Analizat periodike
Analizat periodike ofrojnë një informacion më të zgjeruar për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend si dhe ndikimet e tyre nga zhvillimet ndërkombëtare. Qëllimi i tyre është të plotësojnë analizën makroekonomike të raporteve tremujore të politikes monetare si dhe të ndihmojnë në vendimmarrjen e politikës monetare.
Analizat periodike përgatiten me bazë tremujore dhe fokusohen në zhvillimet lidhur me tregjet e huaja, me ndërmjetësimin financiar dhe me sektorin e jashtëm të ekonomisë.
Analiza e borxhit të jashtëm bruto
Analiza e Borxhit të Jashtëm Bruto zhvillohet një herë në vit bazuar mbi të dhënat më të fundit të disponueshëm statistikorë. Pasqyron ecurinë e treguesit të stokut të borxhit të huaj dhe kontributet e nën-komponentëve përbërës të tij. Në analizë raportohen edhe tregues të caktuar që lidhen me qëndrueshmërinë dhe likuiditetin e këtij treguesi.
Sektori i jashtëm
Analiza e sektorit të jashtëm realizohet katër herë në vit dhe mbështetet mbi informacionin që sjellin statistikat tremujore të Bilancit të Pagesave. Synon të pasqyrojë dinamikat e nënllogarive përbërëse. Gjithashtu, ai vë në dukje zhvillime makro-ekonomike që lidhen me statistikat e bilancit të pagesave sikurse ecuria e hendekut kursim-investim, raportin e financimit të deficitit dhe strukturën e financimit në terma të natyrës së flukseve financuese.
Tendencat në Kreditim
Analiza mbi tendencat e aktivitetit kreditues në vend përgatitet dy herë në vit. Ky material analizon të dhënat monetare për portofolin e kredisë, si dhe kushtet e kreditimit. Gjithashtu, pjesë e këtij materiali është edhe një përmbledhje e zhvillimeve të fundit të aktivitetit kreditues në vendet e Evropës Qendrore Juglindore (EQJL).