Kategoria e materialit: Publikime Periodike / Raport i Politikës Monetare
Norma vjetore e inflacionit për muajin mars 2003 rezultoi në nivelin 1.9 për qind. Në tremujorin e parë të vitit 2003 inflacioni vjetor ka patur tendencë të lehtë rritëse duke iu afruar kufirit të poshtëm të objektivit prej 2 për qind.
Ecuria e treguesve monetarë ka qenë në tërësi në përputhje me parashikimet
e programit monetar. Tremujori i parë i vitit 2003 është karakterizuar nga rritja
e ulët e ofertës monetare, kthimi i shpejtë i parasë jashtë bankave në sistem
dhe rritja e depozitave me afat në lekë duke sjellë uljen e agregatit M1.
Qëndrueshmëria e normave të interesit të depozitave dhe niveli i ulët i inflacionit kanë ndikuar në ruajtjen e niveleve të larta të interesit real të depozitave në lekë duke përbërë një tërheqje të fortë për depozitimin e kursimeve në sistem. Diferenca e lartë e normave reale të interesit të
depozitave në lekë dhe në valutë ka ndikuar edhe në qëndrueshmërinë e vlerës së lekut. Këto zhvillime kanë ushtruar presione të ulëta inflacioniste.