Aktet ligjore

Banka e Shqipërisë, në mbështetje të objektivit të saj kryesor, arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, ka përgjegjësinë ligjore "të nxisë dhe të mbështesë funksionimin normal të sistemeve të pagesave". Kjo përgjegjësi përcaktohet në ligjin ''Për Bankën e Shqipërisë''.

Gjithashtu, ligji ''Për bankat në Republikën e Shqipërisë'', i jep të drejtën bankave dhe degëve të bankave të huaja të marrin pjesë në sisteme elektronike të pagesave, si dhe përcakton se veprimtaria dhe pjesëmarrja e këtyre sistemeve është kompetencë e Bankës së Shqipërisë.

Neni 3/2

Banka e Shqipërisë, në përputhje me objektivin e saj kryesor dhe mbi bazën e tregut të brendshëm bankar, nxit dhe mbështet zhvillimin e regjimit dhe të sistemit të këmbimeve valutore, tregun e brendshëm financiar, sistemin e pagesave, si dhe ndihmon në përmirësimin e kushteve monetare e kredituese, në mbështetje të stabilitetit dhe të zhvillimeve ekonomike të vendit.

Neni 3/4, pika (dh)

Një nga detyrat kryesore të Bankës së Shqipërisë është të nxisë funksionimin normal të sistemit të pagesave.

Neni 21

  1. Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me bankat e tjera, ka të drejtë të caktojë rregulla dhe procedura për kryerjen e pagesave me instrumente që përdoren si mjete pagese, si dhe për shërbimet mbi transfertat elektronike dhe telegrafike.
  2. Banka e Shqipërisë organizon dhe kryen shlyerjen e pagesave me instrumente që përdoren si mjete pagese.
  3. Banka e Shqipërisë ka të drejtë të organizojë shërbimin e kleringut të pagesave dhe të letrave me vlerë.
  4. Banka e Shqipërisë mbikëqyr sistemin e pagesave në Republikën e Shqipërisë drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet subjekteve apo njësive ndërbankare të krijuara nga ajo për këtë qëllim. Banka e Shqipërisë lehtëson kryerjen e pagesave dhe të likuidimeve efektive ndërmjet bankave dhe shërbimet në pagesa.

Neni 129, pikat 1 dhe 6: Sistemet elektronike të pagesave

1. Banka e Shqipërisë dhe bankat ose degët e bankave të huaja mund të marrin pjesë në sisteme elektronike pagesash, në përputhje me këtë nen dhe me akte të tjera nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.

6. Veprimtaria e sistemeve të pagesave dhe e pjesëmarrësve në to rregullohet nëpërmjet akteve nënligjore të nxjerra nga Banka e Shqipërisë, si dhe marrëveshjeve të lidhura mes Bankës së Shqipërisë dhe subjekteve që ushtrojnë veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë.

 

Së fundi, ligji ''Për sistemin e pagesave'', në linjë me tendencat ndërkombëtare mbi konsolidimin ligjor të funksionit mbikëqyrës të sistemeve të pagesave, mbulon tërësisht mbikëqyrjen e këtyre sistemeve, përfshirë edhe instrumentet e pagesave. Ky ligj, së bashku me aktet nënligjore të Bankës së Shqipërisë, përcakton rregulla të qarta për licencimin, rregullimin dhe inspektimin në sajë të liberalizimit të tregut të sistemeve të pagesave.

Neni 8: Mbikëqyrja dhe rregullimi i sistemeve

  1. Banka e Shqipërisë rregullon dhe mbikëqyr sistemet e licencuara, duke miratuar akte nënligjore për këtë qëllim.
  2. Banka e Shqipërisë mund të vendosë standarde dhe kërkesa të tjera shtesë mbi operatorët, sistemet, pjesëmarrësit dhe nënpjesëmarrësit.
  3. Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, me marrëveshje dypalëshe, përcaktojnë rolin e secilit institucion në lidhje me rregullimin, mbikëqyrjen dhe inspektimin e sistemit të shlyerjes së titujve dhe të shtëpisë së klerimit të titujve.

Neni 9: Kompetenca inspektuese e Bankës së Shqipërisë

  1. Me qëllim që të sigurohet dhe të kontrollohet zbatimi i këtij ligji dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij, punonjës të Bankës së Shqipërisë, si dhe persona të tjerë të kualifikuar, të autorizuar prej saj, mund të inspektojnë ambientet e punës të sistemeve, operatorët, pjesëmarrësit dhe nënpjesëmarrësit, për të kontrolluar llogaritë, regjistrat, dokumentet dhe shkresa të tjera, për të marrë informacion dhe të dhëna prej tyre, si dhe të ndërmarrin veprime të tjera që Banka e Shqipërisë mund të vlerësojë si të nevojshme.
  2. Operatorët, pjesëmarrësit dhe nënpjesëmarrësit, vënë në dispozicion të Bankës së Shqipërisë: llogaritë, regjistrat, dokumente dhe shkresa të tjera të kërkuara nga ligji dhe nga aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij. Operatorët, pjesëmarrësit dhe nënpjesëmarrësit vënë në dispozicion të Bankës së Shqipërisë çdo lloj informacioni dhe të dhënë shtesë, të cilat Banka e Shqipërisë i vlerëson si të nevojshme.

Neni 15: Rregullimi dhe mbikëqyrja e instrumenteve të pagesave

  1. Me qëllim që të garantojë sigurinë, mirëfunksionimin dhe eficiencën e tyre, Banka e Shqipërisë mund të rregullojë dhe të mbikëqyrë emetimin dhe përdorimin e instrumenteve të pagesave, si pjesë e sistemit kombëtar të pagesave.
  2. Dispozitat e ligjit zbatohen edhe në lidhje me aspekte të rregullimit dhe mbikëqyrjes së instrumenteve të pagesave, aty ku është e përshtatshme.

Neni 19, pika 1, shkronja “b” : Veprimtaritë e tjera

Institucionet e pagesave, krahas ofrimit të shërbimeve të pagesave, mund të kryejnë edhe veprimtaritë e mëposhtme:

….

b) operimin e sistemeve të pagesave, sipas nenit 20, të këtij ligji, dhe pa cenuar pjesëmarrjen e tij në sisteme të tjera, sipas nenit 29, të këtij ligji;

Neni 20: Operimi i sistemeve të pagesave

  1. Bankat dhe degët e bankave të huaja, institucionet e parasë elektronike dhe institucionet e pagesave kanë të drejtë të operojnë sisteme pagesash.
  2. Subjektet, sipas pikës 1, të këtij neni, që operojnë sisteme pagesash sipas parimit të finalizimit të shlyerjes, licencohen, rregullohen e mbikëqyren sipas legjislacionit në fuqi për sistemin e pagesave.
  3. Banka e Shqipërisë, me akt nënligjor, përcakton kushtet për operimin dhe mbikëqyrjen e sistemeve të pagesave, sipas përkufizimit të këtij ligji, të cilat nuk operojnë sipas parimit të finalizimit të shlyerjes.
  4. Banka e Shqipërisë kërkon krijimin e një subjekti të veçantë për operimin e sistemeve të pagesave, kur gjykon se veprimtaritë e tjera të ofruesit të shërbimeve të pagesave që nuk janë shërbime pagesash, pengojnë apo mund të dëmtojnë qëndrueshmërinë financiare të ofruesit të shërbimeve të pagesave, ose pengojnë Bankën e Shqipërisë për të monitoruar përputhshmërinë e ofruesit të shërbimeve të pagesave me të gjitha detyrimet e përcaktuara nga ky ligj.

Neni 29: Pjesëmarrja në sistemet e pagesave

1. Personat juridikë, ofrues të shërbimeve të pagesave që janë të licencuar ose të regjistruar nga Banka e Shqipërisë, kanë të drejtë të marrin pjesë në sisteme pagesash. Sistemet e pagesave për ofruesit e shërbimeve të pagesave, sipas kësaj pike, vendosin rregulla pjesëmarrjeje objektive, jodiskriminuese e proporcionale. Këto rregulla duhet të jenë të tilla që të mos pengojnë pjesëmarrjen e tyre në sistem më shumë sesa është e nevojshme që të mbrojnë sistemin kundrejt rrezikut të shlyerjes, rrezikut operacional dhe rrezikut të biznesit, si dhe të mbrojnë stabilitetin financiar dhe operacional të sistemit të pagesave. Sistemet e pagesave për ofruesit e shërbimeve të pagesave, për përdoruesit e shërbimeve të pagesave ose për sisteme të tjera pagesash nuk vendosin:

a) rregulla kufizuese për pjesëmarrje efektive në sistemet e tjera të pagesave;

 b) rregulla që diskriminojnë ndërmjet ofruesve të licencuar të shërbimeve të pagesave ose ndërmjet ofruesve të regjistruar të shërbimeve të pagesave lidhur me të drejtat e detyrimet e pjesëmarrësve;

c) kufizime në bazë të natyrës së pjesëmarrësit.

2. Pika 1, e këtij neni, nuk zbatohet për:

a) sistemet e pagesave të rregulluara me legjislacionin në fuqi për sistemin e pagesave, të cilat funksionojnë sipas parimit të finalizimit të shlyerjes;

b) sistemet e pagesave që përbëhen vetëm nga ofrues të shërbimeve të pagesave që i përkasin një grupi.

3. Për qëllim të shkronjës ”a”, të pikës 1, të këtij neni, kur një pjesëmarrës në një sistem të caktuar i lejon një ofruesi të shërbimit të pagesave të licencuar ose të regjistruar që nuk është pjesëmarrës në këtë sistem, të kalojë urdhërpagesa nëpërmjet këtij sistemi, ky pjesëmarrës, kur i kërkohet, duhet t’i japë të njëjtën mundësi, në mënyrë objektive, proporcionale dhe jodiskriminuese ofruesve të tjerë të shërbimeve të pagesave, të licencuar ose të regjistruar, sipas parashikimeve të pikave 1 e 2, të këtij neni. Në rast se pjesëmarrësi refuzon, ai i paraqet ofruesit të shërbimit të pagesave arsyet e plota të refuzimit.