçanërisht nga sektori privat, etj.. Stadi i zhvillimit ku po ecën Shqipëria e bën të domosdoshëm një reflektim të tillë, e bën të domosdoshëm adoptimin e lidhjen në vazhdimësi të këtij sistemi në skemën botërore të sistemeve të ngjashme. Si studiues e konsumator i rregullt statistikash, qofshin ato për ekonominë, demografinë, fusha të tjera sociale, etj., kam patur, përgjithësisht, vështirësi në shifrimin e drejtë të tyre, për pasojë edhe në nxjerrjen me kthjelltësi të përfundimeve të drejta. Natyrisht ,syri me të cilin i kam parë është relativisht i stërvitur, të paktën përsa i përket metodave të përdorura të përllogaritjes, teorive të gabimit, etj., që përfaqësojnë një bazament të përbashkët për të gjitha shkencat, që i përdorin statistikat dhe teknikat e metodikat e saj, si një mënyrë për të njohur realitetin kompleks që studiojnë, për të bërë krahasime dhe për të ndërtuar përfytyrime të sakta për ndryshimin apo vlerësimin pozitiv të tij. Pikërisht mbi bazën e kësaj eksperience paraprake, reflektimeve të herëpashershme, mund të them se, aktualisht, gjendja e statistikave shqiptare është problematike.
Ky përfundim i imi mbështetet në bindjen se sistemi, i cili përfaqësohet këtu, në rradhë të parë, nga institucioni kryesor përpunues i tyre, INSTAT, ushqehet nga një informacion i pjesshëm dhe jo rrallë dhe i pasaktë, nga një informacion i vonuar në kohë, nga një mungesë zhdërvjelltësie në përpunimin dhe korrigjimin kohor, nga mungesa e një sistemi të organizuar mirë të llogarive kombëtare në kuptimin më të gjerë të fjalës. Gjithashtu, ndjehet qartë nevoja e përpunimit të teknikave të vrojtimit dhe të ashtuquajturave teknologji të survey - research (të vëzhgim - kërkimit). Në këtë kuptim, një vëzhgim statistikor për "ribërjen" e shportës, qoftë me rritje artikujsh dhe zërash, qoftë me ndryshim të peshave të tyre, do të ishte i dobishëm dhe në kohën e duhur, për të saktësuar normën e inflacionit, dhe për të përfaqësuar e pasqyruar realitetin e ri krejt të ndryshëm nga ai i 7-8 vjetëve më parë. Po kështu, ia vlen të vëzhgohet e të studiohet problemi i këmbimit në "tregje të hapura" (në rrugë e në sheshe) për ta kaluar atë në sistemin normal "të tregut të mbuluar", nëpërmjet agjencive të licencuara e të kompjuterizuara. Natyrisht, analiza mbi arsyet e nxitjes së vëzhgimit të këtyre çështjeve do të kërkonte kohë të gjatë dhe njerëz të tjerë për t'i shqyrtuar, por unë shpresoj se cilësia e pjesëmarrjes, mënyra e drejtë e fokusimit mbi këto probleme apo probleme të ngjashme, nga organizatorët dhe pjesëmarrësit e konferencës do të krijojnë kushtet për të përmirësuar informacionin në këta sektorë me vlera të veçanta në zhvillimin tonë të përgjithshëm.
Së bashku me ju, mund të pohoj dhe unë rritjen e angazhimit kohët e fundit të INSTAT dhe drejtuesve apo të ekspertëve të tij, për të minimizuar efektet negative apo për të përmirësuar cilësinë e inputeve dhe adoptimin e teknologjive e reja për përftimin e statistikave. Por, megjithatë, po njëlloj mund të pohohet se vështirësitë për njerëzit që ushqehen me statistika, për politikëbërësit realë, ekzistojnë qartësisht dhe madje janë shtuar, duke mos pasqyruar nevojën dhe ritmin e zhvillimit. Pikërisht, nisur nga rendi i përparësive të përqëndrimit të vëmendjes, të sugjeruar dhe nga organizatorët, unë do të ndalesha tek disa prej tyre. Kjo është mjaft e rëndësishme në drejtim të përmirësimit të vendimmarrjes, e cila mbështetet nga njëra anë mbi inputet, që ofron sektori statistikor në shtrimin e ekuacioneve të veta për të identifikuar politikat më të drejta. Nga ana tjetër, vetë ky proces është mbështetur tek analiza e faktorëve apo e indikatorëve të realitetit që merret në shqyrtim, qoftë ky ekonomik, demografik apo shoqëror. Dhe është e qartë se analiza nuk mund të prodhojë veçse përfundime të gabuara në rast se ushqimi i saj është jocilësor.
Analiza e drejtë është themel i prognozave të zhvillimit dhe i parashikimeve të detajuara për institucionet politikëbërëse. Pra, bëhet e qartë tabloja e dëmit dhe efektet e tij për vetë sistemin tonë politiko-shoqëror, si pasojë e gjendjes problematike në sistemin tonë statistikor. Unë mendoj, se për shkak të difekteve të tij, për shkak të situatave detyruese, të optikave të kufizuara apo sektoriale të njerëzve, që hartojnë programet, logjikave të tipit të zgjidhjes së çastit, me të cilat jemi ballafaquar deri tani, në këtë periudhë të gjatë e të vështirë tranzicioni, shoqëria jonë akoma vuan nga sindromi i emergjencave dhe i afatshkurtrës. Ndryshe mund të themi se politika jonë nuk ka qenë vizionare; ajo duhet të bëhet e tillë dhe po bëhet e tillë. Mjafton të marrim në analizë sektorin hidroenergjitik për të kuptuar pasojat. Për mbi 15 vjet rresht nuk është insistuar në shtimin e burimeve prodhuese të energjisë, në fuqizimin e rrjetit të shpërndarjes, në administrimin me koncepte të ekonomisë së tregut dhe me nikoqirllëk të kësaj pasurie të madhe kombëtare. Prandaj dhe gjendja aty nuk i përgjigjet stadit aktual të zhvillimit, pa le të jetë dhe afatgjatë, domethënë t'u paraprijë kërkesave për një zhvillim të shpejtë ekonomik e shoqëror, rritjes së investimeve prodhuese, turizmit, etj.. Natyrisht, nuk po e thelloj analizën time në këtë drejtim për të mos dalë jashtë kornizave të aktivitetit tuaj.
Mendoj të drejtë dhe vërtet parësor forcimin e bazës ligjore për statistikat, bazë e cila prek organikisht një numër të madh subjektesh. Kësaj baze të re i nevojitet, doemos, një organizim i ri strukturor dhe mbështetje më e madhe financiare. Në thelb, kjo bazë ligjore duhet të përmbajë në mënyrë të qartë rolin e statistikave dhe të agjencive të specializuara të grumbullimit e të përpunimit të të dhënave, që nga ana e tyre, të shërbejnë si mbikëqyrëse të çmimeve, të prodhimit e shërbimeve, të zhvillimit shoqëror, të nivelit të punësimit, të hyrjes apo daljes së firmave e njësive të ndryshme nga këto aktivitete, etj.. Pra, si të thuash, të realizohet nga ana e shtetit një kontroll pa pronësi, mbi prodhimin, shërbimet, treguesit socialkulturorë, ekonomikofinanciarë, demografikë, etj.. Natyrisht, kjo nënkupton dhe ndërtimin e mekanizmave detyrues për raportimin statistikor nga niveli më i ulët në atë më të lartë, por edhe për ruajtjen e konfidencialitetit përpara verifikimit dhe përpunimit të tij. Në mënyrë të programuar dhe më mirë duhet të punohet më shumë në racionalizimin e burimeve dhe në kualifikimin e punonjësve të angazhuar në këtë sektor.
Gjithashtu, në planin e burimeve njerëzore, duhet rritur më tej përgjegjësia dhe besueshmëria për cilësinë e raportimeve, e shoqëruar dhe e garantuar dhe me penalitete për mungesën e saj. Dhe kjo vlen si për nivelin qendror, ashtu edhe atë vendor. Po e nënvizoj këtë, sepse duke studiuar të dhënat e fundit të INSTAT-it për gjashtë tremujorë dhe duke krahasuar evolucionin e tyre kohor, më rezultuan shumë pyetje dhe probleme. Për ilustrim, po marr vetëm tabelat e përllogaritjes së punësimit apo të nivelit të papunësisë. Lidhur me këtë përllogaritje, do të sugjeroja, që në fillim, që llogaritja e papunësisë të bëhet në bazë të punësimit, duke marrë në konsideratë dhe koeficientët përkatës të vrojtimit për punën në të zezë, nëpërmjet testimeve të tregut, testimeve në fushën e shërbimeve dhe të ndërtimit, vrojtimeve dhe kontakteve të drejtpërdrejta me njerëzit e biznesit dhe vetë konsumatorët, për të grumbulluar informacionin e domosdoshëm të tërthortë, krahas informacionit të drejtpërdrejtë nga institucionet shtetërore. Megjithatë, unë, për thjeshtësi, po ndaloj vetëm në të dhënat e punësimit për fshatin.
Dy pyetje godasin që në fillim: në rradhë të parë, a ka mundësi që kjo e dhënë të jetë e njëjtë për gjashtë tremujorë domethënë për një periudhë tetëmbëdhjetëmujore, duke patur parasysh dukurinë e emigracionit apo të migracionit të brendshëm? Dhe së dyti, punësimi sezonal nuk është dukuri që shfaqet edhe në Shqipëri? Edhe nga ky ilustrim i thjeshtë, si problem i parë del çështja e korrektimit, e dinamizmit statistikor, domethënë e pasqyrimit kohor e të shpejtë të vetë ndryshimit, qoftë ky afatshkurtër, afatmesëm apo afatgjatë. Për këtë arsye, angazhimi në këtë sektor jo vetëm i specialistëve, i kompetentëve-përpunuesve, por edhe i dikastereve të ndryshme, që janë dhe ushqyesit dhe përdoruesit kryesorë të statistikave, e bën të domosdoshëm forcimin e bashkëpunimit midis Institutit të Statistikave dhe atyre, por edhe vetë institucioneve, dikastereve dhe organeve të pushtetit vendor me njëri-tjetrin, në funksion të përmbledhjes, të përpunimit e përftimit të shpejtë dhe cilësor të të dhënave, që ushqejnë sistemin. Kjo nënkupton dhe krijimin e hartës statistikore për të përcaktuar në mënyrë korrekte detyrimin dhe llojin e statistikave të çdo institucioni, por, njëkohësisht, edhe zgjerimin e "auditorit", duke përfshirë këtu krahas institucioneve qendrore, Kuvendit e Qeverisë, dhe mjediset dhe organizmat ekonomikë, institucione të huaja, persona privatë, median dhe publikun e gjerë.
Pra, çalon shkëmbimi i informacionit për shkaqe të ndryshme objektive dhe subjektive, prandaj dhe duhet synuar mënjanimi i pengesave për një shkëmbim optimal informacioni. E për këtë duhet punuar, krahas rritjes së shkallës së kualifikimit edhe për futjen dhe përdorimin efikas të lidhjeve elektronike, të krijimit të rrjetit statistikor dhe të bankës së të dhënave. Akoma më tej, duhet të synohet që të rritet transparenca për të dhënat statistikore, duke organizuar një fushatë sensibilizimi në çdo nivel, veçanërisht në sektorin privat dhe tek individët për t'i përfshirë ato dhe për të bërë të njohur sistemin e marrëdhënieve, që ato krijojnë në aktivitetin e tyre të përditshëm e që domosdoshmërisht prek zhvillimin shoqëror, në përgjithësi. Por, ka edhe një argument tjetër thelbësor për të ndryshuar, madje për të përmbysur gjendjen dhe vlerësimin aktual mbi statistikat, veçanërisht me shtrirjen e sistemit të telekomunikacionit dhe të internetit, bashkëshoqërues të tij. Në fund të fundit, nëpërmjet internetit bëhet e mundur të integrohen ato parime të mëdha, mbi të cilat ngrihet tregu i shkëmbimit të lirë dhe zhvillimi harmonik e liberal i ekonomisë së tregut, të përcaktuar në mënyrë klasike nga Adam Smith.
Një prej tyre është dhe mundësia për të patur akses në informacion për të gjithë ofruesit e kërkuesit e pranishëm në treg, por edhe për të patur njohje mbi parametrat e tjerë të zhvillimit socialkulturor, teknikoprofesional dhe ekonomikofinanciar. Nga përgatitja, saktësia e transparenca e statistikave plotësohet, në mënyrë të drejpërdrejtë apo të tërthortë, dhe kërkesa tjetër e transparencës së tregut, e krahut të punës dhe e nivelit të kualifikimit, krahas kërkesës së transparencës ndaj publikut. Kjo ndihmon në interpretimin e fakteve, në orientimin e drejtë të biznesit e të konsumatorit, në vënien në funksionim efektiv të mekanizmit të kërkesë-ofertës për tregun dhe investimet e reja, për orientimin e tyre, etj..
Pra, nuk mund të lihet mënjanë edhe rëndësia që ka edukimi i publikut, në përgjithësi, apo i konsumatorit në veçanti si dhe efektiviteti i këtij procesi. Për këtë, krahas transparencës brenda e jashtë sistemit statistikor dhe ndërthurjes shumëpërmasore të tij, del si domosdoshmëri dhe pavarësia e institucioneve statistikore, aq më tepër e të dhënave statistikore, ndaj politikës dhe ndikimit të saj të drejtpërdrejtë apo të tërthortë. Personalisht, e quaj, tepër pozitive dhe të domosdoshme këtë pavarësi, duke nënkuptuar dhe përfshirjen e biznesit privat në këtë proces, madje nën këtë optikë duhet inkurajuar rritja e rolit të dhomave të tregtisë dhe industrisë në këtë rrjedhë, nëpërmjet botimeve të ndryshme, faqeve në internet, katalogjeve apo vjetarëve specifikë, përfshirjes së të dhënave rajonale e kombëtare lidhur me ndërmarrjet private, llojin e sasinë e prodhimeve apo të shërbimeve, shkallën e punësimit, nivelin e teknologjive të përdorura, etj.. Njëkohësisht, i quaj me vend përpjekjet e Bankës së Shqipërisë dhe angazhimin e saj përfshirës në procesin e zhvillimit të nivelit, përmbajtjes dhe saktësisë së statistikave. Do të doja ta mbyllja këtë lloj "meditimi", nga njëra anë, me inkurajimin e përpjekjeve për përmirësimin e tablosë statistikore, dhe, nga ana tjetër, për t'u përfshirë apo integruar dhe sistemi ynë në sistemet rajonale apo globale të statistikave, qoftë nga pikëpamja teknologjike, qoftë nga pikëpamja e shkëmbimit të informacionit. Një shembull pozitiv mund të konsiderohet përfshirja e Shqipërisë si një vend pilot në Sistemin e Shpërndarjes së të Dhënave të Përgjithshme (GDDS) dhe vetë kalimi me sukses i fazës së parë të këtij projekti. Kjo është rruga jonë e integrimit nëpërmjet zhvillimit. Në fund të fundit, hapja e imponon këtë përfshirje, e cila nga ana e saj do të ndikojë, pa dyshim, në rritjen e cilësisë së informacionit e të sistemit statistikor shqiptar.
Suksese dhe faleminderit !
Rexhep Meidani
President i Republikës së Shqipërisë
Prezantimet dhe diskutimet në Konferencë
-
Statistikat zyrtare gjatë transformimeve demokratike - Milva Ekonomi, Drejtore INSTAT
-
Statistikat makroekonomike në Shqipëri: një pamje nga FMN - Armida San Jose, Departmenti i Statistikës, FMN
-
Informacion për Politikën Monetare - Dennis Farley, Drejtor, Rezerva Federale
-
Statistikat e parasë dhe të Bankave: Arritje dhe sfida për të ardhmen - Gramoz Kolasi, Departamenti i Kërkimeve, Banka e Shqipërisë.
-
Ndërtimi i llogarive të vendit dhe statistikat - Gjergji Mano, INSTAT
-
Dialogu memec i bilancit të pagesave: shkaqet, implikimet dhe rekomandimet - Altin Tanku, Departamenti i Kërkimeve, Banka e Shqipërisë.
-
Ligji dhe Statistikat - Neritan Kallfa, Këshilltar Ligjor, Banka e Shqipërisë
-
Zhvillimet në statistikat fiskale të qeverisë - Ermira Skënderi, Ministria e Financave
-
Mbi statistikat e bujqësisë dhe ushqimit - Seri Allushi, Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit
-
Statistikat e punësimit: anketa e forcës së punës e Bashkimit Europian - Ana Franco, Eurostat
-
Roli i të dhënave statistikore në hartimin e politikave ekonomike në Shqipëri - Ilir Ciko, Ministria e Privatizimit dhe Ekonomisë