Paketa cufo
Seminare trajnuese për mësuesit që zhvillojë paketën mësimore "1, 2, 3... derrkuci Çufo mëson të kursejë", gjatë vitit shkollor 2013-2014
Për zbatimin sa më të suksesshëm të paketës mësimore, "1, 2, 3... derrkuci Çufo mëson të kursejë", janë organizuar seminare trajnuese për mësuesit e 30 shkollave pilot. Seminaret u zhvilluan gjatë javës së dytë të muajit shtator, në tre qytete të vendit, me pjesëmarrjen e mësuesve të shkollave 9-vjeçare të Tiranës, Shkodrës dhe Vlorës. Këto tre qytete janë përzgjedhur në bashkëpunim me përfaqësuesit e MASH për pilotimin e këtij programi mësimor, për shkak të vendndodhjes së tyre gjeografike - në qendër, veri dhe jug - dhe të rëndësisë së tyre rajonale.
Në çdo seminar morën pjesë 30 mësues të përzgjedhur nga DAR-i përkatës, që zhvillojnë mësimin në klasat I, II, III, në 10 shkolla 9-vjeçare të rajonit. Ata u njohën me materialet e përfshira në paketën "1, 2, 3 ... derrkuci Çufo mëson të kursejë" dhe me praktikat më të mira didaktike për përqasjen ndaj tyre, në mënyrë që mesazhet dhe informacioni i materialit të përthithet sa më mirë nga nxënësit.
Udhëzuesi i Mësuesit
Për t'i ardhur në ndihmë mësuesve që trajtojnë paketën mësimore si dhe për t'i orientuar ata gjatë zhvillimit të materialeve të ndryshme të saj, Banka e Shqipërisë ka përgatitur një udhëzues të shkurtër.
Nëpërmjet shtjellimit të disa koncepteve dhe disa sugjerimeve për zhvillimin praktik të çështjeve të trajtuara në material, ky udhëzues do të ndihmojë në paraqitjen sa më të plotë të programit për edukimin financiar të nxënësve të ciklit të ulët.