Poster Muzeu 18Maj 24-01

Që prej vitit 1977, çdo 18 Maj, në të gjithë botën festohet Dita Ndërkombëtare e Muzeve. Kjo datë është vendosur nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve – ICOM i UNESCO-s - dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin publik mbi rolin e muzeve në zhvillimin e shoqërisë. Në këtë kuadër, edhe këtë vit, Muzeu i Bankës së Shqipërisë organizoi veprimtari të ndryshme për publikun e gjerë, si dhe qëndroi i hapur për vizitorët përtej orarit të tij zyrtar.

Gjatë kësaj dite, nën sloganin "Muzetë për edukim dhe kërkim/Museums for education and research", Muzeu i Bankës së Shqipërisë mirëpriti rreth 750 vizitorë. Ata u njohën me koleksionin e pasur numizmatik të Bankës së Shqipërisë, historikun ekonomik e monetar vendas, si dhe me aktivitetet e veçanta dedikuar kësaj dite në përputhje me temën ndërkombëtare. Këto aktivitete përshkruhen shkurtimisht më poshtë:

Ekspozita e përkohshme e Muzeut të Bankës së Shqipërisë “Vlera e Parasë në periudhën 1912 - aktualisht”. Kjo ekspozitë prezantoi, përmes dokumenteve historike të publikuara për herë të parë, momentet kyçe të zhvillimit të sistemit monetar dhe financiar në Shqipëri, ndryshimet dhe sfidat që ka përjetuar ekonomia shqiptare, si dhe impaktin e tyre në vlerën e parasë gjatë kësaj periudhe më shumë se 100-vjeçare.

Ndryshimet në vlerën e parasë janë trajtuar sipas periudhave kryesore të historisë së Shqipërisë, duke u ndërlidhur me shkaqet historike, zhvillimet e politikës monetare ose ndryshimet e tjera në ekonominë e vendit.

  • Foto ekspozita vlera e parasë

Filma të realizuar nga nxënësit e Universitetit Barleti dhe Institutit Harry Fultz, mbi temat përkatëse: “Qarkullimi monetar gjatë periudhës së Perandorisë Bizantine dhe asaj të Republikës së Venecias” dhe “Periudha e komunizmit dhe paratë”. Studentët e Universitetit Barleti, bazuar në materialet dhe koleksionet e ekspozuara në Muzeun e Bankës së Shqipërisë realizuan filmin me metrazh të shkurtër me qëllim prezantimin e historisë së qarkullimit monetar të periudhave në fjalë. Ndërkohë, nxënësit e Institutit Harry Fultz përgatitën një film të shkurtër mbi përdorimin e parasë gjatë viteve 1980-90. Filmat u shfaqën për vizitorët e Muzeut në këtë ditë të hapur, duke nxitur interesin e nxënësve për ekspozitat muzeore dhe duke ngacmuar kuriozitetin e tyre mbi punën kërkimore që qëndron pas ekspozimit të objekteve në një muze.

  • Foto Universiteti Barleti

Punime artistike me materiale të riciklueshme të realizuara nga nxënësit e shkollave “Konferenca e Pezës” dhe “Kolë Jakova” rreth temës “Dyqanet, tregjet dhe kartëmonedhat kombëtare të viteve 1965-1985”. Ky aktivitet synoi të sjellë një hapësirë ekspozuese për nxënësit e arsimit parauniversitar, ku ata mësuan më shumë mbi tema historike të lidhura me ekonominë dhe financat e jetës së përditshme të viteve 1960-80, duke i përkthyer këto dije në punime artistike, përmes krijimtarisë së tyre. Nxënësit i ekspozuan dhe i prezantuan punimet artistike në hollin historik me mozaik të Bankës së Shqipërisë. 

  • Foto Instituti Harry Fultz

  • Foto shkolla Konferenca e Pezës 

  • Foto shkolla Kolë Jakova

Këndi i monedhave souvenir, ku ishin të pranishëm nxënës të disa shkollave 9-vjeçare, të cilët krijuan me plastelinë dhe letër alumini, monedhën kombëtare me vlerë 1 Lek dhe i prezantuan ato për vizitorët e Muzeut të Bankës së Shqipërisë.

  • Foto monedha souvenir

Leksion i hapur nga Akad. Asoc. Adrian Civici, me temë: “Lindja, sfidat dhe krizat e para të sistemit bankar në qytetet mesjetare evropiane”. Leksioni, ku dëgjues ishin kryesisht studentë universitarë, trajtoi kushtet ekonomike, historike dhe shoqërore që nxitën lindjen dhe fuqizimin e bankave në Evropën e shekujve XIII-XV. Gjatë leksionit u shpjegua se si ndryshimet demografike, politike, zhvillimet teknologjike e ekonomike, së bashku me nevojën për zgjerimin e tregtisë që rrodhi nga gjithë këto fenomene, sollën nevojën për lindjen e instrumenteve financiare dhe bankave të para në kuptimin historik modern. Nga ana tjetër, natyra e këtyre institucioneve dhe produkteve financiare u bë shkak që shumë shpejt pas krijimit, bankat të përballeshin me krizat e para, të cilat u shfaqën në formën e panikut dhe tronditjes së besimit tek to. Përmes shembujve historikë, Akad. Asoc. Civici shpjegoi për dëgjuesit se si shkaqet pas këtyre krizave mbeten shumë të ngjashme edhe sot, duke theksuar se mësimet nga historia na ndihmojnë për hartimin e politikave mbrojtëse të mbikëqyrjes dhe stabilitetit financiar, me qëllim ruajtjen e shëndetit të sistemit bankar dhe të gjithë ekonomisë.         

  • Foto leksion