Muzeu i Bankës së Shqipërisë, në vitin e dytë rradhazi organizon ciklin me leksione “Netët e Muzeut”:
Në datën 2 mars 2018, Muzeu i Bankës së Shqipërisë organizoi leksionin e radhës së ciklit “Netët e Muzeut”, me temë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullën shqiptare”. Ky leksion u mbajt nga mjeku dhe filatelisti Prof. Dr. Jovan Basho.
Gjatë leksionit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullën shqiptare”, Prof. dr. Basho prezantoi në mënyrë të detajuar emisionet e koleksionit filatelik shqiptar të lidhura me figurën e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, duke evidentuar kronologjikisht dhe ilustruar me pamje disa nga emisionet filatelike më interesante për Skënderbeun gjatë viteve 1913-2005. Pjesë interesante e prezantimit ishin edhe disa kuriozitete lidhur me emetime të pullave postare të rralla, të kartëpostaleve me rëndësi historike, si dhe të gabimeve në emetime që i bëjnë pullat edhe më të kërkuara për filatelistët. Në përfundim të leksionit, dëgjuesit shijuan një ekspozitë të ndërtuar nga koleksioni i z. Basho me tematikë “Heroi Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në emisionet postare të viteve 1913-1918”.
Më 17 prill 2018, Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, mbajti leksionin e radhës të ciklit Netët e Muzeut, me temë “Marrëdhëniet financiare të Ali Pashë Tepelenës”.
Ali Pashë Tepelena përfaqëson pa dyshim një nga personalitetet më karizmatike të epokës së vet pasi jo vetëm qëndroi në pushtet për 30 vjet, por u bë aktor dhe faktor i shumë zhvillimeve panevropiane. Një aspekt pak i studiuar i epokës së tij janë marrëdhëniet financiare të Pashallëkut të Janinës në raport me Perandorinë Osmane, Venecian, Francën, Anglinë dhe Rusinë. Në leksion do të trajtohen çështje të tilla si burimet e të ardhurave dhe sistemi financiar në Perandorinë Osmane, burimet e të ardhurave në Pashallëkun e Janinës, taksat dhe tatimet e aplikuara e regjimi juridik i tokës si burim i të ardhurave. Studimi i marrëdhënieve financiare të Pashallëkut të Janinës hedh dritë edhe në kontekstin historik të epokës së tij, si një nga etapat kalimtare të historisë së afërme tonë dhe që pati ndikime të rëndësishme gjeopolitike më vonë në shtetin e porsaformuar grek dhe në territoret shqiptare.