Kategoria e materialit: Publikime Periodike / Raport i Politikës Monetare
Banka e Shqipërisë gjykon se ekonomia shqiptare vijon ndjekë një trajektore pozitive zhvillimi. Aktiviteti ekonomik rezultoi në zgjerim gjatë gjysmës së parë të vitit, inflacioni pati tendenca rritjeje gjatë tremujorit të dytë, ndërsa kahu stimulues i politikës monetare ka mundësuar krijimin e një ambienti financiar likuid dhe me norma të ulëta interesi. Informacioni i ri i disponuar dhe përditësimi i analizave, nuk kanë prodhuar ndryshime të ndjeshme në parashikimet tona afatmesme. Në këtë horizont kohor, Banka e Shqipërisë pret që aktiviteti ekonomik të vijë në përmirësim progresiv, duke krijuar kushte për kthimin gradual të inflacionit në objektiv. Në vazhdim të analizave të këtij Raporti Tremujor të Politikës, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.25%. Gjithashtu, qëndrimi aktual i politikës monetare, si për sa i takon nivelit të normës bazë të interesit ashtu dhe orientimit publik mbi kursin e saj në të ardhmen, vlerësohet të jetë i përshtatshëm për përmbushjen e objektivit të stabilitetit të çmimeve në një periudhë afatmesme.