Sistemi i Pagesave
Sistemi financiar i një vendi nënkupton tërësinë e institucioneve, tregjeve dhe infrastrukturës mbështetëse të tregjeve financiare për kryerjen e pagesave dhe për klerimin e shlyerjen e instrumenteve financiare. Si komponent i këtij sistemi, infrastruktura për klerimin dhe shlyerjen luan rol thelbësor në lidhje me stabilitetin financiar si dhe zhvillimin ekonomik në tërësi. Gjithashtu, zbatimi i politikës monetare në mënyrë efektive mbështetet në ekzistencën e një sistemi pagese të sigurt dhe efikas.
Sistemi i pagesave është një bashkësi instrumentesh, procedurash dhe rregullash për transferimin e fondeve midis pjesëmarrësve, bazuar në marrëveshjen midis këtyre pjesëmarrësve dhe operatorit të sistemit. Transferimi i fondeve kryhet nëpërmjet një infrastrukture teknike të posaçme.
Banka e Shqipërisë luan rol kyç në nxitjen e funksionimit normal të sistemit të pagesave, duke promovuar sigurinë dhe efikasitetin. Për arritjen e objektivit, Banka e Shqipërisë vepron si operator, mbikëqyrës dhe katalizator e reformator.
Banka e Shqipërisë si operator i Sistemeve të Pagesave
Në rolin e operatorit, Banka e Shqipërisë ofron shërbimet e shlyerjes dhe të klerimit nëpërmjet sistemeve:
- AIPS (sistemi i pagesave ndërbankare me vlerë të madhe)
- AECH (sistemi i klerimit të pagesave me vlerë të vogël).
Si dhe, të tregtimit të titujve, nëpërmjet sistemit:
- AFISaR (sistemi i shlyerjes dhe regjistrimit të titujve shtetërorë)
Banka e Shqipërisë ofron lehtësira për shlyerjen neto (manualisht të procesuara në sistem) të pagesave të iniciuara me çeqe, si dhe të pagesave me karta VISA dhe MasterCard, të iniciuara dhe të shlyera në monedhën kombëtare, si edhe shlyerjen në sistemin AIPS të pjesës cash të transaksioneve me titujt e Qeverisë (bono dhe obligacione të Qeverisë në monedhën kombëtare - Lekë), të cilat gjenerohen nëpërmjet sistemit AFISaR.
Duke marrë në konsideratë unikalitetin e këtyre sistemeve në tregun shqiptar, Banka e Shqipërisë kontribuon në mënyrë të qenësishme në funksionimin normal të ekonomisë, stabilitetit financiar, si dhe në efikasitetin dhe integrimin e tregjeve.
Banka e Shqipërisë si mbikëqyrës i Sistemeve të Pagesave
Në rolin e mbikëqyrësit, Banka e Shqipërisë, rregullon, licencon dhe mbikëqyr sistemet e klerimit dhe të shlyerjes së pagesave dhe të titujve.
Instrumentet e pagesave, si pjesë përbërëse e sistemeve të pagesave janë gjithashtu në fokusin e Bankës së Shqipërisë. Në këtë mënyrë, Banka e Shqipërisë ndihmon në promovimin e një sistemi financiar efikas dhe të besueshëm, si dhe ruan besimin e publikut në paranë fizike dhe mjete të tjera të pagesës.
Banka e Shqipërisë si reformator i Sistemeve të Pagesave
Në rolin e saj të katalizatorit e reformatorit, Banka e Shqipërisë punon vazhdimisht për të mbështetur zhvillimin e tregjeve financiare dhe të pagesave efikase dhe të sigurta, nëpërmjet bashkëpunimit dhe nxitjes së zhvillimeve.
Në përmbushje të këtij objektivi, Banka e Shqipërisë shfrytëzon ekspertizën e saj në fushën e sistemeve të pagesave dhe e ndan atë me aktorët e tregut nëpërmjet konsultimeve të rregullta dhe takimeve të koordinuara me përfaqësues të sektorit privat dhe publik. Komiteti Kombëtar i Sistemit të Pagesave të Shqipërisë, është një shembull për sa më sipër.
Banka e Shqipërisë, gjithashtu nxit zhvillimet në fushën e pagesave përmes publikimeve dhe studimeve të ndryshme.