Politika monetare
Çfarë është norma bazë e interesit dhe pse e ndryshon Banka atë?
Norma bazë e interesit është norma e interesit që Banka e Shqipërisë vendos si objektiv për transaksionet e saj me bankat tregtare. Thënë më thjeshtë, është norma që Banka Qendrore paguan për depozitat e bankave tregtare ose që u ofron bankave për kreditë afatshkurtra.
Duke ndryshuar normën bazë, banka ndikon të gjitha normat e interesit në treg, në mënyrë që të krijojë kushte për të garantuar sasinë e kërkesës dhe ofertës së ekonomisë për mallra dhe shërbime të balancuar në një nivel që prodhon çmime që ndryshojnë afër objektivit të inflacionit të bankës prej 3%.
Kur norma e interesit ngrihet, investimet bëhen më të kushtueshme dhe vlera e kursimit rritet. Kjo ndodh kryesisht kur Banka mendon se ekonomia po tejnxehet - kur ajo po ecën me ritme më të shpejta se ato të ekuilibrit.
Kur Banka e ul normën e interesit, shpenzimet inkurajohen, pasi normat e interesit për depozita dhe kredi ulen, duke nxitur investimet dhe shpenzimet. Kjo ndodh kryesisht kur Banka mendon se ekonomia po ecën më ngadalë se ritmi i vet i ekuilibrit.
Banka e Shqipërisë e uli normën bazë të interesit, por norma e kredisë sime nuk ndryshoi. Përse?
Kjo ndodh për disa arsye. Së pari, bankat tregtare janë të lira të vendosin normën e interesit pa shtrëngime të drejtpërdrejta nga Banka e Shqipërisë. Norma e interesit që ato ofrojnë për kreditë është ekskluzivitet i politikave dhe modeleve të tyre të biznesit. Norma e Bankës së Shqipërisë është norma me të cilën banka qendrore i ofron fonde bankave. Banka e Shqipërisë e vendos këtë normë duke patur parasysh objektivin e saj parësor stabilitetin e çmimeve. Sidoqoftë, kur Banka e Shqipërisë ul normën bazë, ajo ul koston e njërit prej burimeve të fondeve të bankave tregtare. Konkurrenca në sektorin bankar do të bëjë që edhe normat e interesit të kredive për individë ose kompani të ulen.
Së dyti, politika monetare nuk e ndikon menjëherë tregun financiar. Ajo do 1-3 vjet që të përcillet plotësisht. Ndryshimet në normën e interesit sot do të vijojnë të ndikojnë normat e interesit në ekonomi për disa tremujorë. Nëse keni kohë që keni një kredi, mund të keni vënë re se pagesat e interesit që kryeni sot, janë më të ulëta se disa vite më parë, që kur Banka e Shqipërisë filloi të zbatojë një politikë monetare lehtësuese, pra të ulë normën bazë. E njëjta sjellje është ndjekur edhe nga normat e interesit të depozitave.