Të përgjithshme
A mund të bëj një kërkesë për sponsorizim pranë Bankës së Shqipërisë?
Banka e Shqipërisë e ka ligjërisht të ndaluar të ndihmojë financiarisht dhe të sponsorizojë, këdo dhe në çdo formë. Më konkretisht, në ligjin 8269/1997, "Për Bankën e Shqipërisë", i ndryshuar, neni 4, pika a, shprehimisht thuhet " ... Përveçse kur është parashikuar me ligj, Banka e Shqipërisë nuk jep ndihmë financiare në formë kredie, huaje të drejtpërdrejtë ose donacioni,...".
A mund të marr një kredi apo të hap një depozitë pranë Bankës së Shqipërisë?
Individët, kompanitë, organizatat jofitimprurëse etj., nuk mund të çelin llogari bankare pranë Bankës së Shqipërisë. Këtë shërbim e ofrojnë bankat e tjera të sistemit tonë bankar, që ndryshe quhen banka tregtare. Në Bankën e Shqipërisë mund të kenë llogari vetëm bankat tregtare dhe qeveria.
Gjithashtu, Banka e Shqipërisë nuk ofron kredi për individët dhe për subjekte të tjera të sipërpërmendura. Ky është një shërbim që publikut i ofrohet nga bankat tregtare.