Menaxhimi i Likuiditetit dhe Implementimi i Politikës Monetare
TË PËRGJITHSHME
Për zbatimin e politikës monetare është i nevojshëm: (1) parashikimi afatshkurtër dhe afatmesëm i nevojës për likuiditet në sistemin bankar, që vjen si rrjedhojë e ndryshimeve të faktorëve autonomë të likuiditetit; (2) mbajtja e nevojës për likuiditet pranë një niveli të gjykuar si të përshtatshëm dhe efikas; (3) zhvillimi i operacioneve në treg të hapur.
Banka qendrore administron likuiditetin me anë të operacione në treg të hapur, duke injektuar apo tërhequr likuiditet prej tij. Përveç kësaj, Banka e Shqipërisë zhvillon operacione me qëllim ruajtjen e mungesës brenda një bande të caktuar, ku është vërejtur se norma e tregtimit njëditor në tregun ndërbankar luhatet rreth normës bazë.
Qëndrimi i politikës monetare të Bankës së Shqipërisë sinjalizohet nga norma bazë e miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës, e cila shërben edhe si norma minimale për kërkesat në ankandet injektuese të likuiditetit. Ndërsa zbatimi i politikës monetare ka si qëllim drejtimin e normave të tregtimit afatshkurtër në tregun ndërbankar pranë normës bazë dhe zvogëlimin e devijimit nga kjo normë.
PARASHIKIMI I NEVOJËS PËR LIKUIDITET
Banka e Shqipërisë analizon dhe parashikon rregullisht nevojën për likuiditet të sistemit bankar, për periudha të ndryshme kohore. Nevoja për likuiditet në sistemin bankar vjen si rezultat i nevojës së bankave për të mbajtur një minimum rezerve të detyruar në llogaritë e tyre pranë BSH-së, si dhe i ndryshimeve të faktorëve autonomë, të cilët janë jashtë kontrollit direkt të Bankës së Shqipërisë. Këta faktorë janë: paraja në qarkullim; llogaria e qeverisë pranë BSH-së; mjetet valutore dhe mjetet e brendshme monetare.
Tabela më poshtë paraqet një pamje të thjeshtëzuar të bilancit.
Aktive (Efektet Injektues) | Pasive (Efektet Absorbues) |
Operacionet në treg të hapur | Llogaria korrente |
Kredi kundrejt bankave | Depozita të bankave |
Efekti neto i faktorëve autonomë |
Për shkak të limiteve të kreditimit që bankat kanë me njëra-tjetrën bazuar në perceptimet e tyre të rrezikut, jo çdo tepricë e likuiditetit mund të tregtohet. Për rrjedhojë, bashkë me nivelin e faktorëve autonomë, Banka e Shqipërisë vlerëson edhe tepricën e likuiditetit të konsideruar si të patregtueshme.
Duke u bazuar në analizën e gjendjes së likuiditetit dhe parashikimin e faktorëve autonomë, Banka e Shqipërisë përllogarit madhësinë e operacioneve në treg të hapur, të cilat u mundësojnë bankave të përmbushin detyrimet që kanë për mbajtjen e rezervës së detyruar gjatë një periudhe, pa qenë nevoja të përdorin vazhdimisht lehtësirat e përhershme si kredia apo depozita njëditore. Nëse madhësia e operacioneve nuk është e saktë dhe nëse kjo diferencë nuk korrigjohet, duke iu afruar fundit të periudhës, bankat detyrohen të përdorin lehtësirat e përhershme. Kjo do të bënte që normat afatshkurtra në tregun ndërbankar të shkonin drejt normës së kredisë, në rast të injektimit më të ulët, apo drejt normës së depozitës, në rast të një injektimi më të lartë.
Në përputhje me praktikat e bankave të tjera qendrore me kuadër politike monetare të ngjashëm me atë të Shqipërisë, duke filluar nga periudha e parë e rezervës së detyruar për vitin 2018, Banka e Shqipërisë publikon parashikimin e saj për faktorët autonomë të likuiditetit në bazë javore. Bashkë me parashikimin publikohet edhe vlera e likuiditet që do të ofrohet në ankandin e rregullt javor. Likuiditeti i ofruar në këtë ankand synon të plotësojë mesatarisht nevojat e sistemit bankar. Vlera e likuiditetit të ofruar llogaritet duke marrë në konsideratë ndryshimet e faktorëve autonomë dhe mungesën apo tepricën e akumuluar për shkak të injektimeve më të ulëta apo më të larta në javët paraardhëse, si dhe devijimet nga parashikimi. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë publikon çdo ditë informacione mbi situatën e likuiditetit të sistemit bankar në ditën e kaluar.
Publikimi i vazhdueshëm i këtyre shifrave shërben për të:
- ndihmuar bankat të paraqiten me kërkesa racionale në ankandet e rregullta javore, duke reflektuar situatën e tyre të likuiditetit dhe atë të sistemit në tërësi;
- ndihmuar bankat të kuptojnë më mirë zhvillimet në tregun e parasë;
- ndihmuar bankat të rrisin pozicionimin në tregun e parasë sipas politikave dhe strategjive të tyre, duke u bazuar në një pamje më të qartë të gjendjes dhe pritshmërisë së likuiditetit;
- rritur transparencën dhe përgjegjshmërinë e Bankës së Shqipërisë për sa i përket kuadrit të zbatimit të politikës monetare.
PUBLIKIMI I ZHVILLIMEVE NË TREGUN E PARASË
Për të përshkruar ndryshimet e pritshme në gjendjen e likuiditetit, Banka e Shqipërisë publikon shifrën mesatare të faktorëve autonomë të likuiditetit për një periudhë 9-ditore, duke filluar (dhe përfshirë) nga dita e shpalljes së ankandit të rregullt javor.
Faktorët autonomë të likuiditetit janë zërat në bilancin e Bankës së Shqipërisë, të cilët janë jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të saj. Faktorët kryesorë janë llogaria e qeverisë dhe paraja në qarkullim, si dhe faktorë të tjerë që nuk janë të lidhur drejtpërdrejt me zbatimin e politikës monetare, si mjetet valutore apo mjetet e brendshme monetare.
Faktorët Autonomë = Gjendja e Llogarive të Bankave + Depozita – Kredi – Operacione Javore – Operacione Afatgjata – Operacione të tjera
Për shkak të segmentimit të tregut dhe të limiteve në tregtim që bankat kanë me njëra-tjetrën, ekzistojnë nivele të caktuara mbi të cilat çdo tepricë likuiditeti është praktikisht e pamundur për t’u tregtuar. Në raste të tilla, Banka e Shqipërisë, bashkë me parashikimin e faktorëve autonomë, publikon edhe parashikimin për nivelin mesatar të likuiditetit të konsideruar të patregtueshëm.
Gjithashtu, bashkë me parashikimin e likuiditetit, Banka e Shqipërisë bën publike edhe vlerën e likuiditetit që do të ofrohet në ankandin e rregullt javor. Në kushte normale, vlera standarde llogaritet për të arritur një nivel neutral të gjendjes së likuiditetit.
Bankat mund të llogarisin edhe vetë vlerën standarde të likuiditetit të ofruar, duke përdorur formulën e paraqitur në aneksin me të dhënat teknike (shiko në fund të faqes) dhe parashikimin e publikuar nga Banka e Shqipërisë.