Kategoria e materialit: Publikime Periodike / Raport i Politikës Monetare
Inflacioni shënoi rënie gjatë tremujorit të dytë, në pasqyrim të rënies së presioneve të huaja, të forcimit të kursit të këmbimit dhe të reduktimit të pritjeve për inflacionin. Paralelisht me të, aktiviteti ekonomik në vend ka ardhur në zgjerim. Normalizimi i qëndrimit të politikës monetare ka pasur një rol pozitiv në këtë tablo, duke ndihmuar në kontrollin e presioneve të brendshme inflacioniste dhe duke mundësuar funksionimin normal të tregjeve financiare. Bazuar në trendet aktuale dhe faktorët mbështetës të tyre, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet gjatë viteve në vazhdim, ndërsa inflacioni parashikohet të kthehet në objektiv gjatë mesit të vitit të ardhshëm. Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar qëndrimin e politikës monetare me miratimin e këtij raporti.