Kartëmonedhat e Krahinës Autonome të Korçës
Në 25 janar 1917 administrata shqiptare e Krahinës Autonome të Korçës, për të përmbushur nevojat që kishte tregu emetoi (në bazë të vendimit të Këshilli i Republikës Autonome të Korçës, janar 1917) kartëmonedhat e saj shqiptare. Ato do të zëvendësonin monedhat e huaja, në mënyrë të veçantë dhrahmitë greke, të cilat i kishte prurë me vete administrata e mëparshme helene. Në mungesë të bankës, monedhat u shtypën nga Drejtoria e Financave në Korçë, një nga departamentet kryesore të administratës së "krahinës autonome". Kartëmonedha u quajt frang, emër ky që përputhej edhe me atë të frangut francez, monedha bazë e Republikës së Francës. Për frangun e saj, administrata autonome për mbulesë kishte jo rezerva ari, por të ardhurat financiare që vinin nga taksat direkte dhe indirekte, nga pullat postare, nga lejet e zejeve etj. Emetimi i parë u shtyp më 17 mars 1917 në shtypshkronjën e Arqimidh Evangjelit të Korçës. Prerja me vlerë 1 Frangë kishte në njërën anë legjendën "Shqipërië Vetqeveritare" së bashku me shqiponjën me dy krerë, kurse në anën tjetër dekoracione dhe vlerën 1 Frangë dhe në frëngjisht "Un franc". Nga kjo prerje u shtypën 15 mijë kartëmonedha. Të njëjtën pamje kishte dhe prerja prej gjysmë frangu, nga e cila u shtypën 10 mijë kartëmonedha. Edhe për këtë emetim u vunë në qarkullim 10 mijë copë për secilën prerje. Emetimi i tretë, gjithashtu me 2 prerje, i datës 10 tetor 1917, ndryshonte nga dy emetimet e para për shkak të ndryshimit të statusit të krahinës. Monedha mban legjendën "Republika Shqiptare", kurse simbolet dhe dekoracionet janë po ato të dy emetimeve të para. Nga ky emetim u vunë në qarkullim për prerjen 1 Frangë 5000 kartëmonedha dhe për prerjet gjysmë Frangu 9000 kartëmonedha.
Në vitin 1918 pati 4 emetime (shkurt, nëntor, 1 dhjetor dhe 10 dhjetor), por tashmë me tjetër legjendë. Kartëmonedha nuk emërtohej as "Shqipërië Vetëqeveritare", as "Republika Shqiptare", por thjesht "Korça". Kjo për arsye se autoritetet ushtarake franceze e abroguan marrëveshjen e 10 dhjetorit 1916, e cila i njihte krahinës së Korçës statusin e autonomisë. Korça kishte tashmë vetëm një administratë lokale, nën autoritetin ushtarak francez. Kartëmonedha e re nuk e kishte më shqiponjën me dy krerë. Të dy prerjet kishin nga njëra anë panoramën e qytetit me një kishë, një xhami dhe një teqe dhe emrin Korça, ndërsa në anën tjetër dekoracione.
* Lart, kolazh me prerjet 1/2 dhe 1 Frang, si edhe foto e Themistokli Gërmenjit me ushtarakë francezë të Krahinës autonome të Korçës. Marrë nga fondi fotografik i Drejtosisë së Përgjithshme të Arkivave.
Poshtë, kartëmonedha Frang, emetuar nga Drejtoria e Financave të Krahinës Autonome të Korçës, në vitet 1917-1918.