Kuadri operacional i Bankës së Shqipërisë
Politika monetare e Bankës së Shqipërisë hyri në një fazë të re interesante, në fundin e vitit 2000, kur u hoq dorë përfundimisht nga përdorimi i instrumenteve të drejtpërdrejta të kontrollit monetar. Për një kohë relativisht të gjatë, prej rreth 8 vitesh, zbatimi i politikës monetare iu besua dy instrumenteve kryesore, të cilat në vetvete ishin thjesht dy vendime administrative të Bankës së Shqipërisë. Këto vendime konsistonin në rritjen e kufizuar të tepricës së kredisë nga ana e bankave tregtare si dhe në detyrimin që kishin bankat me kapital shtetëror për të respektuar nivelin minimal të normës së interesit për depozitat me afat në lekë, të shpallur nga ana e Bankës së Shqipërisë.
Në tremujorin e tretë të vitit 2000, reagimi i bankave nuk po ndiqte më uljet e vazhdueshme të përqindjes administrative, nga ana e Bankës së Shqipërisë. Në këto rrethana u mor në konsideratë, një rikonceptim i tërë kuadrit operacional të deriatëhershëm, dhe u vendos që politika monetare e Bankës së Shqipërisë të bazohej vetëm në aplikimin e instrumenteve të tregut. Më konkretisht, u vendos që roli i përqindjes bazë në ekonomi t'i jepej, normës së përqindjeve të marrëveshjes së riblerejes (repove), transaksione këto që do të zhvilloheshin në ankande të rregullta javore, të cilat do të mbaheshin nga ana e Bankës së Shqipërisë.
Le të analizojmë në mënyrë më të detajuar secilin prej instrumenteve që përdor Banka e Shqipërisë për zbatimin e politikës monetare.
Operacionet e Tregut të Hapur
Operacionet e tregut të hapur janë blerja dhe shitja në treg e letrave me vlerë nga Banka e Shqipërisë, me qëllim shtimin ose kontraktimin e ofertës së parasë në sistemin bankar. Operacionet e tregut të hapur që përdoren nga Banka e Shqipërisë janë: marrëveshjet e riblerjeve (të njohura si REPO) dhe ato të anasjellta të riblerjeve (R/REPO), si dhe shitblerjet e bonove të thesarit me të drejta të plota. Në përputhje me qëllimin, me frekuencën dhe me procedurat, marrëveshjet e riblerjes dhe ato të anasjelltat konsiderohen si transaksione me efekte të përkohshme ndërkohë që shitblerjet me të drejta të plota konsiderohen si transaksione me efekt të përhershëm.
Marrëveshjet e riblerjes (REPO) dhe ato të anasjellta janë forma më e shpeshtë e operacioneve të tregut të hapur të përdorura nga bankat qendrore.
Lehtësirat e Përhershme
Lehtësitë e përhershme janë instrumente që shërbejnë për dhënien dhe për thithjen e likuiditeteve në mënyrë të përkohshme me afat kohor njëditor dhe krijimin e korridorit ku mund të luhaten interesat e tregut ndërbankar. Përdorimi i këtyre lehtësive iniciohet nga bankat. Si lehtësi të përhershme, Banka e Shqipërisë ofron instrumentin e depozitës njëditore dhe atë të kredisë njëditore.
Rezerva e Detyruar
Rezerva minimale e detyruar përfaqëson atë pjesë të fondeve që bankat duhet të mbajnë në llogarinë e tyre pranë Bankës së Shqipërisë, në lekë dhe në valutë.
Mbajtja e rezervës minimale të detyruar në Bankën e Shqipërisë nga bankat, shërben për rregullimin e likuiditetit në sistemin bankar, në drejtim të krijimit të kërkesës për likuiditet dhe për stabilizimin e normave të interesit në treg. Banka e Shqipërisë përcakton zërat e bilancit kontabël që përfshihen në rezervën e detyruar, ndërkohë që niveli i rezervës së detyruar për çdo bankë përcaktohet nga niveli i zërave të bilancit kontabël të vetë bankës, të përfshirë në rezervën e detyruar dhe nga norma e rezervës së detyruar, e përcaktuar nga Banka e Shqipërisë.
Menaxhimi i Likuiditetit dhe Implementimi i Politikës Monetare