Edukimi ekonomik e financiar
Kultura financiare në ditët e sotme përbën një domosdoshmëri për këdo, duke marrë në konsideratë jo vetëm ritmet e zhvillimit ekonomik, bankar dhe teknologjik, por edhe rëndësinë e peshën që informacioni ka në botën e sotme globale. Një kulturë e tillë ndihmon konsumatorët, prodhuesit dhe investuesit të marrin vendime të goditura financiare dhe njëkohësisht bankën qendrore të arrijë më lehtë objektivin e saj për arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.
Në janar 2024, u miratua Strategjia e Bankës së Shqipërisë për Edukimin dhe Përfshirjen Financiare (SBSHEPF), si një dokument i parë institucional që promovon edukimin financiar, në nxitje të përfshirjes financiare, mirëqenies dhe qëndrueshmërisë.
Kjo Strategji mbështetet në përpjekjet ekzistuese shumëvjeçare të Bankës së Shqipërisë në fushën e edukimit financiar. Misioni i SBSHEPF është të sigurojë që individët në Shqipëri të fitojnë njohuritë, të zotërojnë aftësitë, të mbajnë qëndrimet dhe të zhvillojnë sjelljet e duhura, të sakta dhe të zbatueshme që u mundësojnë atyre të marrin vendime financiare të mirinformuara, me synim final përmirësimin e mirëqenies dhe qëndrueshmërisë së tyre financiare.