Roli i Bankës së Shqipërisë për emetimin e monedhës kombëtare
Banka e Shqipërisë emeton dhe hedh në qarkullim kartëmonedhat e monedhat kombëtare me kurs ligjor, si dhe emeton kartëmonedhat e monedhat që shtypen për qëllime numizmatike.
Gjithashtu, Banka e Shqipërisë përcakton formën, përmasat, pamjen dhe karakteristika të tjera të kartëmonedhave e monedhave kombëtare me kurs ligjor.
Kurs ligjor nënkupton se kartëmonedhat dhe monedhat mund të ofrohen për pagimin e një detyrimi dhe marrësi është i detyruar t'i pranojë, pa kufizim, me vlerën e tyre nominale.
Banka e Shqipërisë harton planin e emetimit të kartëmonedhave e monedhave kombëtare, duke siguruar furnizimin dhe plotësimin e kërkesave të ekonomisë shqiptare me para. Ajo harton dhe politikën e tërheqjes nga qarkullimi të kartëmonedhave dhe të monedhave që ka emetuar, kundrejt shkëmbimit me kartëmonedha e monedha të emetimeve të reja.