Objektivat - Standardet
Dokumenti i Politikave të Mbikëqyrjes së Sistemit të Pagesave ka krijuar një kuadër të qartë mbi fushën e zbatimit, metodat, standardet dhe mjetet e përdorura për mbikëqyrjen.
Objektivat
Banka e Shqipërisë ka mbështetur objektivat e saj të mbikëqyrjes së sistemit të pagesave në rregullore, standarde dhe politika për subjektet e ndryshme të mbuluara nga fusha e veprimit të këtij funksioni. Brenda këtyre kufijve, shtrirja dhe intensiteti i mbikëqyrjes ndryshojnë në varësi të rëndësisë që paraqet secili subjekt, si dhe evolucionit të infrastrukturës së tregut financiar, duke marrë parasysh elementet që mund të dëmtojnë funksionimin normal të sistemit të pagesave.
Standardet
Standardet e përcaktuara nga mbikëqyrja e sistemit të pagesave shërbejnë si referencë për nxitjen e sigurisë dhe efikasitetit në proceset e licencimit, rregullimit dhe mbikëqyrjes së komponentëve të rëndësishëm të Infrastrukturave të Tregjeve Financiare.
Monitorimi dhe vlerësimi i vazhdueshëm i këtyre subjekteve në lidhje me sigurinë dhe efikasitetin, si dhe propozimi për ndryshime, aty ku konsiderohet e nevojshme, përbëjnë aktivitetin kryesor të Bankës së Shqipërisë në këtë fushë.
Standardet e mbikëqyrjes që zbatohen janë kryesisht standardet e Bankës Qendrore Europiane (BQE), dhe Bankës për Rregullime Ndërkombëtare (BRN) mbi infrastrukturën e tregut financiar, si dhe standarde kombëtare aty ku konsiderohet e nevojshme në bazë të zhvillimeve më të fundit në vend.
- Rregullore për licencimin rregullimin dhe mbikëqyrjen e operatorëve të sistemeve të pagesave dhe shtëpive të klerimit.
- Rregullore për licencimin rregullimin dhe mbikeqyrjen e operatorëve të skemave kombëtare të pagesave me kartë.
- Rregullore për licencimin rregullimin dhe mbikëqyrjen e operatorëve të sistemeve për shlyerjen e titujve.
Për arsye të përcaktimit dhe zbatimit të parimeve mbikëqyrëse, Banka e Shqipërisë kategorizon sistemet në ato me rëndësi sistemike dhe josistemike.
Kriteret dhe kategorizimi i sistemeve të pagesave
Banka e Shqipërisë për klasifikimin e sistemeve të pagesave, me qëllim mbikëqyrjen e tyre, ka miratuar një set kriteresh të miratuara nëpërmjet Rregullores 37/2018 “Politika e mbikëqyrjes së sistemeve të pagesave dhe të shlyerjes”. Këto kritere klasifikimi janë bazuar në kriteret e përcaktuara nga Banka Qendrore Evropiane.
Në parim një sistem pagesash klasifikohet si Sistem me Rëndësi Sistemike nëse:
a) zbaton parimin e finalitetit të shlyerjes dhe të jetë krijuar sipas përkufizimeve të Ligjit për Sistemin e Pagesave në lidhje me sistemet dhe shtëpitë e klerimit të pagesave.
b) plotëson të paktën dy nga kriteret e mëposhtme brenda një viti kalendarik:
i) vlera mesatare ditore e pagesave të procesuara është mbi 1,300 miliardë lekë ose ekuivalentin e kësaj shume në valutë;
ii) shtrirja në treg është të paktën njëra nga të mëposhtmet:
- zë të paktën 15% të vëllimit total të pagesave në nivel tregu të përbashkët (si për shembull Bashkimi Evropian)
- zë të paktën 5% të vëllimit total të pagesave ndërkufitare në këtë treg,
- zë të paktën 75% të vëllimit total të pagesave në shtetin në të cilin operon;
iii) aktiviteti i tij ndërkufitar (p.sh. pjesëmarrësit në një vend tjetër nga ai i operatorit të sistemit dhe/ose lidhjet ndërkufitare me sistemet e tjera të pagesave) përfshin pesë ose më shumë vende të Bashkimit Evropian dhe gjeneron një minimum prej 33% të vëllimit total të pagesave në monedhën e përbashkët të procesuara nga sistemi;
iv) përdoret për shlyerjen e pozicioneve të krijuara nga infrastrukturat e tjera të tregjeve financiare.
Vlen të nënvizohet se një sistem pagesash me vlerë të madhe pavarësisht klasifikimit të tij duhet të respektojë parimet mbikëqyrëse të sistemeve me rëndësi sistemike. Nga ana tjetër një sistem pagesash me vlerë të vogël i cili nuk përmbush kriteret e sipërcituara, por aktiviteti i tij zë 25% ose më shumë të tregut në të cilin operon klasifikohet si “Sistem Pagesash me Vlerë të Vogël me Rëndësi Domethënëse”. Së fundi, sistemet të cilat nuk përmbushin asnjë nga këto kritere klasifikohen si “Sisteme të Tjera Pagesash”.
Parimet mbikëqyrëse të aplikuara në secilin klasifikim janë në proporcionalitet me rëndësinë e klasifikimit të sistemeve dhe mund të gjenden në shtojcën 4 të Rregullores 37/2018 “Politika e mbikëqyrjes së sistemeve të pagesave dhe të shlyerjes”.
Për qëllime të mbikëqyrjes së sistemeve të pagesave Banka e Shqipërisë ka kryer ushtrimin e klasifikimit të sistemeve për vitin sipas kritereve të përcaktuara në Rregulloren 37/2018 “Politikat e mbikëqyrjes së sistemeve të pagesave dhe të shlyerjes” të paraqitura dhe në këtë seksion. Bazuar në rezultatet e këtij ushtrimi:
• Banka e Shqipërisë e trajton sistemin AIPS edhe për vitin ushtrimor 2022 si Sistem Pagesash me Rëndësi Sistemike (SIPS) pavarësisht se nuk përmbush të gjitha kriteret e klasifikimit dhe si i tillë parimet e kërkesat përkatëse të mbikëqyrjes së tij do të vijojnë të respektojnë parimet mbikëqyrëse të Sistemeve me Rëndësi Sistemike.
• Ndërkohë sistemi AECH në bazë të rezultateve do të konsiderohet si Sistem me rëndësi domethënëse (PIRPS) për pagesat me vlera të vogla, e për rrjedhojë do të jetë subjekt i kërkesave specifike të mbikëqyrjes bazuar në kuadrin e politikave të Eurosistemit.