Kategoria e materialit: Publikime Periodike / Raport i Politikës Monetare
Banka e Shqipërisë gjykon se ekonomia shqiptare vazhdon të mbetet në një trajektore pozitive zhvillimi. Në një horizont afatmesëm, ne presim një rritje ekonomike në përmirësim dhe një kthim gradual të inflacionit në objektiv. Megjithatë, informacioni i ri ilustron rrezikun dhe pasiguritë që ka materializimi i këtij skenari. Në veçanti, ambienti i jashtëm shfaqet i përkeqësuar – si në drejtim të rritjes së eksporteve tona, ashtu edhe në drejtim të presioneve dezinflacioniste që burojnë prej tij – ndërsa besimi dhe klima e biznesit në ekonominë shqiptare vazhdojnë të mbeten të luhatshme. Këto zhvillime tentojnë të ngadalësojnë shpejtësinë e kthimit të ekonomisë në ekuilibër dhe të inflacionit në objektiv.
Në vazhdim të analizave të këtij Raporti Tremujor të Politikës Monetare, si dhe në linjë me qëndrimin e mëparshëm të politikës monetare, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit në nivelin 1.25%. Politika monetare stimuluese synon të mbështesë rritjen e mëtejshme të kredisë, të konsumit dhe të investimeve private, dhe rrjedhimisht kthimin e inflacionit në objektiv në afat të mesëm.