Rezerva e Detyruar

Rezerva e Detyruar

INSTITUCIONET SUBJEKTE TË REZERVËS SË DETYRUAR

Subjekt i rezervës së detyruar janë të gjitha bankat dhe degët e bankave të huaja që janë të licensuar nga Banka e Shqipërisë dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë si dhe kanë llogari në sistemin e pagesave të Bankës së Shqipërisë.

Bankat që plotësojnë kriteret bazë (të jenë të licencuara nga Banka e Shqipërisë dhe të kenë llogari në sistemin e pagesave të saj), por që janë vendosura në likuidim, përjashtohen nga detyrimi për mbajtjen e rezervës së detyruar. Nga detyrimi i mbajtjes së rezervës së detyruar përjashtohen edhe bankat, të cilave iu revokohet licenca.

 

PËRCAKTIMI I MINIMUMIT TË REZERVËS SË DETYRUAR


a. Baza e rezervës.

Baza e rezervës përfshin detyrimet që rezultojnë nga pranimi i fondeve nga bankat, të pasqyruara në bilancin kontabël të tyre, në lekë dhe në valutë. Baza e rezervës në valutë përbëhet nga detyrimet në dollarë dhe detyrimet në euro, ku detyrimet në euro krahas detyrimeve në monedhën e përbashkët përshijnë të gjitha detyrimet në monedha të tjera përveç dollarit të konvertuara me kursin fiks të Bankës së Shqipërisë në ditën e fundit të periudhës bazë.

Për bankat subjekt i rezervës së detyruar, të dhënat e bilancit referuar fundit të një muaji kalendarik (periudhës bazë) përdoren për të përcaktuar bazën e rezervës për periudhën e mbajtjes, që fillon gjatë muajit pasues kalendarik.

Të dhënat e bilancit kontabël raportohen në Bankën e Shqipërisë sipas frekuencës, sipas formatit dhe sipas afateve të përcaktuara brenda kuadrit të raportimit statistikor.

 

b. Norma e rezervës.

Norma e rezervës së detyruar është përqindja e bazës së rezervës së detyruar e cila mbahet në Bankën e Shqipërisë. Prej datës 24 korrik 2018, norma e rezervës së detyruar në lekë është:

  • 7.5 për qind për kategoritë e detyrimeve të përfshira në bazën e rezervës së detyruar ndaj të cilave nuk zbatohet norma 0 (zero) për qind e rezervës së detyruar dhe që kanë një afat maturimi jo më të gjatë se 12 muaj
  • 5.0 për qind për kategoritë e detyrimeve të përfshira në bazën e rezervës së detyruar ndaj të cilave nuk zbatohet norma 0 (zero) për qind e rezervës së detyruar dhe që kanë një afat fillestar më të gjatë se 12 muaj deri në 2 vjet

Prej datës 24 korrik 2018, norma e rezervës së detyruar në valutë është:

  • 12.5 për qind për kategoritë e detyrimeve të përfshira në bazën e rezervës së detyruar ndaj të cilave nuk zbatohet norma 0 (zero) për qind e rezervës së detyruar, kur vlera e raportit “detyrime në valutën përkatëse të përfshira në bazën e rezervës së detyruar ndaj të cilave nuk zbatohet norma 0 (zero) për qind e rezervës së detyruar/totali i detyrimeve të përfshira në bazën e rezervës së detyruar ndaj të cilave nuk zbatohet norma 0 (zero) për qind e rezervës së detyruar” për bankën është deri në 50 (pesëdhjetë) për qind
  • 20 për qind për kategoritë e detyrimeve të përfshira në bazën e rezervës së detyruar ndaj të cilave nuk zbatohet norma 0 (zero) për qind e rezervës së detyruar, për vlerën shtesë të këtyre detyrimeve të bankës që tejkalojnë nivelin 50 (pesëdhjetë) për qind të vlerës së raportit “detyrime në valutën përkatëse të përfshira në bazën e rezervës së detyruar ndaj të cilave nuk zbatohet norma 0 (zero) për qind e rezervës së detyruar/ totali i detyrimeve të përfshira në bazën e rezervës së detyruar ndaj të cilave nuk zbatohet norma 0 (zero) për qind e rezervës së detyruar”.

Banka e Shqipërisë mund të ndryshojë në çdo kohë normën e rezervës së detyruar me vendim të Këshillit Mbikëqyrës të saj. Ndryshimet në normën e rezervës njoftohen nga Banka e Shqipërisë 30 ditë përpara fillimit të periudhës së mbajtjes të rezervës së detyruar.

 

c. Llogaritja e rezervës së detyruar.

Niveli i rezervës së detyruar që secila nga bankat mban gjatë periudhës së mbajtjes, llogaritet duke aplikuar normën e rezervës së detyruar për çdo kategori të detyrimeve të përfshira në bazën e rezervës.

MBAJTJA E REZERVËS SË DETYRUAR
Bankat mbajnë rezervën e detyruar në llogaritë e tyre rezervë në lekë dhe në valutë (në euro dhe në dollarë amerikan) në Bankën e Shqipërisë. Periudha e mbajtjes së rezervës së detyruar është 1 (një) muaj. Ajo fillon nga dita e 24-t e muajit që pason periudhën bazë dhe përfundon në ditën e 23-të të muajit pasues.

PËRDORIMI I REZERVËS SË DETYRUAR
Gjatë periudhës së mbajtjes, bankat kanë të drejtë të përdorin vetëm rezervën e detyruar në lekë, me kusht që mesatarja e gjendjes së llogarisë rezervë ditën e fundit të periudhës së mbajtjes të mos jetë nën nivelin e rezervës së detyruar.

Masa e rezervës së detyruar, e cila mund të përdoret në një ditë nga bankat shprehet në përqindje të rezervës së detyruar dhe përcaktohet me vendim të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë si dhe njoftohet të paktën 30 (tridhjetë) ditë pune përpara fillimit të periudhës së mbajtjes. Prej datës 24 shkurt 2018, masa e përdorimit është 70 për qind e rezervës së detyruar.

REMUNERIMI I REZERVËS SË DETYRUAR
Banka e Shqipërisë, për periudhën e mbajtjes së minimumit të rezervës së detyruar të bankave, në lekë dhe në valutë, u paguan bankave të nivelit të dytë interesa në llogaritë përkatëse në Bankën e Shqipërisë. Interesi për remunerimin e rezervës së detyruar kalohet në llogaritë rezervë të bankave në ditën pasardhëse të ditës së fundit të periudhës së mbajtjes të rezervës së detyruar.

Normat e remunerimit të rezervës së detyruar në lekë dhe në valutë përkatësisht, përcaktohen me vendim të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe njoftohen të paktën 30 (tridhjetë) ditë pune përpara fillimit të periudhës së mbajtjes.

Prej datës 24 korrik 2018, norma e interesit për rezervën e detyruar në lekë është 100 për qind e normës së interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes, miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në ditën e fundit të periudhës bazë. Norma e remunerimit për rezervën e detyruar në USD është 0 për qind.  Prej datës 6 korrik 2022, norma e interesit të remunerimit të rezervës së detyruar në Euro është e barabartë me normën e interesit të depozitës së përcaktuar nga Banka Qendrore Evropiane, por jo më e madhe se 0 (zero).  

RAPORTIMI I BAZËS SË REZERVËS SË DETYRUAR

Raportimi i të dhënave bëhet sipas formatit, sipas frekuencës dhe sipas afateve të përcaktuara. Data e fundit e raportimit të rezervës së detyruar është data 10 e çdo muaji. Raportimi i bankës së nivelit të dytë kontrollohet nga Banka e Shqipërisë për saktësinë e tij.

SANKSIONET PËR MOSPLOTËSIMIN E REZERVËS SË DETYRUAR
 

Detyrimet nga mosplotësimi i minimumit të rezervës së detyruar vijnë nëse:

-gjendja mesatare e llogarisë rezervë në lekë të bankës, gjatë periudhës së mbajtjes, është më e vogël se rezerva e detyruar për periudhën korresponduese.

-në ditën e parë të periudhës së mbajtjes së rezervës së detyruar në euro dhe/ose në dollarë amerikanë, gjendja e llogarisë rezervë të bankës sipas monedhave përkatëse është më e vogël se niveli i rezervës së detyruar.

-në rast se, pas periudhës së mbajtjes së rezervës, verifikohet mospërputhja në vlerë monetare më shumë se 1,000 (një mijë) lekë (ose ekuivalenca e shumës në euro dhe në dollarë) e të dhënave të raportuara për rezervën e detyruar me të dhënat e bilancit kontabël të raportuar dhe/ose me të dhënat e marra nga inspektimet në vend të bankës.

-në rast se banka e nivelit të dytë nuk raporton brenda afatit të përcaktuar, atëherë niveli i rezervës së detyruar përcaktohet në masën 10 (dhjetë) për qind më i lartë se niveli i rezervës së detyruar të bankës në raportimin e fundit të saj, por jo më i lartë se 700 milionë lekë (ose ekuivalenca e kësaj shume në euro dhe në dollarë). Në rast se niveli faktik por i paraportuar i rezervës së detyruar, i verifikuar nga Banka e Shqipërisë pas fillimit të periudhës së mbajtjes, rezulton më i lartë se niveli i përcaktuar më lart, atëherë bankës i vendoset detyrimi për raportim të gabuar.
 

Sanksionet e aplikuar aktualisht për mosplotësimin e rezervës së detyruar janë:

Për mosplotësim të rezervës së detyruar në lekë:

600 (gjashtëqind) pikë bazë më i lartë se norma bazë e interesit të Bankës së Shqipërisë në ditën e fundit të periudhës bazë, por jo më i lartë se dyfishi i normës bazë të Bankës së Shqipërisë.

Për mosplotësim të rezervës së detyruar në dollarë:

200 (dyqind) pikë më i lartë se norma bazë e interesit të Bankës Federale të SHBA në ditën e fundit të periudhës bazë por jo më i lartë se dyfishi i normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë.

Për mosplotësim të rezervës së detyruar në euro:

200 (dyqind) pikë më i lartë se norma bazë e interesit të Bankës Qendrore Evropiane, në ditën e fundit të periudhës bazë por jo më i lartë se dyfishi i normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë.

Krahas vendosjes së gjobave me karakter financiar, çdo veprim i bankave në kundërvajtje me rregulloren e rezervës së detyruar, përbën shkelje të dispozitave të ligjit për bankat e nivelit të dytë dhe është subjekt i sanksioneve të tjera të parashikuara në këtë ligj.