Mbikëqyrja
Banka e Shqipërisë ka të drejtën ekskluzive të licencojë ose revokojë licencën për ushtrimin e veprimtarisë bankare, si dhe rregullon e mbikëqyr bankat tregtare që zhvillojnë aktivitet në Shqipëri. Gjithashtu, ajo i kryen këto funksione edhe për institucionet financiare jobanka, si institucionet e mikrofinancës, zyrat e këmbimit valutor etj.
Si rregullator, Banka e Shqipërisë nxjerr akte nënligjore si vendime, rregullore, udhëzime dhe urdhra, të detyrueshme për t'u zbatuar nga të gjitha subjektet në varësi, me qëllim sigurimin e stabilitetit bankar.
Si mbikëqyrës, Banka e Shqipërisë ndjek, shqyrton dhe monitoron aktivitetin e këtyre subjekteve, për të siguruar që ato të jenë të sigurta dhe që veprojnë në përputhje me ligjet dhe me rregullat në fuqi.
Një tjetër mënyrë se si Banka e Shqipërisë ndihmon në krijimin e një sistemi bankar të shëndoshë, është funksioni i saj si "huadhënës i fundit në radhë". Kështu, kur një bankë apo një institucion financiar ka mungesë të përkohshme likuiditeti, mund të kërkojë hua nga Banka e Shqipërisë, kur nuk mundet të sigurojë hua nga bankat e tjera.