Në kuadër të programit "Netët e Muzeut," Muzeu i Bankës së Shqipërisë organizon çdo vit një seri leksionesh të hapura, që sjellin para publikut personalitete të shquara nga fusha të ndryshme, përfshirë historinë e parasë dhe bankës, ekonominë, financën dhe edukimin financiar, numizmatikën, si dhe disiplina si filatelia, arti dhe arkitektura. Përmes këtyre aktiviteteve, që zhvillohen jashtë orarit zyrtar të vizitave, synohet krijimi i një mjedisi ku publiku jo vetëm që njihet me ekspozitat, por gjithashtu ka mundësinë të shkëmbejë ide dhe të përfshihet në diskutime të pasura mbi temat e trajtuara.

  1. Më 24 tetor 2024 u prezantua leksioni i parë me temë: “Inflacioni dhe ndikimi në koston e jetesës,” i mbajtur nga eksperti i njohur i ekonomisë, Prof. Assoc. Dr. Selami Xhepa.

Leksioni u hap me një përshëndetje nga z. Altin Tanku, Drejtor i Departamentit të Kërkimeve, i cili theksoi synimin e këtij leksioni për të rritur ndërgjegjësimin mbi kuptimin e inflacionit, ndikimet e tij në fuqinë blerëse dhe mirëqenien e familjeve, si dhe faktorët që e shkaktojnë atë.

Prof. Assoc. Dr. Xhepa shpjegoi konceptin e inflacionit dhe trajtoi dy llojet kryesore të tij, të njohura si inflacioni monetar dhe jo-monetar, duke analizuar mënyrën se si lindin dhe dallimet në efektet e tyre në ekonomi dhe në jetën e përditshme të qytetarëve. Profesori ndaloi gjerësisht mbi ndikimin e faktorëve si politikat monetare, rritja e ofertës së parasë dhe ndryshimi i normave të interesit mbi kërkesën agregate dhe, rrjedhimisht në inflacionin dhe pritshmëritë e publikut. Shpjegimet dhe diskutimi u ilustruan me shembuj të shumtë, duke u bazuar në përvoja historike dhe rolin e çmimit të arit dhe valutave të forta si “kundërpeshë” ndaj inflacionit të lartë. Në përfundim, Prof. Xhepa diskutoi mënyrat efektive për kontrollin e inflacionit dhe sfidat me të cilat përballet Banka Qendrore në këtë proces, në kushtet e një ekonomie të hapur dhe të ndërlidhur globalisht.

Ky leksion, përveç qartësimit të konceptit të inflacionit me një shpjegim të thjeshtë dhe intuitiv, synoi gjithashtu të ndërgjegjësojë publikun e gjerë, veçanërisht të rinjtë, mbi rëndësinë e politikave monetare të kujdesshme, duke synuar ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe mbrojtjen e mirëqenies së qytetarëve.

Të interesuarit kanë mundësinë ta ndjekin këtë leksion në profilin e Bankës së Shqipërisë në platformën YouTube:

https://www.youtube.com/@BankaShqiperise  

  1. Më 30 tetor 2024, u prezantua leksioni i dytë me temë: “Psikologjia e parasë dhe rritja personale”, i mbajtur nga profesori i mirënjohur në fushat e ekonomisë dhe mësimdhënies Prof. Assoc. Dr. Niko Pano.

Leksioni u hap me një përshëndetje nga Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Luljeta Minxhozi e cila, pasi falënderoi të pranishmit dhe lektorin, theksoi se ndër vite Muzeu ka mirëpritur vizitorë të shumtë, kryesisht nxënës dhe studentë. Zj. Minxhozi theksoi se përmes programit “Netët e Muzeut,” synohet të ofrohen perspektiva të ndryshme nga personalitete të shquara në fusha të ndryshme, duke bërë që Muzeu të shndërrohet jo vetëm në një hapësirë për të shijuar një ekspozitë, por edhe në një vend për shkëmbim idesh dhe diskutimesh.

Prof. Assoc. Dr. Niko Pano, ndau me të pranishmit njohuri mbi çështje kyçe të sjelljes financiare dhe zhvillimit personal, duke shtjelluar ndikimin që kanë sjelljet financiare, përvoja personale dhe vendosja e qëllimeve afatgjata në suksesin financiar. Në prezantim u trajtuan gjithashtu dallimet kryesore midis dy koncepteve shumë të diskutuara sot: të qënurit i pasur dhe posedimi i parasë, që janë nocione relative dhe ndryshojnë në varësi të psikologjisë individuale, vetëvlerësimit, nivelit të njohurive dhe moshës. Gjithashtu u  theksua se fenomene si humbja dhe fitimi, rreziku dhe besimi, si dhe tipare të tjera që ndikojnë çdo vendim financiar në jetën tonë, mund të menaxhohen më mirë dhe të shndërrohen në arritje të rëndësishme për secilin. Në përfundim, Prof. Pano trajtoi konceptet e "mjaftueshmërisë" dhe "lirisë ekonomike," të cilat mund të ndihmojnë në arritjen e qëndrueshmërisë financiare.

Pas leksioneve, të pranishmit patën mundësinë të vizitojnë Muzeun e Bankës së Shqipërisë.

#MuzeuiBankaeShqipërisë #NetëteMuzeut #Financë #EdukimFinanciar