Fondi për Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme
Fondi i ndërhyrjes së jashtëzakonshme u krijua më 10 janar 2018 në zbatim të ligjit 133/2016 "Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë". Fondi duhet të plotësohet gradualisht dhe të arrijë nivelin 0.5% të detyrimeve të të gjitha bankave, brenda datës 11 korrik të vitit 2027.
Për të përmbushur nivelin e synuar të fondit, sektori bankar paguan çdo vit një kontribut vjetor, në përpjesëtim me vitet që mbeten deri në 2027.
Banka e Shqipërisë përllogarit çdo vit kontributin vjetor që paguan sektori bankar për plotësimin e Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme.
Përllogaritja e kontributit vjetor për plotësimin e Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme bëhet sipas formulës të përcaktuar në rregulloren e Fondit.
Për vitin e shtatë, përllogaritja e nivelit të synuar, nivelit vjetor të Fondit dhe kontributit vjetor për çdo bankë, bazohet në pasqyrat financiare të vitit 2022.
- Deri në 30 prill 2024, bankat derdhën 100% të kontributit të vitit të shtatë.
Niveli i Fondit për Ndërhyrje të Jashtëzakonshme
- Niveli i synuar i "Fondit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme" i llogaritur me të dhënat e bilanceve të audituara të sektorit bankar në dhjetor 2022 është 8,481,040,538 lek.
- Niveli vjetor i "Fondit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme" për vitin e shtatë të kontributit, është 982,134,585 lek dhe shpërndahet proporcionalisht sipas peshës së secilës bankë, llogaritur sipas rregullores nr.56/2017 ”Për Fondin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe procedurat administrimit të tij” , e ndryshuar.
Përdorimi i Fondit për Ndërhyrje të Jashtëzakonshme
Banka e Shqipërisë mund të përdorë mjetet financiare të Fondit gjatë zbatimit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme për qëllimet e mëposhtme:
- për të garantuar aktivet ose pasivet e bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme, filialeve të saj, bankës urë apo të një shoqërie për administrimin e aktiveve;
- për t'i dhënë likuiditet bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme, filialeve të saj, një banke urë apo një shoqërie për administrimin e aktiveve;
- për të blerë aktivet e bankës në ndërhyrje t jashtëzakonshme;
- për të kontribuar në kapital dhe për të siguruar fondet e tjera të nevojshme për një bankë urë apo një shoqëri për administrimin e aktiveve;
- për t'i paguar kompensim aksionarëve ose kreditorëve;
- për t'i kompensuar bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme humbjet e pambuluara që lindin për shkak të përjashtimit të detyrimeve të pranuara të kreditorëve, të caktuara nga zbatimi i instrumentit të rikapitalizimit nga brenda;
- për të ndërmarrë ndonjë kombinim të veprimeve të përmendura në shkronjat "a" deri në "f";
- për të paguar kostot e arsyeshme të pësuara nga Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme në lidhje me zbatimin e instrumenteve apo kompetencave të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, nëse nuk bëhet kompensimi;
- për mbulimin e shpenzimeve për administrimin e Fondit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme;
- për shlyerjen e detyrimeve dhe huave të marra për plotësimin e fondit;
- për çdo pagesë dëmshpërblimi, sipas vendimit administrativ ose gjyqësor të formës së prerë.
Administrimi i Fondit për Ndërhyrje të Jashtëzakonshme
Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD).
Banka e Shqipërisë si Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme miraton përdorimin e Fondit, ndërsa ASD-ja përcakton mënyrën e investimit dhe instrumentet ku mund të investohen fondet e vëna në dispozicion të "Fondit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme", sipas politikës së miratuar nga Banka e Shqipërisë.
- Raporti i Audituesit të Pavarur për FNJ për vitin 2018
- Raporti i Audituesit të Pavarur për FNJ për vitin 2019
- Raporti i Audituesit të Pavarur për FNJ për vitin 2020
- Raporti i Audituesit të Pavarur për FNJ për vitin 2021
- Raporti i Audituesit të Pavarur për FNJ për vitin 2022
- Raporti i Audituesit të Pavarur për FNJ për vitin 2023