Regjistri i Kredisë
Cili institucion është përgjegjës për Administrimin e Regjistrit të Kredive?
Banka e Shqipërisë mban dhe administron Regjistrin e Kredive, me qëllim trajtimin e centralizuar dhe shpërndarjen e informacionit të regjistruar në të.
Kush është përgjegjës për saktësinë dhe plotësinë e informacionit të raportuar në Regjistrin e kredive?
Raportuesit e të dhënave janë përgjegjës për saktësinë dhe plotësinë e informacionit të raportuar pranë këtij sistemi.
Si mund të informohem lidhur me të dhënat që bankat dhe institucionet e tjera financiare kanë raportuar për mua në Regjistrin e Kredive?
Për t’u njohur me të dhënat që janë raportuar për ju në Regjistrin e Kredive, ju duhet të paraqisni kërkesën pranë Bankës së Shqipërisë si dhe të plotësoni dokumentacionin e nevojshëm, për t’u pajisur me Raportin Zyrtar të Kredimarrësit.
Dokumentacioni mund të dorëzohet pranë Bankës së Shqipërisë, në zyrat qendrore të saj në Tiranë. Për kërkesat nga rrethet, dokumentacioni i nevojshëm mund të depozitohet dhe pranë degëve të Bankës së Shqipërisë në rrethet: Shkodër, Elbasan ;Gjirokastër ; Korçë dhe Lushnje.
Ku duhet të drejtohem në rast se kam pretendime mbi të dhënat që pasqyrohen në Raportin Zyrtar të Kredimarrësit?
Mbas tërheqjes së raportit Zyrtar të Kredimarrësit, nëse keni pretendime mbi të dhënat e pasqyruara në të, duhet të paraqiteni pranë zyrave të Bankës ose në degët e saj, për të plotësuar formularin e kërkesës për rishikimin e të dhënave. Punonjësi i autorizuar fillon trajtimin e kërkesës, duke kontaktuar menjëherë raportuesin e të dhënave, për verifikimin e të dhënave të pretenduara si të pasakta dhe/ose të paplota.
Nëse nga verifikimi i kryer konstatohet se të dhënat/informacioni i raportuar është i pasaktë ose i paplotë, raportuesi i të dhënave i korrigjon ato dhe bën përditësimet e nevojshme.
Nëse pas verifikimit rezulton se informacioni i cili kërkohet të rishikohet është i saktë, atëherë informacioni i Raportit për Kredimarrësin nuk ndryshon.
Çfarë Informacioni raportohet në Regjistrin e Kredive?
Në Regjistrin e Kredive raportohen të dhëna mbi identitetin e kredimarrësve, personave të lidhur me ta dhe të dhëna mbi ekspozimet e tyre në sistemin bankar e financiar.
Kategoritë e ekspozimeve që raportohen pranë këtij sistemi janë:
- Kreditë
- Kartat e Kreditit
- Overdraftet
- Letërkreditë –Të financuara me fondet e Raportuesit të të dhënave
- Letërgarancitë – Të financuara me fondet e Raportuesit të të dhënave
- Qiratë financiare
Në Regjistrin e Kredive raportohen edhe të dhëna lidhur me pasuritë (të luajtshme/të paluajtshme) të lëna si garanci.
Në çfarë frekuence raportohen dhe përditësohen të dhënat pranë Regjistrit të Kredive?
Raportuesit e të dhënave raportojnë brenda ditës së nesërme të punës:
- çdo kredi të re, kredi të paguar dhe kredi të fshirë nga bilanci; si dhe
- çdo Letërkredi ose Letërgaranci të miratuar dhe të financuar .
Raportuesit e të dhënave raportojnë në Regjistrin e Kredive, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve të para të punës të muajit pasardhës, përditësimin e të dhënave të kredimarrësit, si dhe gjendjen e portofolit të kredive bashkë me klasifikimet përkatëse.
Sa kohë qëndrojnë të dhënat në Regjistrin e Kredive? Kur fshihen të dhënat negative?
Informacioni dhe të dhënat në Regjistrin e Kredive qëndrojnë përgjatë të gjithë kohëzgjatjes së kredisë, si dhe për 5 vite të tjera, nga data në të cilën kredia është raportuar si “kredi e paguar - statusi 5” ose e “fshirë nga bilanci - statusi 6”.
Informacioni dhe të dhënat negative, fshihen nga regjistri i kredive, pas përfundimit të afatit të lartpërmendur