Banka e Shtetit Shqiptar, 1945 - 1992
![banka shqiptare ne kukes](/rc/img/banka_shqiptare_ne_kukes_8710.jpg)
Pushteti që doli nga Lufta Nacional-Çlirimtare në nëntor 1944, nisi menjëherë procesin e shtetëzimit. Më 13 janar 1945 u miratua ligji mbi anulimin e konvencionit të Bankës Kombëtare të Shqipnis dhe të aksioneve të saj. Po në këtë datë u miratua edhe ligji organik i Bankës së Shtetit Shqiptar. Kjo bankë u krijua si një institucion i rëndësishëm i sistemit financiar të Shtetit Shqiptar.
Gjatë vitit 1945, Banka e Shtetit Shqiptar nisi ta zhvillojë veprimtarinë e saj në lëmin e emetimit të monedhës dhe të kreditit. Me Dekretligjin nr. 445, datë 07.07.1947 "Mbi heqjen nga qarkullimi të banknotave të quajtura franga dhe emetimin e një emisioni të ri", si njësia bazë e monedhës në vend të Frangut u caktua Leku.
Që nga shkurti i vitit 1946 e deri në fund të vitit 1990, Banka e Shtetit mbështeti procesin e zhvillimit të ekonomisë socialiste. Gjatë kësaj periudhe, në Shqipëri kanë vepruar një numër i kufizuar bankash. Karakteristika kryesore e kohës mbetet centralizimi i skajshëm i këtij sistemi në duart e shtetit. Banka e Shtetit Shqiptar, si bankë qendrore ishte qendër e emisionit të monedhës. Ajo grumbullonte mjetet përkohësisht të lira dhe u jepte ndërmarrjeve, kooperativave bujqësore dhe personave të veçantë kredi afatshkurtër dhe afatgjatë, kryente shërbimin e arkës unike, mbante llogaritë e të ardhurave dhe të shpenzimeve, ruante fondet në valutë të shtetit, kryente veprimet ekonomike e financiare të shtetit me vendet e tjera dhe me bankat e huaja.
![1945 100Lek](/rc/img/1945_100Lek_8711.jpg)
![1945 500Lek](/rc/img/1945_500Lek_8712.jpg)
![100Lek rinj](/rc/img/100Lek_rinj_8713.jpg)
* Kartëmonedha të emetuara prej Bankës së Shtetit Shqiptar. Foto të Drejtorisë së Përgjithshme të Bankës në Tiranë, degës së saj në Kukës dhe fotografisa origjinale e përdorur për realizimin e kartëmonedhës 500 Lekë. Marrë nga fondi fotografik i Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Kartëmonedha mban portretin e një punëtoreje gjatë një dite të zakonshme pune për mbjelljen e grurit.