Banka Kombëtare e Shqipnis, 1925 - 1945

 

monedhat zogu

Pas ripohimit me akte ndërkombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1921, u bënë diskutime të shumta për ngritjen sërish të një banke kombëtare, çka u bë realitet në bazë të marrëveshjes së përfunduar nga Mufid Libohova në emër të Qeverisë Shqiptare dhe Mario Alberti në emër të një grupi financiar italian. Qendra administrative e Bankës Kombëtare të Shqipnis do të ishte qyteti i Durrësit, ndërsa Komiteti Administrativ do ta kishte qendrën në Romë. Kjo bankë u themelua më 2 shtator 1925, dhe në shkurt të vitit 1926 hodhi në qarkullim monedhën e parë kombëtare shqiptare, frangun ar me nënfishat e tij lekë.

 Duke mos qenë vetëm një bankë emisioni, ajo e shtriu veprimtarinë edhe në lëmin e kreditit, ku gjatë një periudhe 10-vjeçare veproi në kushte monopoli, ndërsa prej vitit 1938 u gjend në një konkurrencë të fortë me degën në Shqipëri të Bankës së Napolit. Në fjalimin e përurimit të ndërtesës së Bankës së Shqipnis në Tiranë, në vitin 1938, drejtori i asokohe, Antonio Moscheti, do të shprehej: “Ndërtesa e re, vepër e ndritur e arktitektit Prof. Morpurgo dhe e bashkpunëtorve të tij, në vijat e saj të matura e hijerandë, sa artistike aq edhe elegante, dëshiron të jetë pikërisht shprehja dhe sinteza e atij organizmi të fortë e të sigurtë siç është Banka Kombëtare e Shqipnis”.

Konventa ekonomiko-doganore e prillit 1939, e realizuar menjëherë pas pushtimit fashist të Shqipërisë, i dha mundësi Bankës Kombëtare të Shqipërisë të bëjë ndryshime thelbësore në politikën e saj monetare. Karakteristikë dalluese e kësaj periudhe ishte kalimi nga politika deflacioniste në atë inflacioniste në lëmin e monedhës. Ajo qe aktive në fushën e kreditit ku, në konkurrencë me Bankën e Napolit dhe me Bankën Kombëtare të Punës, rriti shumë kreditimin dhe mbajti pozita sunduese në tregun shqiptar.

banka K SH 1
banka K SH 2
banka K SH 3

 

* Pamje nga Banka Kombëtare e Shqipërisë, në vitin 1938. Projekti i Arkitektit Italian Vittorio Ballio Morpurgo.
Monedhë 100 Franga Ar, emetuar në vitin 1926.
Foto e Presidentit të Republikës së Shqipërisë Amet Zogu, e cila u përdor prej Zecca di Roma për gdhendjen e kësaj monedhe. Marrë nga fondi fotografik i Drejtosisë së Përgjithshme të Arkivave.