Në datat 26 tetor dhe 2 nëntor 2023, në kuadër të ciklit të “Netëve të Muzeut”, Muzeu i Bankës së Shqipërisë organizoi dy ekspozita me fokus prezantimin e zhvillimit ekonomik dhe marrëdhënieve tregtare me vendet fqinje të qyteteve të Beratit dhe Shkodrës, në shek. XVII - XX. Ndryshe nga tradita e deritanishme, këto dy “Netë Muzeu”, të organizuara në bashkëpunim me Qendrën Muzeore Berat dhe Drejtorinë e Kulturës, Arsimit, Rinisë dhe Sporteve të Bashkisë Shkodër, sollën për publikun dy ekspozita me fotografi ilustruese të periudhës në formatin e “Muzeut në një valixhe”.
1.Ekspozita e datës 26 tetor 2023, përmbante gjithsej 32 panele, me fotografi (bardh e zi, e me ngjyra, skica etj. shumica të realizuara rreth 120 vjet më parë), përmes të cilave evidentoheshin disa nga zhvillimet më tipike të tregtisë dhe ekonomisë së këtij qyteti, në shek. XVII – XX. Në ekspozitë u paraqitën pamjet e pazareve të vjetra të këtij qyteti, dyqanet, proceset e prodhimit të tekstileve dhe vajit, objekte të përdorimit të përditshëm të shekujve në fjalë, vepra të rëndësishme arkitekturore si Kalaja e Berati, Ura e Gorricës, të cilat janë aty si pjesë e trashëgimisë tonë kulturore e kombëtare. Dy foto të pikturave të shkrimtarit, muzikantit dhe piktorit anglez Edwart Lear prezantuan në ekspozitë: Beratin në Shqipërinë qendrore, me karroca buajsh në lumë dhe qytetin e kalanë në sfond, 15 tetor 1848; dhe Akuareli i Beratit në Shqipërinë e Mesme, me lumin Osum dhe malin Tomor në distancë, 15 tetor 1848. Ekspozita u prezantua nga z. Miklor Pasku, Drejtor i Qendrës Muzeore të qytetit të Beratit, institucion i specializuar dhe arkivor, i cili ka nën varësi dy muzetë e rëndësishëm të këtij qyteti “Muzeun Etnografik” dhe “Muzeun e Ikonografisë Onufri”. Duke qenë se në themel të marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike të përditshme zë vend edhe përdorimi i parasë si mjet pagese, Muzeu i Bankës së Shqipërisë, solli në këtë ekspozitë imazhet e kartëmonedhave të para lokale të printuara nga Dhoma Tregtare e Beratit, emetime të viteve ’24-‘25 të shek. XX, si dhe një përshkrim të shkurtër historik mbi temën e kësaj ekspozite.
2.Ekspozita e dytë, e organizuar më 2 nëntor 2023, përmbante gjithsej 18 panele me rreth 50 foto, të sjella nga Muzeu Historik i qytetit të Shkodrës. Shkodra e shek. XVII-XX, përmendet si një nga kryeqendrat kryesore të tregtisë dhe ekonomisë në vend, por edhe në rajon. Historia e këtij qyteti u soll në ekspozitë nëpërmjet fotografive të kohës. Vend kryesor zinin pamje të pazarit të vjetër të qytetit, në të cilin numëroheshin rreth 2500 dyqane. Në historinë e tij, qyteti krijoi një traditë te rëndësishme në fushën e artizanatit, ku mbarti me vete mjeshtërinë e lartë, individualitetin, fantazinë krijuese, shijet e ndjenjat artistike të kësaj treve. Artizanati shkodran zuri fill që në mesin e shek. XVIII e deri në vitet ‘50 – ‘60 të shek. XIX, kohë kur zhvillimi ekonomik e tregtar i qytetit të Shkodrës dominoi ndaj qendrave të tjera të vendit. Në ekspozitë u prezantuan edhe foto të veprave të rëndësishme arkitekturore si ura e Bahçallëkut Shkodër, gjysma. II shek. XIX, Kulla apo Sahati i Inglizit siç njihet gjerësisht, etj. Ekspozita u prezantua nga zj. Amila Gjyrezi, Drejtore e Drejtorisë së Kulturës, Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Bashkia Shkodër. Si edhe në ekspozitën e parë, Muzeu i Bankës së Shqipërisë prezantoi pamjet e kartëmonedhave të para lokale të emetuara nga Përlimtarja (Bashkia) e Shkodrës, të viteve ’20 të shek. XX. Muzeu Historik i Shkodrës e plotësoi këtë pjesë të historisë me prezantimin e dokumentit “Njoftim për krijimin e Përlimtares së Shkodrës” dhe me foton e anëtarëve të kësaj bashkie.
Netët e Muzeut 2023, synuan të vinë më pranë publikut në një mënyrë më interaktive, duke e bërë vizitorin të jetë pjesë e aktiviteteve përmes pyetjeve mbi historinë e secilit qytet, mbi mënyrën e zhvillimin ekonomik dhe atë të organizimit tregtar, zhvillimin e import-eksporteve, taksave etj., të cilat kanë ekzistuar shekuj më parë dhe kanë evoluar me kohën.
Për vizitorin e vogël ishte interesante pjesa e pazareve, e cila për analogji iu shpjegua me organizimin e qendrave të mëdha tregtare në ditët e sotme. Para tyre zbuluam dëshmi të rëndësishme të trashëgimisë kulturore e historike të dy qyteteve, duke besuar se do të nxisim qasjen e tyre për të dashur dhe ruajtur këto pasuri të cilat janë përcjell brez pas brezi.