Konferenca III e Bankës së Shqipërisë
Banka e Shqipërisë në dekadën e dytë të tranzicionit

TIRANË, 5 -6 DHJETOR 2002

Fjala e hapjes së Konferencës së Tretë

Të nderuar zonja dhe zotërinj, të dashur miq dhe bashkëpunëtorë,

Jam sinqerisht i nderuar dhe i lumtur që keni respektuar Bankën e Shqipërisë dhe stafin e saj me praninë tuaj në këtë sallë. Duke dashur të them pak fjalë dhe të shpreh shumë falenderim, do të përpiqem të mos zgjatem dhe të marr minutat e punës së kësaj Konference.

Miq të nderuar!

Banka e Shqipërisë, mjaft e re në moshën e saj ka tashmë një profil të thjeshtë, por krejtësisht të vetin, me të cilin ndoshta nuk mund të mburret, por mund të prezantohet si e barabartë midis homologeve të saja. Në këta 10 vjet ajo ka mundur të zërë vendin që i takon në rradhën e institucioneve të respektuara financiare të vendit dhe sëbashku me to, të japë me përkushtim, ndihmesën e saj në krijimin e tablosë së re të financave dhe ekonomisë shqiptare.

Në këtë mënyrë është zhvilluar dhe, njëkohësisht, ka ndihmuar zhvillimin e ekonomisë së vendit duke përfituar dhe duke dhënë diçka nga vetja në çdo hap të hedhur. Siç mund ta dimë të gjithë ne, kjo lloj marrëdhënieje që ka në bazën saj dëshirën e mirë dhe ndershmërinë reciproke të intitucionit me qytetarët e vendit të tij, asnjëherë nuk është e thjeshtë. Ka koston e saj të zhvillimit, ka çmimin e saj të inteligjencës dhe të shpirtit, ka mbi të gjitha vlerën e besimit!

Banka e Shqipërisë i ka hedhur hapat e saj të ngadaltë, por të sigurt dhe në rrugën që ka zgjedhur të ndjekë është orientuar vazhdimisht drejt shembullit më të mirë, më të përparuar dhe më të sigurtë. I pari i ka shërbyer për të përfituar vëmendjen e institucioneve financiare ndërkombëtare; i dyti i ka dhënë të drejtën të synojë vazhdimisht për më shumë; i treti e ka bërë të jetë këmbëngulëse në atë që pretendon nga e ardhmja.

Duke dashur të mbetem besnik i premtimit tim të fillimit, për të mos marrë kohën e çmuar të të gjithëve ne, po përfundoj duke dashur të shpreh respektin tim për të gjithë ata që me punën e tyre modeste, kanë ndihmuar në krijimin e një brezi të bankierëve shqiptarë.

Duke uruar për një punë të mbarë dhe të vlefshme në këto dy ditë ju falenderoj edhe një herë që jeni të pranishëm.

Shkëlqim Cani
Guvernator i Bankës së Shqipërisë


Fjala përshëndetëse nga z.Fatos Nano, Kryeministër

I nderuar zoti Guvernator i Shqipërisë!
Të nderuar drejtues dhe përfaqësues të bankave partnere!
Të nderuar pjesëmarrës!

Kam kënaqësinë të përcjellim së bashku një dekadë veprimtarie dhe progresi të bankës qendrore të Shqipërisë dhe të orientojmë angazhimet në modernizimin dhe integrimin e sistemit tonë bankar me atë europian dhe global në dekadën e re.

Jo vetëm Banka e Shqipërisë, por gjithë sistemi bankar shqiptar po mbyllin ciklin e tyre tranzitor për t'u përfshirë më mirë në sfidat kombëtare të konsolidimit të ekonomisë së tregut, të rritjes së saj të qëndrueshme nëpërmjet zhvillimit të aftësive konkurruese të sipërmarrjes vendase në tregjet rajonale, europiane e globale etj..

Në këtë dekadë të veprimtarisë së vet, Banka e Shqipërisë ka luajtur pa dyshim rolin kryesor në formimin dhe në konsolidimin e sistemit bankar në vend, si dhe ka asistuar qeveritë në hartimin dhe zbatimin e reformave që instaluan edhe në Shqipëri ekonominë e lirë të tregut. Mendoj se tashmë banka qëndrore ka eksperiencën dhe kapacitetet e duhura për të rritur rolin dhe ndikimin e saj në zhvillimet ekonomike të vendit, si një institucion shumë i rëndësishëm i shtetit dhe partner ligjor i qeverisë. Kalimi i sistemit bankar nga monopoli i shtetit në dominancë private është treguesi më përgjithësues i punës së Bankës së Shqipërisë dhe i traditës që ajo tashmë ka krijuar. Më lejoni të përfitoj nga ky mjedis profesionistësh bankierë dhe financierë për të ndarë me ju si Kryeministër, disa vlerësime për të kuptuar dhe vepruar së bashku në përmirësimin e mëtejshëm të sistemit bankar, të parametrave dhe të performancës së ekonomisë kombëtare në tërësi.

Bazuar në statusin ligjor të Bankës së Shqipërisë si "këshilltar i qeverisë" dua të kërkoj një angazhim më të spikatur të këtij institucionui për realizimin e prioriteteve të programit, veçanërisht në luftën ndaj ekonomisë cash, ndaj evazionit fiskal, ndaj fragmentarizimit të kapitaleve të zhvillimit publik ose privat. Të gjitha këto prioritete nuk do të mund të realizohen pa një angazhim të drejtpërdrejtë dhe një bashkëpunim më të ngushtë mes Qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë. Me këtë nuk po kërkoj që Banka e Shqipërisë të heqë dorë nga pavarësia e saj kushtetuese dhe ligjore, por po e ftoj të forcojmë bashkëpunimin në dobi të zhvillimit të vendit dhe të formalizimit të tregut kombëtar në tërësi. Kjo do të thotë se nuk mjafton të takohemi dhe të bashkëpunojmë sa herë na rastis që politikat monetare të Bankës interferojnë me politikat fiskale të qeverisë. Ne duhet të programojmë së bashku zhvillimin e një ekonomie formale të tregut, me një sistem bankar dhe financiar që i zhvendosin paratë dhe transaksionet në banka, që orientojnë kursimet dhe kapitalet e fjetura në prioritete zhvillimi të programuar dhe të qëndrueshëm, që rrisin besimin e konsumatorëve dhe të sipërmarrësve tek leku. Me paketën e re fiskale që shoqëron projektbuxhetin 2003, si dhe me disa akte të tjera ligjore e nënligjore që nxisin sipërmarrjen e ligjshme duke thjeshtuar dhe saktësuar procedurat administrative, doganore, fiskale etj., qeveria ka programuar një transformim rrënjësor të sistemit fiskal në vend, për të futur në rrugën përfundimtare të kurimit, dizincentivat ekonomike, evazionin fiskal dhe karakterin ende të lartë informal të ekonomisë.

Që kjo reformë transformuese të japë efekte të plota mbi ekonomi, duhet të shoqërohet patjetër me një reformë të thellë, gjithashtu, në sistemin financiar dhe atë bankar. Nuk mund të ruajmë ritme të larta të rritjes së PBB-së duke u bazuar më tej në ekonominë familjare që investon kursimet e brendshme. Aq më pak këto ritme ruhen kur bujqësia dhe ndërtimi, dy degët kryesore kontribuese në prodhimin e brendshëm janë pothuajse krejtësisht jasht skemës bankare të kontrollit apo të financimit. Si Kryeministër do të kërkoja kontributin tuaj të nderuar bankierë, për një rol të ri të sistemit bankar në performancën e tregut. Me këtë dua të them se nuk është normale që për shembull, në industrinë e ndërtimit, bankat kreditojnë blerës individualë apartamentesh, të cilët më pas shfaqen para zbatuesve të projekteve (që gabimisht quhen investues) si investitorë të vegjël, ndërkohë kur pozicioni i bankave duhet të ishte në rolin e investitorit.

Dua të ndaj me ju bindjen se progresi i sistemit bankar shqiptar nuk mund të vlerësohet vetëm me uljen e rrezikut të kthimit të kredive, por me portofolin e kredive që ky sistem injekton në ekonominë kombëtare. E nënvizoj këtë fakt sepse në 3 vitet e ardhshme roli i bankave do të jetë jetik për ekonominë kombëtare. Për shkak të reformave të suksesshme të zhvilluara këto vite në ekonomi dhe në konsolidimin e parametrave makro, Shqipëria po i largohet nivelit të vendeve që përfitojnë kredi dhe donacione zhvillimi me terma të butë nga organizmat ndërkombëtarë partnerë apo nga bankat e zhvillimit. Afrimi i këtij momenti është sa pozitiv e vlerësues për ecurinë e reformave, aq edhe obligues, në veçanti për Qeverinë dhe Bankën e Shqipërisë. Ky moment bëhet më i natyrshëm pikërisht sot kur zyrtarisht Qeveria fillon procesin e negociatave tashmë për një marrëveshje Stabilizim Asociimi me Bashkimin Europian. Zvogëlimi i financimeve të huaja me terma të butë nga njëra anë, angazhimi për të reduktuar më tej borxhin e brendshëm dhe atë të huaj si dhe përballimi me sukses i sfidave të stabilizim - asociimit, shtrojnë dy alternativa themelore për mundësitë e zhvillimit të ekonomisë në 10 vitet e ardhshme.

  1. Mobilizimi i të gjitha kapitaleve të brendshme për t'i orjentuar në programe investimesh prioritare zhvillimi.
  2. Thithja e investimeve të huaja direkte.

Dhe besoj se askush nuk dyshon që këto dy alternativa komplementare me njëra - tjetrën kanë nevojë për një partneritet krejt tjetër mes Qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë si zemra e sistemit bankar shqiptar.

Besoj se nga kjo analizë fare e shkurtër kuptohet se vendit i duhet një sistem financiar i shëndoshë dhe i shtrirë. Kapitalet individuale apo familjare janë të pafuqishme dhe të pamjaftueshme të rriten pa mbështetjen e një sistemi financiar të përshtatshëm. Për shkak të mungesës së një sistemi financiar modern, të ndërmjetësave financiarë, të fondeve private të zhvillimit dhe më në fund të tregut të kapitaleve, investimet individuale janë orientuar në sektorë që nxisin konsumin, por nuk prodhojnë. Qeveria mirëpret jo vetëm sugjerimet, por dhe një bashkëpunim të ngushtë me komunitetin bankar dhe financiar në vend për të mundësuar krijimin e tregut financiar dhe të atij të kapitaleve në Shqipëri. Si Kryeministër dhe si partner ligjor ftoj Bankën e Shqipërisë të punojmë bashkarisht dhe shpejt për të krijuar instrumentet dhe institucionet që orientojnë më drejt paranë dhe kapitalet në sektorët më produktivë dhe më konkurrues të ekonomisë kombëtare, e cila tashmë po bëhet më vulnerabël në procesin e hapjes dhe të integrimit rajonal dhe global.

Një element tjetër, që përcakton një rol të ri të Bankës së Shqipërisë dhe të sistemit bankar e atij financiar në ekonominë kombëtare është dhe përshpejtimi i proceseve të hapjes dhe të integrimit, ne duhet të mbetemi kompetitivë në këtë ecuri. Përveç reformave transformuese për të përballuar sfidat e integrimit evropian, Shqipëria është e angazhuar tashmë dhe në zbatimin e një sërë marrëveshjesh të tregtisë së lirë me vendet e rajonit. Fillimi i zbatimit të këtyre marrëveshjeve do të rrisë konkurrencën në tregun rajonal dhe do të japë pa dyshim ndikim në rritjen e vëllimit të shkëmbimeve tregtare si dhe në monedhat kombëtare respektive. Nuk dua të hyj në debatin euroizim administrativ apo natyral i ekonomisë sonë. Por, dua të kërkoj nga ju bankierët të merren të gjitha masat që leku të përballojë këtë proces hapjeje dhe liberalizimi të ekonomisë sonë, duke garantuar nxitjen e investimeve të sipërmarrësve vendas dhe të huaj direkte në ekonominë e vendit.

Dhe së fundmi, dua të ndalem në një pikë që ka nevojë për një këndvështrim dhe trajtim krejtësisht të rim: deficiti i buxhetit. Qeveria ka kryer investime publike dhe ka gjeneruar deficit sepse vendi, ekonomia dhe popullata kanë nevojë t'iu sigurohen infrastrukturat dhe shërbimet bazë. Banka e Shqipërisë është në lartësinë ligjore të realizimit të detyrimeve të veta kur kërkon uljen e deficitit dhe Qeveria është e angazhuar ta bëjë këtë gjë. Qeveria nuk do të gjenerojë deficit të dëmshëm për ekonominë dhe parametrat makro kur sistemi bankar të jetë i aftë të kreditojë projekte kombëtare apo rajonale zhvillimi dhe rritje të qëndrueshme. Investimet publike edhe sot janë në minorancë përballë investimeve private në nivel kombëtar, por ritheksoj se sipërmarrja private ende në nivele "të shkëmbimit barter" na bën të ritheksojmë angazhimin për të plotësuar vakumet e instrumenteve dhe të institucioneve të tregut financiar që thithin dhe më pas orientojnë në investime produktive kursimet individuale të brendshme . Me këtë pohim nuk neglizhoj aspak detyrat e qeverisë dhe të shtetit për të konsoliduar më tej mjedisin ekonomik, ligjor e social apo për të kuruar sistemin e administrimit publik dhe të drejtësisë ne veçanti. Por, angazhimi ynë si ekzekutiv dhe legjislativ do të rrezikohej pa një performancë të menjëhershme të sistemit bankar në përballimin e sfidave të zhvillimit, të modernizimit dhe të integrimit që kemi përpara, e ritheksoj duke mbetur kompetitivë.

Duke përfunduar me lejoni t'ju uroj edhe një herë përvjetorin e Bankës së Shqipërisë dhe të sistemit të ri bankar shqiptar dhe garantoj në emër të Qeverisë angazhimin maksimal për të reformuar së bashku ekonominë kombëtare drejt standardeve moderne dhe evropiane.

Ju faleminderit!

Fatos Nano
Kryeministër


Fjala përshëndetëse nga Ambasadori Britanik, Sh.T.Z. David Landsman.


Botime të përgatitura me rastin e Konferencës :

Prezantimet e Departamenteve

Fletëpalosje

Broshurë

Pak fjalë për Bankën Qendrore


Prezantimet dhe diskutimet në Konferencë