Rreth Muzeut të Bankës së Shqipërisë
Muzeu i Bankës së Shqipërisë u inaugurua më 30 tetor 2015, si një ndërthurje midis muzeales dhe didaktikes. Ai ndodhet brenda ndërtesës së bankës qendrore në sheshin kryesor të kryeqytetit dhe shtrihet në dy kate, ku secili është konceptuar si një hapësirë e pavarur nga tjetra.
Në katin e parë, në të cilin ndodhet edhe Dhoma e Thesarit ose siç njihet ndryshe "Rondo", prezantohet koleksioni i pasur numizmatik i Bankës së Shqipërisë. Këtu, vizitorët mund të njihen nga afër me vlerat historike dhe numizmatike që mbart monedha, përmes ekspozimit të thesareve, koleksioneve të monedhave dhe kartëmonedhave, që kanë qarkulluar dhe janë përdorur në territoret historike të vendit, nga antikiteti deri në ditët e sotme.
Ndërkohë, në katin e dytë prezantohet historia e institucionit të bankës qendrore në Shqipëri, roli i saj në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe në garantimin e stabilitetit financiar të vendit, si dhe funksionet kushtetuese. Por muzeu ynë nuk është vetëm një muze monedhe. Me një fokus të veçantë në edukimin e publikut, kati i dytë i tij shërben edhe si një qendër informacioni, ku vizitorët mund të informohen në mënyrë interaktive si dhe të zhvillojnë orë mësimore, leksione apo aktivitete të tjera didaktike në fushën e parasë dhe të ekonomisë.