Kursi i këmbimit
Si llogaritet kursi zyrtar i këmbimit?
Kursi zyrtar i këmbimit për monedhat kryesore, Euron dhe Dollarin amerikan, llogaritet si mesatare e kuotimeve në një moment të ditës të 6 bankave dhe 4 zyrave të këmbimit me vëllimet më të mëdha në tregun valutor. Ndërsa për monedhat e tjera pjesë e tabelës së “kursit zyrtar të këmbimit”, llogaritja kryhet duke marrë në konsideratë raportin e secilës prej këtyre monedhave me Euron ose Dollarin amerikan, në momentin e llogaritjes së tij.
P.sh, nëse mesatarja e kuotimeve të Dollarit amerikan do të ishte 110.00 lekë dhe po në atë moment kursi i këmbimit të Frangës zvicerane me Dollarin amerikan do të ishte 1 USD = 1.10 CHF, atëherë kursi i këmbimit CHF/Lek në tabelën e “kursit zyrtar të këmbimit” do të ishte 1 CHF = 100.00. Për informacione më të detajuara, në faqen e Bankës së Shqipërisë mund të gjeni rregulloren përkatëse.
Si mund të marrim informacion për kursin zyrtar të këmbimit?
Kursi zyrtar i këmbimit llogaritet çdo ditë pune në sistemin bankar në Republikën e Shqipërisë. Përveç vlerave ditore, Banka e Shqipërisë llogarit kursin mesatar mujor dhe vjetor të monedhave pjesë përbërëse e tabelës se miratuar të “kursit zyrtar të këmbimit” dhe i publikon ato në faqen e internetit.
Informacioni për kursin zyrtar të këmbimit në një ditë të caktuar, për një ose të gjitha monedhat e tabelës dhe mesataren mujore apo vjetore të çdo monedhe, mund të sigurohet duke paraqitur një kërkesë në Bankën e Shqipërisë, nëpërmjet postës elektronike ose në formën e shkresës. Për kërkesat me shkresë të protokolluar, Banka e Shqipërisë përgjigjet me të njëjtën formë.