Çfarë është ndërhyrja e jashtëzakonshme?

Ndërhyrja e jashtëzakonshme është zbatimi i një ose më shumë instrumenteve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme për bankat në vështirësi financiare që synon të sigurojë:

  • vijueshmërinë e funksioneve kritike të bankës
  • ruajtjen e interesit publik dhe stabilitetit financiar 
  • minizimin e kostos së taksapaguesve 

Pse lindi?

Kriza e fundit financiare botërore tregoi se instrumentet ekzistuese të autoriteteve mbikëqyrëse të bankave, nuk mjaftuan për të trajtuar në mënyrë të efektshme vështirësitë e reja me të cilat po përballeshin bankat. Kështu, autoritetet shpesh përdorën fondet publike për t’i shpëtuar bankat nga likuidimi i detyruar, i cili do të kishte ndikime të rëndësishme negative në stabilitetin financiar të vendit. 

Për të përcaktuar rregulla dhe mekanizma të qarta për ndërhyrjen, Bashkimi Evropian hartoi Direktivën 2014/59/BE për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në institucionet financiare. Direktiva hyri në fuqi më 1 janar 2015 në të gjitha shtetet anëtare të BE.

Ndërhyrja e Jashtëzakonshme në Bankën e Shqipërisë

Duke filluar nga viti 2017, Banka e Shqipërisë është Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për bankat dhe degët e bankave të huaja që ushtrojnë aktivitetin në Shqipëri, sipas ligjit 133/2016 "Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë". Ky ligj harmonizon kuadrin ligjor në fushën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme në Shqipëri me Direktivën 2014/59/BE dhe praktikat më të mira ndërkombëtare rregullatore.

Në kuadër të përmbushjes së mandatit si Autoritet i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, Banka e Shqipërisë:  

  1. harton planet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme
  2. vlerëson mundësinë për ndërhyrje të jashtëzakonshme dhe trajton e eliminon pengesat ndaj mundësisë për ndërhyrje të jashtëzakonshme
  3. vendos nivelin minimal të instrumenteve të kapitalit dhe të detyrimeve të pranuara, që përdoren në rastin e instrumentit të rikapitalizimit nga brenda
  4. harton dhe zbaton strategjitë e ndërhyrjes së jashtëzakonshme (vendos bankën në ndërhyrje të jashtëzakonshme, zbaton instrumentet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe në rast nevoje, përdor Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme)
  5. mbledh kontributet për plotësimin e Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme dhe miraton politikat për investimin e tij.
     

Gjatë zbatimit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, Banka e Shqipërisë përcakton instrumentin e ndërhyrjes, në përputhje me kushtet konkrete të bankës apo të sistemit financiar në tërësi dhe me objektivat përkatës. 

Objektivat e ndërhyrjes së jashtëzakonshme janë:

  1. të sigurojë vazhdimësinë e funksioneve kritike të bankës
  2. të shmangë çdo pasojë të rëndë negative për stabilitetin e sistemit financiar
  3. të mbrojë fondet publike
  4. të mbrojë depozituesit
  5. të mbrojë fondet dhe aktivet e tjera të klientëve

Banka e Shqipërisë e vendos bankën në ndërhyrje të jashtëzakonshme, kur:

  1. banka konsiderohet të jetë pranë një situate të paaftësisë paguese
  2. nuk ekziston mundësia që një masë tjetër të mund të rivendosë bankën në pozita të shëndosha, brenda një periudhe kohore të arsyeshme
  3. ndërhyrja e jashtëzakonshme ndaj bankës është e nevojshme për interesin publik

Banka e Shqipërisë mund të përdorë të veçuar ose të kombinuar, 4 instrumente të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, si në vijim:

Shitja e aktivitetit tregtar Shitja e plotë ose e pjesshme e veprimtarisë së një banke në ndërhyrje të jashtëzakonshme te një subjekt tjetër.
Banka urë Krijimi i një banke urë nga Banka e Shqipërisë, ku do të transferohen një pjesë ose gjithë veprimtaria e bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme, me qëllim ruajtjen e funksioneve kritike të saj.
Ndarja e aktiveve Transferimi i bilancit të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme ose të bankës urë, te një subjekt tjetër. 
Rikapitalizimi nga brenda Zhvlerësimi ose konvertimi në kapital i të drejtave të pronësisë së aksionerëve të bankës dhe të kreditorëve të saj, me qëllim rivendosjen e qëndrueshmërisë financiare të bankës.